E hënë, 29 Prill, 2024

ZIGZAG: YNI, HAJRI DHE SHERRI

Sjellja jonë në këto kushte të pandemisë i gjason ‘mollës së ndaluar’. Jo politikanët, po mantelbardhët po na thonë: Nëse e doni veten, respektoni masat, ato që quhen ruajtje e distancës fizike, mbajtje higjienës personale dhe – qëndroni në shtëpi! E pamë veten, si në pasqyrë, gjatë Pashkëve, po e shikojmë edhe tash – gjatë ditëve të agjërimit. Jo të tjerët, por vet ne duhet ta vëmë në kantar: hajrin dhe sherrin e gjithë kësaj! Sikurse po e harrojmë se në parajsë nuk shkohet me zor!

 

Autor: Seladin Xhezairi

 

1. Kolegu Osman Disha, me të cilin prej para disa dhjetëvjeçarëve, kemi punuar në Televizionin e Prishtinës, këto ditë po më fliste nga Norvegjia ku ndodhet prej vitesh, se si në vendet skandinave ‘nuk ka orë policore’ për shkak se, më thotë ai, njerëzit janë të disiplinuar dhe – e bëjnë zap vetëveten! E, të bësh zap veten, do pranuar, është punë e madhe! Mbase edhe për shkak se atje, në Skandinavi, domethënë, njerëzit shikojnë punën e tyre dhe nuk mbajnë gajlenë e tjetërkujt. Një gjë, sidoqoftë, e pranoj: Jemi tepër sfidues, tepër ‘debatikas’ gjatë orëve policore kur duhet të qëndrojmë në shtëpi: Ata të cilët, o tash o kurrë, po e dëshmojnë se enden rrugëve e rrugicave për të mirën e shëndetit tonë, ne i gjuajmë – me vezë, me patate dhe, shfrytëzojmë terrin!. Kjo, një. E dyta: Përkundër rekomandimeve, gjatë festës së Pashkëve, jo pak besimtarë u gjetën nëpër kisha, ndërkohë, gjatë këtyre ditëve të Ramazanit, të paktën në anën e Pollogut, ca hafiza organizojnë faljen e taravisë nëpër xhami të cilat, sipas rradakes së tyre, nuk janë në ‘hartat’ e policisë’, aniqë edhe institucionet përkatëse, e kanë thënë të veten se masat duhet respektuar. E pranoj: Sjellja jonë në këto kushte të pandemisë i gjason ‘mollës së ndaluar’. Jo politikanët, po mantelbardhët po na thonë: Nëse e doni veten, respektoni masat, ato që quhen ruajtje e distancës fizike, mbajtje higjienës personale dhe – qëndroni në shtëpi! E pamë veten, si në pasqyrë, gjatë Pashkëve, po e shikojmë edhe tash – gjatë ditëve të agjërimit. Jo të tjerët, por vet ne duhet ta vëmë në kantar: hajrin dhe sherrin e gjithë kësaj! Sikurse po e harrojmë se në parajsë nuk shkohet me zor!

2. Mbase nuk do e përmendja, por më cyti një ‘letërqortim’ i një mikut tim virtual nga fb i cili ma kishte zënë për të madhe pse në Klan Debatin e fundit e kisha thirrur atë Doktorin nga Infektivja e jo një tjetër i cili, po ashtu, na qenka i fushës! Ishte i bindur se e paskam ‘thyrë’, sikurse më shkruan, me intervenim, ama për shkak se ‘myqësisht’ më përshëndeste, në fund, nuk e lash pa iu arsyetuar: Doktorin dhe Doktorë të tjerë në ekran i sjell puna e tyre dhe, ‘intervenimet’ e atyre të cilët, në këto ditë pandemie, ua
panë hajrin! Në fakt, për Doktorët me emrat Ilir e Fadil më foli gjerë e gjatë Mirçe Adamçevski, gazetari në pension i cili, falë përkujdesjes së tyre, si më tha, edhe e fitoi betejën me – vdekjen. Pra, nuk është se nuk jemi mirënjohës! Ndonjëherë dhe ne dimë të ‘kopjojmë’ italianët dhe t’i përshëndesim Mantelbardhët me ‘këngën e Mjekut’! U mor vesh, njerëzit duan të dëgjojnë mendjehapurit e mendjendriturit – e ditëve të vështira.

3. Radioja prestigjioze gjermane Dojçe Vele vlerëson këto ditë se epidemi ka pasur dhe më parë, por kurrë deri ta ni nuk ka pasur masa kaq të rrepta të cilat, thotë ajo, janë troll i plleshëm për përhapjen e teorive të ndryshme të komplotit. ‘Ujku do mjegull’ –thotë një fjalë jona e urtë. Në kushtet pandemike na del edhe ‘populizmi pandemik’. Zërat a spekulimet, lajmet e rrejshme, teoritë e konspiracionit na bëhen informacione të besueshme dhe, për mungesë të asaj që quhet politikë redaktuese, përgjegjshmëri apo edhe mungesë profesionalizmi, ‘zërat marrin dhenë’. Porositësit tyre, natyrisht se fërkojnë duart. Aq më tepër kur kjo ndodhë, ndërkohë që në horizont kemi zgjedhje apo duam zgjedhje. Krejt njësoj: pandemia ka pllakosur, Amerikën, Belgjikën, Kosovën, Shqipërinë, Serbinë e RMV-në. Marifete e marifetllëqe, edhe në rrethana pandemike, sa të duash dhe, aty ku s’ta merr mendja. Sikur po harrojmë se ‘kurbani nuk trashet ditën e Bajramit’, apo jo?

Të fundit