Me metodologjinë e re të propozuar nga Komisioni Evropian, procesi i zgjerimit do të jetë më i vështirë sesa që ishte deri tash, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Blerim Reka.
Ai thotë se liberalizmi i vizave është prioritet i qeverisë Kurti, por siç shprehet Reka, për të ndodhur ky proces, duhet të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Radio Evropa e Lirë: Ministër Reka, Komisioni Evropian ka propozuar një metodologji të re të integrimit,e cila do të zbatohet për disa vende të Ballkanit Perëndimor. Çfarë ndikimi do të ketë për Kosovën dhe pretendimet e saj integruese në BE, kjo metodologji?
Blerim Reka: Ju e dini se që nga viti i kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron, doli me një, ta themi qasje të re sa i përket politikës së zgjerimit të BE-së esenca e të cilës ishte thellësia para gjerësisë, përkatësisht reformat e brendshme institucionale në Bashkimin Evropian, para zgjerimit të BE-së me shtete të reja anëtare.
Si pasojë e një orientimi të tillë strategjik, u hartua një metodologji e repër zgjerimin e cila më 5 shkurt edhe u publikua nga Komisioni Evropian dhe pritet aprovimi formal në mbledhjen e Këshillit Evropian në muajin mars.
Në shikim të parë, analiza më sipërfaqësore e kësaj metodologjie na udhëzon në disa ndryshime. Është e vërtetë që autorët e kësaj metodologjie po duan ta bëjnë procesin e zgjerimit më kredibil, më konsistent dhe më të matshëm.
Por, nga ana tjetër, inauguruan disa parime të reja në procesin e zgjerimit, siç është gradualiteti, siç është kushtëzimi dhe siç është kthyeshmëria.
Çka dua të them, e tërë filozofia e deritanishme mbi 25-vjeçare e zgjerimit që bazohej në të ashtuquajtura kapituj të aki-komuniter (acquis communautaire – baza ligjore e BE-së) dhe atë në 35 kapituj, tani reduktohet në 7 faza dhe në secilën fazë kemi nga disa kaptina që për njëherë shqyrtohen.
Kuptohet se me këtë qasje të re, apo me këtë metodologji të re, procesi i zgjerimit do të jetë pak më i vështirë sesa që ishte deri tani dhe unë shpresoj se kjo u bë pikërisht nga përvojat jo aq të mira nga anëtarët e rinj që u anëtarësuar në vitin 2004 dhe 2007 nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe duke dashur që të mos i përsërisin gabimet e njëjta, ky proces, pra do të jetë më strikt, më rigjid dhe më i kontrolluar.
Radio Evropa e Lirë: Kosova ndodhet në një pozitë specifike në procesin integrues sepse atë nuk e njohin pesë shtete anëtare të BE-së. Kur prisni që këto vende të ndryshojnë qëndrimin karshi Kosovës apo gjithçka ka mbetur në pritje të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë?
Blerim Reka: Është e vërtet se Kosova është rast specifik në raportet me BE-në, shkaku i mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të BE-së. Me këtë, në një mënyrë, Bashkimi Evropian, aplikoi një lloj, unë e quaj neutralitet asimetrik në raportet ndaj Kosovës sepse në një anë Komisioni Evropian në këto 7-8 vjetët e ndërmjetësimit në dialogun e Brukselit mes Kosovës e Serbisë, dëshironte të theksonte pozitën neutrale ndaj dy palëve negociatore, por nga ana tjetër, me mostrajtimin e Kosovës si shtet, por siç thuhet në fusnotën e famshme të Brukselit, nuk paragjykohet statusi i saj, në një mënyrë ajo e deprivoi njërën palë negociatore, në këtë rast Kosovën që të jetë palë e barabartë në tryezën e bisedimeve.
Besoj që BE-ja, duhet të lirohet nga, do të thosha, një pozitë e të qenurit peng i këtyre 5 shteteve refuzuese të Kosovësdhe të hap rrugën për procesin e vërtetë integrues. Çfarëdo eksperimentimi tjetër, qoftë me fusnota, qoftë me formulime të llojit që nuk janë aplikuar ndaj pesë shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit, vërtetë do të ishte e papëlqyer për Kosovën.
Radio Evropa e Lirë: Krahas procesit integrues, i cili për Kosovën parashihet të jetë më i gjatë, qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në rajon që nuk e kanë edhe lirinë e lëvizjes pa viza në Zonën e Schengenit. A prisni që të ketë sivjet ndonjë lëvizje nga vendet anëtare drejt heqjes së vizave për Kosovën?
Blerim Reka: Siç e keni parë edhe në deklarimet e para nga marrja e postit të ministrit, unë jam përmbajtur nga deklarimet, licitimi me data, me ditë, me muaj, sepse procesi i liberalizimit ndonëse është proces teknik i plotësimit të kritereve, megjithatë siç po shihet në rastin e Kosovës në finalen e saj, pas plotësimit të 95 kritereve të Komisionit Evropian, janë disa hezitime te së paku dy shteteve anëtare të BE-së dhe atë me mos bindjen e tyre që Kosova nuk ka ofruar ende prova bindëse për luftimin e korrupsionit, sidomos në rastet e profilit të lartë.
Unë shpresoj që qeveria e re, ministria e re e Drejtësisë, prokuroritë dhe gjykatat do ta marrin seriozisht këtë mesazh të Brukselit dhe nuk do të jemi peng i një moszbatimi të ligjit, gjë e cila ka qenë kërkesa kryesore nga Brukseli. Shpresoj se ky vit do ta çlirojë Kosovën nga geto e schengenit që është gati qe një dekadë.
Radio Evropa e Lirë: Mendoni se mungesa e madhe e luftimit të korrupsionit në Kosovë ka ndikuar që të ketë vonesë në procesin e liberalizimit?
Blerim Reka: Jo që ka ndikuar, por ju them se kjo është krye-kërkesa e shteteve hezituese dhe atë jo aq e ministrive të Punëve të Jashtme të këtyre shteteve, po e ministrive të punëve të brendshme dhe ministrive të drejtësisë. Pra, është puro kërkesë teknike. Që do të thotë është çështje e zbatimit të plotë të parimit të sundimit të ligjit dhe ofrimit të provave bindëse, por në një mase qa sa janë edhe rastet.
Pra, për një epilog gjyqësor me aktgjykime të formës së prerë të rasteve të korrupsionit të lartë, rasteve të krimit të organizuar. Më fjalë të tjera, ne nuk duhet ta plotësojmë këtë kërkesë pse Brukseli apo pse ministrat e Punëve të Brendshme të ca shteteve anëtare të BE-së e kërkojnë. Ne duhet ta bëjmë për ne si shoqëri. Pra, të lirohemi nga kriminaliteti, korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Radio Evropa e Lirë: Pse thuhet atëherë se Kosova i ka plotësuar kriteret e kërkuara nga BE-japër procesin e liberalizimit të vizave.
Blerim Reka: Nuk e them unë, e ka thënë Komisioni Evropian shumë qartë se janë plotësuar 95 kriteret e kërkuara, kjo është e para. E dyta, këtë e përsëriti gjatë vizitës së tij të fundit edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme Borell [Josep Borrel]. Por, mbeti edhe një herë po e them bindja e ministrave të punëve të brendshëm të dy shteteve anëtare që këtë që po e themi se e kemi plotësuar ta dëshmojmë edhe me prova konkrete. Ata janë shumë konkret e shumë preciz, kërkojnë raste të përfunduara gjyqësore të krimit të organizuar të profilit të lartë.
Radio Evropa e Lirë: A do të ndodh kjo tash në Kosovë?
Blerim Reka: Shpresoj që kjo qeveri e cila erdhi mbi platformën e qeverisjes së pastër, e qeverisjes transparente dhe udhëheqjes së shtetit me duar të pastra dhe të ç’kapjes së shtetit, do të jetë bazë solide, unë do të thosha ,në rrafshin strategjik në mënyrë që këtë porosi, këtë filozofi qeveritare të re, ta përcjellin edhe gjykatat edhe prokuroritë në vend.
Radio Evropa e Lirë: Cilat i konsideroni si sfida të Kosovës në drejtim të përmbushjes eagjendës së reformave evropiane?
Blerim Reka: Tani ne duhet të jemi të vetëdijshme. Nuk jam prej atyre tash që merrem me paraardhësit e mi. Unë e mora detyrën me 6 shkurt dhe nga ajo që gjeta në tavolinë, pra nga raportet zyrtare është brengosëse se Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim është zbatuar vetëm gjysma apo zbatim gjysmak.
Po aq apo më pak se gjysma janë implementuar prioritetet nga programi ERA/I [Agjendës për Reforma Evropiane], i cili për dijeninë tuaj do të duhej të përfundonte në vitin 2017, ndërsa ne hymë në vitin 2020 ende me mbi gjysmën, pra me 10 prioritete të implementuar nga 22 të kërkuara për ERA/1 [Agjendës për Reforma Evropiane].
Unë do të doja që ta shpejtojmë këtë proces se humbëm shumë vite si në implementimin e MSA-së si në implementimin apo mos-implementimin nëse doni të ERA/I [Agjendës për Reforma Evropiane] dhe t’i japim një mundësi procesit integrues, ta rikthejmë në binaret e vërtetë.
Në programin tim, si ministër për Integrim Evropian, unë kam saktësuar tri priorite. Prioritet afatshkurtër është që brenda vitit të liberalizohen vizat, përkatësisht që qytetaret e Kosovës të lëvizin pa viza schengen në shtetet anëtare të BE-së.
Prioriteti afatmesëm është jo vetëm implementimi i MSA-së në nivelin e kërkuar, por edhe kalimi në ERA/2.
Kurse, prioritet afatgjatë është përgatitja e Kosovës, pra e dosjes së saj për të aplikuar për statusin e kandidati të BE-së, e cila besoj se do të mund të arrihet në fund të këtij mandati.