E hënë, 7 Tetor, 2024

Mësuesi i Kosovës ka 20 vite që është i zënë rob dhe i shantazhuar nga bandat

Shkruan: Nezir Kraki

Disa megjithatë presin që mësuesit e Kosovës të sillen sikur t’ishin mësues suedezë, d.m.th. pa arsye të forta për grevë, sikur të jetonin në një vend me moral social e politik. Çfarë marrëzie!

Jo o dashamirë, mësuesi i Kosovës ka 20 vite (pas luftës) që shikon i pafuqishëm se si injoranca ia shkatërroi edhe shkollat edhe shtetin. Tash është normale që e njëjta injorancë të mos ia kuptoj hallin.

Mësuesi i Kosovës ka 20 vite që është i zënë rob dhe i shantazhuar nga bandat që herë i kërkojnë favore « shkollimi » e herë e kërcënojnë me metoda ndëshkimi.

Edhe më zi…
Mësuesi i Kosovës ka 20 vite që me habi takon ish nxënësit e tij ngelës tash të kravatuar dhe me tituj akademikë, me rroga 5 deri në 10 herë më të larta se të tijën.

Mësuesi i Kosovës ka 20 vite që është shembull i durimit dhe i qytetarisë në një shoqëri të tejprishur nga apetiti personal.

Po pra, u bënë 20 vite që mësuesi i Kosovës endet kokëulur në shtetin ku shoferi i një kravate injorante çmohet më shumë sesa misioni fisnik i transmetimit të dijes.

Merreni me mend, sot fati i mësuesit është në dorën e ngelësve të tij, në dorën e kravatave injorante që shkollën e shohin si humbje kohe.

D.m.th., sot, mësuesi është i obliguar t’i kërkojë ndihmë dhe mirëkuptim injorancës.

Çfarë tmerri!

Të fundit