E diel, 3 Nëntor, 2024

Macron: Erdogan nuk e mbajti fjalën për konfliktin në Libi

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka akuzuar të mërkurën homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan se ka dështuar “në mbajtjen e fjalës” për t’i dhënë fund ndërhyrjes në konfliktin në Libi.

“Ne kemi parë në ditët e fundit anijet turke duke shoqëruar mercenarë sirianë që kanë arritur në tokën e Libisë”, ka thënë Macron në një takim me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis.

Pozicionimi “është shkelje e pastër e asaj për të cilën është zotuar presidenti Erdogan në konferencën e Berlinit”, ku liderët botërorë kanë premtuar se do të qëndrojnë larg konfliktit, ka thënë Macron.

“Është dështim i mbajtjes së fjalës”, ka thënë lideri francez.

Nga prilli i vitit të kaluar, Qeveria e Libisë, e njohur nga Kombet e Bashkuara në Tripoli, ka luftuar kundër luftëtarëve të komandantit të pozicionuar në lindje të shtetit, Khalifa Haftar.

Ndonëse qeveria e Fayez al-Sarrajt njihet nga Kombet e Bashkuara, fuqitë botërore janë të ndara rreth asaj se kush duhet ta udhëheqë këtë vend.

Kjo qeveri mbështetet nga Katari dhe Turqia, e cila së fundmi ka dërguar trupa në Libi për t’i ndihmuar Sarrajt.

Moska dyshohet se mbështet Haftarin, mirëpo mohon se financon mercenarë rusë në tokën e Libisë.

Më herët gjatë këtij muaji në Gjermani, presidentët e Rusisë, Turqisë, Francës dhe Egjiptit, bashkë me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe shefin e OKB-së, Antonio Guterres, kanë qenë pjesë e një samiti, në të cilin janë pajtuar për t’i dhënë fund ndërhyrjes në Libi.

Këto shtete janë pajtuar edhe për të zbatuar embargo në dërgimin e armëve në Libi, derisa të prezantohet ndonjë plan për dhënien fund të konfliktit.

Të fundit