Paketa antishpifje u prit me kundërshtime të forta dhe polemika të shumta mes qeverisë Rama dhe organizatave vendase dhe ndërkombëtare të gazetarëve.
OSBE-ja dhe Komisioni Evropian ngritën shqetësime për amendamentet e reja.
SHBA nuk janë shprehur deri tani publikisht për ligjin. Por i Ngarkuari me Punë i SHBA-vë në Shqipëri, Daniel Koski, në fjalën e sotme në konferencë e vuri theksin pikërisht tek rëndësia që ka liria e të shprehurit për një shoqëri demokratike, duke sjellë përvojën amerikane.
Në fjalën e tij, diplomati amerikan ndonëse nuk i permendi drejtpërdrejt ligjet e fundit për mediat, theksoi se në Shtetet e Bashkuara mbizotëron toleranca e mendimit ndryshe dhe jo kufizimi i të shprehurit.
“Ne amerikanët mbrojmë fjalën kritike, të çuditshme dhe fyese sepse toleranca është shenjë e forcës sonë. Duke lejuar fjalën fyese, përveç rasteve ekstreme, ne ngulim këmbë që shoqëria jonë të mos jetojë në frikën e fjalëve” – tha zoti Koski.
Po ashtu ai theksoi se përgjigja ndaj gjuhës së ulët dhe urrejtjes nuk duhet të jetë kufizImi i të shprehurit.
“Ne nuk mund ta pastrojmë shoqërinë nga fjalët e urrejtjes duke i shtypur ato. Ne besojmë se kundërshtimi më i mirë ndaj gjuhës së ulët dhe të urrejtjes është arsyetimi racional. Nëse gjuha e urrejtjes është helm – dhe është e tillë – arsyetimi është kundërhelmi” – tha diplomati amerikan, duke shtuar se “përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes është kundër-arsyetimi racional, është të shprehurit më shumë, jo më pak – zgjidhja ndaj urrejtjes janë më shumë lapsa, jo goma”.
Ndërsa Presidenti Meta tha se liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm, gazetarët iu kthyen pas shumë vitesh protestave në mbrojtje të lirisë së shprehjes, sepse shqetësimet e tyre nuk dëgjohen, ndërsa shumë pronarë e drejtues mediash përfitojnë nga fondet publike.
“As media, as gazetarët dhe as pedagogët nuk janë armiqtë nga të cilët duhet të ruhemi, ndaj ata nuk mund të trajtohen si të tillë. Përkundrazi!” – tha zoti Meta.
Sipas tij, vitet e fundit kanë qenë të shumta rastet, kur roli dhe kontributi i medias në denoncimin e aferave korruptive dhe veprimtarive kriminale, me pasoja të rënda për shoqërinë dhe ekonominë e vendit, ka qenë thelbësor.
“Nevojitet ruajtja e një balance të kujdesshme ndërmjet luftës ndaj gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes. Kufizimet ndaj gjuhës së urrejtjes nuk duhet të keqpërdoren me qëllim mbytjen e kritikës ndaj qeverisjes, e bindjes së ndryshme politike, e përkatësisë së besimit fetar, e kërkesës për llogaridhënie.” – tha Presidenti Meta.
Si në fjalimin e sotëm edhe në deklarime të mëparshme, presidenti Meta ka lënë të kuptohet se mund të kthejë pas në parlament për rishqyrtim paketën e ligjeve antishpifje.
Ndërsa kryeministri Rama deklaroi që edhe nëse presidenti Meta e kthen ligjet prapa, shumica socialiste do ti rimiratojë menjëherë, duke u përpjekur të mbyllë debatet mbi këto ligje, të cilat shumica e organizatave të gazetarëve i shohin si hapjen e periudhe të re censure dhe autocensure dhe dënime dhe mbyllje mediash.
VOA