E martë, 10 Dhjetor, 2024

ZGJEDHJET PËHERË SJELLIN PATRIOTIZMIN E RREJSHËM DHE “GASTARBAJTERËT” E SKENËS PUBLIKE

Autor: Xhelal Neziri

 

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut përherë sjellin dy gjëra, të cilat deri diku e çuditin qytetarin: patriotizmin apo nacionalizmin e rrejshëm dhe “punëtorët” sezonalë (gastarbajterët) të skenës publike.

Në vend të dashurisë ndaj përkatësisë etnike apo kombëtare, patriotizmi më tepër vjen si urrejtje ndaj tjetrit, që në fakt është shovinizëm. Kjo lloj “dashurie” përfshin një gamë të gjerë justifikimesh mashtruese që barten nga një cikë në ciklin tjetër zgjedhor. Kështu vendi mbetet vazhdimisht në një mjegull historike që nuk lejon shikim të qartë, nuk lejon të depërtojnë praktika të reja funksionimi shoqëror, politik, ekonomik dhe kulturor.

Është një mjegull e hershme e dendur që mbulon çuditërisht histori që prodhojnë konfliktualitet dhe destabilizim permanent. Brenda kësaj mjegulle ngritën metanarracionet e etnive të vendit që assesi të dalin në një rrafsh normal perceptimesh dhe zhvillimi. Me këto metanarracione të pakundërshtueshme historike thurën metastazat e korrupsionit dhe të gjitha abuzimet tjera të pushtetit.

Duket si një mpirje e qëllimshme që defokuson dhe që në esencë ushqen me hiperbola historike për të mbështjellë në fakt realitetin e zymtë të krijuar përgjatë një tranzicioni mbi 25 vjet. Çdo abuzim, krim, hajni dhe korrupsion lehtësisht mbështillet me këtë mjegull historike që më pas me shumë “lavdi” shitet te elektorati. Historikisht kështu ka qenë. Një përplasje metanarracionesh historike që vijnë edhe në këtë kohë me përmasat e të njëjtit mashtrim.

Pra, të gjitha konfliktet dhe mosmarrëveshjet në Maqedoninë e Veriut, poashtu edhe në Ballkan, kanë gjenezë historike. Nëse i lexon historitë e popujve të kësaj pjesë gjeografike të Evropës, jo që ka interpretime të ndryshme të ngjarjeve të mëdha historike, por mund të gjenden edhe glorifikime për ngjarje të paqena. Ballkani që moti ka qenë i ngatërruar në labirintet e historisë dhe ende prodhon histori dhe mite. Apo, siç ka thënë Winston Churchill, Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë. Atë që nuk arrin ta bëjë është të ndërtojë një të tashme dhe të ardhme, ashtu siç e ndërtuan gjermanët dhe francezët në kuadër të Bashkimit Evropian (BE), duke tejkaluar mosmarrëveshjet e shtresuara nga tri luftërave të përgjakshme. Problemi qëndron te mungesa e guximit të ballafaqimit me vetveten, me krimet e bëra gjatë historisë dhe me kërkimin e faljes në shenjë pajtimi.

Kthimi te nacionalizmi destruktiv (pasi nacionalizmi, si dashuri ndaj etnisë apo shtetit që i takon, mund të jetë edhe konstruktiv) paralajmëron se politikanët edhe më tutje do të tentojnë të mbajnë peng qytetarin e Maqedonisë së Veriut dhe perspektivat e tij. Kthimi në të kaluarën është injorim i së tashmes. Vajtimet pas dështimeve në të kaluarën dhe tentimi për t’i përmirësuar ato në të tashmen janë virtyte të një individi apo shoqërie të dobët dhe qyqare. Mësimet nga e kaluara të bëjnë më të arsyeshëm vetëm nëse e ndërton të tashmen dhe të ardhmen pa gabimet e së shkuarës. E tashmja dhe e ardhmja janë shans për të shkruar një histori më të mirë sesa ajo ekzistuese. Individët apo popujt që konsumojnë vetëm histori janë të destinuar t’i takojnë së shkuarës.

Politikanët rikthejnë nacionalizimin (destruktiv) para çdo cikli zgjedhor, pasi thonë se vetëm kështu mund të mobilizojnë masa. Ashtu është: nacionalizmi është mënyra më e suksesshme për mobilizim turmash rreth një projekti. Diktatorët më të mëdhenj që ka regjistruar historia janë pjellë e një nacionalizmi agresiv. Pushtimi i territoreve të fqinjëve, asgjësimi ose së paku urrejtja ndaj tjetrit është rruga më e sigurte e mobilizimit dhe udhëheqjes së një populli. Ajnshtajni nacionalizmin e ka quajtur “sëmundje infantile të njerëzimit”, Oruelli si “fuqi e bazuar në vetëmashtrim”, ndërsa Çomski e ka parë si “një mënyrë për të shtypur tjerët”.

Nacionalizmi, megjithatë, është treguar i dobishëm në disa fusha. Sipas hulumtimeve të Bankës Botërore, shtetet me nacionalizëm të theksuar kanë nivel më të ulët të korrupsionit dhe një ekonomi të zhvilluar. Përderisa pjesa më e madhe e shembujve tregojnë se nacionalizmi ka krijuar një lider të fuqishëm dhe miliona të sakrifikuar për të, shembulli i Norvegjisë ilustron të kundërtën. Në këtë shtet skandinav niveli i korrupsionit është zero kurse i zhvillimit ekonomik tepër i lartë. Nacionalizmi i tyre nuk i bën të tmerrshëm për të tjerët, por të ndjeshëm për çdo dëmtim të popullit që i takon dhe që ndjehet krenar për këtë.

Pa nacionalizëm konstruktiv, pra pa një dashuri ndaj shoqërisë që i takon, një qytetar i rëndomtë nuk do të reagonte edhe ndaj rasteve më eklatante të korrupsionit. Në vendet ku nacionalizmi është destruktiv, pra i urrejtjes së tjetrit, qytetari është kryesisht egoist – më shumë kënaqet me korrupsionin apo regresin te tjetri sesa me përparimin dhe çrrënjosjen e korrupsionit te populli që i takon. Pikërisht ky lloj nacionalizmi ka qenë shkaktar i tragjedive më çnjerëzore që i njeh njerëzimi.

Në fund, edhe për dukurinë e “punëtorëve” sezonalë. Ata janë njerëz që nxjerrin krye në publik vetëm kur ta mësojnë datën e zgjedhjeve. Kur nuk ka zgjedhje ata nuk bëzajnë për asgjë, bile i kanë “off” edhe profilet në rrjetet sociale. Në fakt, këto janë “viruset” e skenës publike që kontaminojnë hapësirën publike me goditje të ulëta partiake, e që akuzojnë tjerët si mbështetës të agjendave të partive oponente. Misioni i tyre mbaron kur të përfundojnë zgjedhjet. Do i durojmë deri atëherë./KDP

 

Të fundit