Parlamenti gjerman voton me 26 shtator për çeljen e negociatave. Për Shqipërinë pritet të vendosen kushte, ndërsa Maqedonia e Veriut mund t’i fillojë negociatat qysh në janar.
Bundestagu gjerman voton me 26 shtator për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Dokumenti që do të formulojë qëndrimin gjerman në Këshilllin e BE-së dhe është duke u finalizuar, do të hidhet në votim me kërkesë të dy grupeve parlamentare të maxhorancës qeveritare, Unioni Kristdemokrat dhe Unioni Kristsocial (CDU/CSIU) si edhe Partia Socialdemokrate. Aty është parashikuar që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet qysh në janar, ndërsa Shqipëria do t’i nisë ato vetëm kur të plotësohen disa kushte.
Sipas burimeve të DW në qarqet e grupit parlamentar CDU/CSU, bëhet fjalë pak a shumë për nëntë pika:
– funksionimi i Gjyktës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
– miratimi i reformës zgjedhore;
– implementimi i reformës zgjedhore;
– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;
– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;
– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,
– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;
– përparime në reformën e administratës publike;
– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Pritet vendimi i Francës
Këto kushte, të vendosura nga partia e kancelares Angela Merkel do të hidhen në votë nga depuetët e grupit parlamentar më 24 shtator. Në 25 shtator ato pritet të trajtohen në Komisionet përkatëse në Bundestag dhe më 26 shtator, në mbrëmje vonë, është parashikuar të mbahet një seancë plenare 45 minutëshe, në fund të së cilës do të merret vendimi me votë.
Pra, mesazhi nga Bundestagu gjerman pritet të jetë: Maqedonia e Veriut do t’i nisë qysh në janar kapitujt e parë të negociatave, kurs e Shqipëria duhet të presë edhe ca. Se a do të jetë qëndrimi i Gjermanisë i njëjti me atë të Këshillit të BE-së, më 17 tetor, kjo nuk dihet ende. Shumëçka varet nga presidenti francez, Emmanuele Macron, i cili deri tani është shprehur kundër zgjerimit para konsolodimit të BE-së. Vendimi i Gjermanisë sigurisht që e shton presionin ndaj presidentit francez. Kështu që nuk përjashtohet mundësia që ai të ndryshojë mendim në momentin e fundit. Vendet e tjera që janë kundër, siç është Holanda, ose skeptikë, siç është Danimarka, mund ta ndryshojnë qendrimin e tyre, nëse Franca jep “dritë të gjelbër”./DW