Analisti politik Xhelal Neziri, në një intervistë për gazetën në gjuhën maqedonase “Nezavisen”, ka thënë se partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë në Maqedoninë e Veriut janë në një krizë të rrezikshme koncpetuale dhe se duhet t’i qasen seriozisht procesit të reforma të thella kadrovike dhe programore.
“BDI duket se ka një krizë ideologjike, mbase edhe programore. Duket si një parti që nuk ka më një qëllim të qartë të ekzistencës politike. Opozita shqiptare nuk arriti ta mund BDI në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2016 dhe ato lokale në tetor të vitit 2017 për një arsye – mungesën e kapaciteteve koalicionuese. Asnjëri nga liderët e këtyre partive nuk ka marrë përgjegjësinë për këto dy dështime zgjedhore”, ka thënë ai.
– Sa po ndikojnë bombat e publikuara nga El Cheka në dobësimin e BDI-së?
Neziri: Nuk ndikojnë aq shumë në dobësimin e BDI-së si parti. Pjesa më e madhe e atyre përgjimeve janë thjeshtë biseda private, pa ndonjë prekje me interesin publik, biseda që çdokush mund t’i bëjë çdo ditë me persona të afërt. Mund të diskreditojnë ndonjërin nga figurat që shfaqen në përgjimet, por jo të dëmtojnë në masë të madhe partinë. Do të ishte storje tjetër nëse ato bomba do të flisnin për praktika korruptive dhe nëse të njëjtat do të publikoheshin nga një adresë e besueshme.
– Anketa e fundit tregon se dallimi mes BDI-së dhe Aleancës është vetëm 1 përqind?
Neziri: BDI duket se ka një krizë ideologjike, mbase edhe programore. Duket si një parti që nuk ka më një qëllim të qartë të ekzistencës politike. Kjo gjendje bëhet edhe më e dukshme pas miratimit të ligjit të gjuhëve dhe zgjidhjes së çështjes së emrit. Kjo parti thjeshtë ngeli pa dy kauzat e mëdha, ndërkohë që nuk ka kapacitet të punojnë në kauzat “e vogla”, konkrete që prekin drejtpërdrejtë qytetarin shqiptar dhe jo vetëm. AA ka ngritje, por jo të mjaftueshme për ta mundur e vetme BDI. Edhe kjo parti ka mungesë vizioni dhe strategjie politike dhe duket si parti sezonale që trajton dhe merret me incidente ditore, e jo me projekte në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë.
– Në ç’formë mundet BDI të forcohet dhe të vazhdojë rrugën drejt fitoreve të reja?
Neziri: BDI mund të forcohet vetëm nëpërmjet një reforme të thellë brenda strukturave të saj, duke lënë jashtë të gjithë ata që partinë e shohin përmes prizmit të tenderave, e duke u dhënë hapësirë atyre që vërtetë besojnë në idenë politike.
– A mendoni që opozita shqiptare po e kryn detyrën ashtu siç duhet?
Neziri: Opozita shqiptare nuk arriti ta mund BDI në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2016 dhe ato lokale në tetor të vitit 2017 për një arsye – mungesën e kapaciteteve koalicionuese. Asnjëri nga liderët e këtyre partive nuk ka marrë përgjegjësinë për këto dy dështime zgjedhore. Një film i parë në dekadën e kaluar me PDSH, nga e cila në fakt edhe doli AA për shkak se nuk merrej përgjegjësi për humbjet. Duket se ky sindrom ka kapur AA dhe BESAn. Mendoj se për të fituar zgjedhjet duhet të kemi ndryshime të krerëve të AA dhe BESA, me ç’rast do të vinin liderë që do të jenë të gatshëm për koalicione në interes të përbashkët, e jo për inate personale.