E diel, 13 Tetor, 2024

DILEMA NDAJ DIALOGUT MAQEDONASO – BULLGAR (2)

Dymbëdhjetë vjet më parë kam botuar një tekst të cilin e titullova “Dilema e unitetit kombëtar maqedonas”, i cili u mor dhe u citua brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht në Bullgari. Për ata të gjeneratës së internetit të cilët nuk e kanë lexuar atë, e botoj përsëri në Inbox, si një shtojcë për dialogun Maqedoni-Bullgari i cili vijon. Këtë e bëj me sugjerimin e një miku dhe kritiku, për t’i ribotuar disa prej teksteve të cilat i kam shkruar për “Utrinski Vesnik”, para dy dekadash.

 

Shkruan: Denko Maleski

 

Lindi një komb i ri

Anglezët gjithmonë kanë shkaktuar varësi tek adhuruesit e kombeve dhe racave të pastra në mbarë botën. Kanali detar prej 22 miljave, që e ndan Britaninë nga Kontinenti, ishte një kështjellë natyrore që i mbronte ata nga kontakti me kombet e tjera evropiane, duke ruajtur kështu pastërtinë e racës anglosaksone. Kjo, sigurisht, është thjesht një trillim i zakonshëm.
Historianët pedantë britanikë me një faktografi të paepur i rrënojnë paragjykimet e zakonshme rreth një kombi të pastër anglosakson. Popullata e parë nuk është nga anglosaksonët, por me origjinë të Iberisë. Fiset e ndryshme keltike depërtojnë nga kontinenti në ishull, kështu që kur romakët pushtuan në vitin 43 para erës së re, ata hasën popullata të përziera. Nuk ishin në gjendje të konsolidonin pushtetin e tyre mbi ato zona të Ishujve britanikë, të cilat për shkak të terrenit malor ishin të paarritshme, romakët e organizuan jetën e tyre ekonomike dhe politike në fusha. Kështu ishte 400 vjet, dhe pas shkatërrimit të Romës dhe tërheqjes së legjioneve romake, imazhi i kaleidoskopit etnik tashmë është i ndryshëm. Aty ku qeveria romake nuk mund të kryhej në mënyrë efektive dhe ku nuk kishte përzierje në popullatën lokale keltike, zhvillohet identiteti skocez, uellsian dhe irlandez, ndërsa keltët romanikë u bënë britanikë. Por kur britanikët angazhuan një fis gjerman të quajtur saksonë, për t’i mbrojtur ata nga keltët luftarak malor, u hap procesi i kryqëzimeve të reja etnike. Përveç saksonëve, vijnë fiset e tjera gjermane, ashtu siç ishte edhe ai anglesëve. Në shekujt që pasuan, vikingët dhe danezët depërtuan në ishujt, dhe në vitin 1066 këta njerëz verior fituan betejën e famshme të Hejstings, dhe udhëheqësi i tyre, Uilliam Pushtuesi, krijoi fuqinë e tij mbi anglezët dhe banorët e Uellsit. Kaq për pastërtinë e racës anglo-saksone.

Pa barriera natyrore që do t’i ndanin popujt, baticat dhe gjiret politike në Evropën Lindore dhe Ballkan, me forcë dhe në vazhdimësi historike i zhvendosën kufijtë dhe i përzien popujt. Kufijtë e shteteve në atllasin politik të rajonit papritmas vijnë në jetë, herë duke u zgjeruar e herë duke u ngushtuar, nëse gishti që mban faqet e librit lejon ata të bien me shpejtësi.
I pashpjegueshëm është fenomeni që, në kundërshtim me faktet e jetës, ne në Ballkan të gjithë jemi të pastër për nga gjaku – grekë, bullgarë, serbë, shqiptarë, maqedonas … Kështu i përjetojmë historitë tona kombëtare të Ballkanit – sikur nga kohët e lashta vetëm kombi ynë ka jetuar në një territor, sikur të mos kishte kryqëzime etnike dhe sikur imazhi i kaleidoskopit etnik mbeti i mbërthyer në kohë. Për ne maqedonasit, që nga koha e Lekës së Madh, nëse është e nevojshme. Një qasje e tillë e ngurtë për të kaluarën është burimi i shumë konflikteve tona, me veten dhe me pjesëtarët e kombeve të tjera. Duke e hedhur poshtë realitetin etnikisht të përzier, ne shkruajmë flamujt tanë kombëtarë në sloganin “Një komb, një territor, një fe, një histori”. Në bazë të sjelljes tonë të këtillë është frika për mbijetesën personale që është produkt i historisë brutale të pastrimeve etnike dhe luftërave vëllavrasëse në Ballkan. Shpëtimi, sado që të tingëllojë si paradoks, sërish dhe sërish e kërkojmë në përsëritjen e historisë. Ku është dalja?

Breht e ka një poemë të mrekullueshme kushtuar ndërtuesve të Murit kinez. Në të ai thotë se historia vazhdimisht flet për dinasti dhe mbretëri, për epoka dhe data të njohura të rëndësishme për ndërtimin e Murit, por asnjëherë për njeriun e zakonshëm. Për punëtorin i cili ka tërhequr gurë, për kuzhinierin i cili ka përgatitur ushqimin, për gratë dhe fëmijët e tyre, për ndjenjat, gëzimet dhe vuajtjet e tyre… Më duket se ne të gjithë në Ballkan duhet të bëjmë një kthesë kopernikane në mendjet tona dhe në vend se të mendojmë vetëm në kategori të kombeve, territoreve, kufijve dhe datave historike, t’i kthehemi njeriut. Mbase historitë për fatet njerëzore të cilat me siguri tregojnë më shumë për kombe se sa anasjelltas, do të na bëjnë më tolerantë ndaj pjesëtarëve të kombit tonë dhe atyre të kombit apo një ideologjie tjetër. Një fillim i mirë për ne maqedonasit etnikë është të krijojmë një pamje tolerante të historisë tonë. Kjo nuk është e lehtë për shkak se plagët janë të freskëta, kështu që ajo që ju ka ndodhur anglo-saksonëve mijëra vjet më parë, neve na ka ndodhur gjatë njëqind vjetëve të fundit. Por kjo pamje e tillë tolerante do të na lejojë të shohim se ndërrime dramatike tektonike në hartën politike të shkaktuara nga rivalitetet fuqive rajonale dhe fuqive të mëdha botërore në Ballkan e kanë determinuar sjelljen e popullit tonë, dhe se kjo sjellje nuk mund të kuptohet jashtë kontekstit politik në të cilin ata i hodhën ngjarjet. Nëse e gjithë kjo tingëllon shumë abstrakte, këtu janë dy tregime si ilustrim.

Historia e parë. Në të tridhjetat e shekullit të kaluar, në përplasjet që zhvilloheshin nëpër rrugët e Sofjes midis fraksioneve të bullgarëve maqedonas, historianët bullgarë gjithashtu vunë në dukje këtë episod. Në mbrëmjen e 23 shkurtit 1933, Hristo Alivantov hyn në një dyqan në Rrugën “Pirotska” ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij janë vendosur në hyrje. Me një revolver në dorën e tij, ai me vendosmëri niset drejt tezgës me qëllim që të kryerjes edhe një tjetër vrasje politike dhe ta likuidojë pronarin. Pronari i dyqanit, Shentev, i cili, nën gazetën e përhapur në tezgë, mbante gjithnjë revolver, fillon të shtënat i pari dhe për vdekje e qëllon Hrsiton. Të nesërmen, gazetat në mënyrë rutinore regjistruan edhe një tjetër viktimë e “vrasjeve maqedonase”, kësaj radhe si një përballje midis mbështetësve të Vanço Mihaillov dhe gjeneralit Protugerov. Askush nuk pyeti kush në të vërtetë  është Hristo Allivantov? I lindur në Gumenxha, në shtetin e quajtur Mbretëria e Greqisë, Hristo ishte një njeri i ri inteligjent dhe rebel. I mobilizuar në ushtrinë greke, duke shërbyer një shërbim ushtarak në kufijtë drejt Turqisë. Atje, në vendin Çirikej, ai e njofton greken e bukur 16 vjeçare, me vetulla të trasha trake, Elena Angelu, dhe e çon në vendlindjen e tij si gruan e tij. Kur në shenjë zemërimi godet një oficer grek, miqtë e tij e transferojnë atë përtej kufirit dhe e strehojnë atë në Sofje. Atje, Elena lindi dy fëmijë, Maria dhe Ivan, dhe shumë shpejtë ajo vdes nga tuberkulozi. Hristo i çon fëmijët e tij në jetimoren në Sofje “Manastiri” financiarisht e ndihmuar nga perandoria. Ai punon si berber, por pasioni i tij është Maqedonia, për të cilën vret deri sa ai të vritet.

Historia e dytë. Në Strugë, në shtetin e quajtur Mbretëria e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, në vitin 1919 lindi Vllado Maleski. Djalë i mërgimtarit Kërste, i cili bukën e gojës e nxori si furraxhi në Shkodër ku Vllado shkon në shkollë fillore shqiptare. Si bursist i qeverisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, mëson në gjimnazin serb në Manastir, ndërsa më pas studion drejtësi në Beograd. Që në Manastir lidhet me lëvizjen komuniste, ndërsa pas kapitullimit të Jugosllavisë në vitin 1941 kthehet në vendlindje dhe organizon kryengritje. Me kitarën në dorë, gjithmonë i disponuar për këngë.

Vllado, pasioni i së cilit, gjithashtu bëhet Maqedonia, burgoset nga autoritetet serbe për shkak se e ka kënduar këngën për Mile Pop Jordanov. Në pritjen e Vitit të Ri 1942 në Strugë, miqtë për herë të parë e dëgjojnë kompozimin e tij, “Sot mbi Maqedoninë lind…”

Pas arrestimit të dytë, kësaj radhe autoritetet bullgare, përkohësisht përfundon në Sofje, ku në një mensë e takon vajzën gjashtëmbëdhjetëvjeçare të Hristos nga Gumenxha, Maria Alivantova, me vetullat e njëjta trake të nënës së saj.  “Unë jam prej tanëve”, kanë qenë fjalët e para të njoftimit. Gjatë largimit tek radhët e partizanëve, Vllado i ka premtuar Marias se nëse mbetet i gjallë do të vijë sërish në Sofje dhe do ta marrë për grua. Kështu edhe ndodhi. Pas përfundimit të luftës niset për në Sofje dhe e sjellë nusen përmes kufirit në Republikën Popullore të Maqedonisë, pjesë e shtetit të quajtur Republika Popullore Jugosllavisë, federatë “e popujve dhe kombeve të barabarta”.

Ja, këto janë dy histori, dy të vërteta për Maqedoninë. Një natë në vitin 1946, duke kaluar përmes Urës së Gurit në Shkup, Vllado i thotë Marias: “Sikur të ishte gjallë babi yt, ne do të ishim armiq”. Sot nuk janë gjallë as gjyshi im, Hristo Alivantov, as babai im Vllado Maleski, por kombi i ri lindi. A është e mundur në Ballkan të mos ketë më armiq, ndërsa ne të mos jemi të vetëdijshëm për këtë?!

 

*Tekst i publikuar në “Utrinski vesnik”, në vitin 2003. Marrë nga Inbox7.mk

Të fundit