E shtunë, 18 Maj, 2024

LISTAT E HAPURA, NJË FUND PËR TRIBALIZMIN POLITIK

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

 

Tranzicioni i përjetshëm ka prodhuar dhe etabluar parti politike që në essence janë autoritare. Përkundër akronimeve demokratike, fuqia vendosëse politike i është atribuar liderit si një lloj arketipi autoritar që ka mbajtur gjallë “kohezionin” e vetëkërkuar në organizimin partiak. Fuqizimi enorm i liderit mbetet fenomen tipik ballkanik. Një shembëlltyrë reflektuese autoritare që dikton çdo lëvizje politike brenda partisë, nganjëherë edhe në format tipike si një lloj mbinjeriu i gjithëdijshëm.

Ky fuqizim në asnjë rast nuk ka qenë i njëanshëm, përkundrazi është stimuluar dhe ushqyer nga rrethet partiake shpeshherë me vetëdije tribale. Një maje piramide që është ushqyer nga maja piramidash më të vogla tërësisht të nënshtrueshme ndaj hijes së projektuar nga poshtë si mundësi për një ekzistencë të përhershme politike dhe privilegjesh.

Me kohë në Maqedoninë e Veriut është krijuar modeli shterp i lider-partisë si formë e organizimit politik, por edhe si logjikë “demokratike”. Me shumë pak përjashtime në periudha të caktuara funksionimi partia-lider ka qenë koncepti i vetëm i përqendrimit të fuqisë politike vetëm te një njeri dhe disa përreth dhe si e vetmja semantik politike në hapësirën e demokracisë.

Ky recidiv konceptual nga kohërat e mëhershme të njëmendësisë ky lloj i strukturimit të subjekteve politike ka prodhuar njeriun-parti, kulturën-parti, shoqërinë-parti dhe në fund shtetin parti. Kjo mungesë e kulturës demokratike, në vend të konkurrencës së ideve ka prodhuar adhurimin servil dhe dëgjueshmërinë shpeshherë injorante në ngjitjet drejt majave të piramidës së fuqisë politike.

E verbër në esencë dhe e pakompromis në ambicien makiaveliste kjo fuqi politike tërësisht ka qenë e dehumanizuar dhe e vënë gjithmonë në funksion të akrabave partiako-familjare.
Të gjitha partitë pa përjashtim e kanë ushqyer këtë arketip politik klanor në dobi të oligarkive të brendshme dhe në dëm të reflektimit demokratik. Kjo matricë anakronike dhe kuazidemokratike gjithnjë ka filluar nga listat zgjedhore, aty ku realisht është bërë përzgjedhja e dëgjueshmërisë partiake dhe e devotshmërisë ndaj hijeve autoritare. Këto lista mëpastaj kanë prodhuar uniformitetin dhe kënetëzimin e partive politike, duke qarkulluar në çdo stinë zgjedhore fytyrat e njëjta të mërzitshme që janë shitur pastaj si vlera të vetme partiake.

Kjo mbyllje autoritare dhe klanore e forcuar gjithnjë nga rrethe partiake të etabluara në “përjetësinë” e privilegjeve ka pamundësuar disperzimin e funksioneve dhe të pushtetit në shtresëzimet tjera që nuk janë udhëhequr nga kjo logjikë tribale. Sistemi zgjedhor me lista të mbyllura dhe me gjashtë njësi zgjedhore i ka bunkerizuar partitë dhe tërësisht i ka mbyllur ndaj vlerave të reja. Vlera të reja në këtë rast nënkuptohen njerëzit me prurje të reja dhe jo fytyra të reja që shelbohen nga e njëjta logjikë tribale. Ky sistem zgjedhor gjithashtu ua ka bërë të pamundur partive politike më të vogla që të përfaqësohen, që në fakt paraqet një vlerë të shtuar për demokracinë. Ky sistem ka përligjur pluralizmin politik vetëm si formë, ndërsa në esencë ka favorizuar elitat politike dhe zgjatimet oligarkike.

Ideja për lista të hapura zgjedhore e promovuar nga presidenti i shtetit Pendarovski mbetet një mundësi për të zhbërë bunker-partitë që përmes dëgjueshmërisë ndaj lidershipit përcjellin gjithë ndryshkun disavjeçarë në institucionet e shtetit dhe përgjithësisht në shoqëri. Ky model zgjedhor me lista të hapura dhe me një njësi zgjedhore do të krijonte mundësi për dekonstruim të fuqisë politike, por mbi të gjitha do të mundësonte që qytetarët të zgjedhin përfaqësues të denjë dhe me vlera, përkundër zgjedhjes së deritashme që është servuar vetëm si fanelë partiake nga maja e piramidës së lidershipit dhe zgjatimeve tjera të tribalizmit politik.

Ky model do të ishte fillimi i fundit për njeriun-parti, institucionin-parti dhe shoqërinë-parti. Demokratizimi i mirëfilltë duhet të fillojë nga partitë politike, të cilat mbeten bartëse të jetës institucionale. Nëse ky demokratizim nuk bëhet me vetëvullnet që realisht gjithnjë është një utopi për kulturën tonë politike, atëherë një gjë e tillë duhet bërë nëpërmjet presionit qytetar dhe mekanizmit institucional që nënkupton ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Ka ardhur koha të kalohet në një fazë tjetër prurjesh politike dhe demokratike që janë degdisur margjinave. Hijet e partive të bunkerizuara nuk guxojnë tashmë të mbajnë të bllokuara vlerat shoqërore dhe modelin e përfaqësimit të dinjitetshëm dhe me integritet njerëzor. Vendimet autoritare duhet t’ua lëshojnë vendin vendimeve të debatueshme dhe profesionale. Politika përfundimisht duhet të hapet ndaj ndjeshmërive tjera institucionale dhe demokratike. Lider-partitë tashmë duken të lodhshme si vetë periudha e tranzicionit të lodhshëm që ka prodhuar vetëm adhurim dhe dëgjueshmëri partiake. Politika dhe demokracia është më tepër se kaq. Mbase edhe kjo mund të jetë një utopi!

 

Marrë nga Inbox7

Të fundit