E hënë, 1 Korrik, 2024

MAQEDONIA (E VERIUT) NËN LLUPË

Në letërsinë shqipe, po edhe atë maqedonase, të shekullit të kaluar, ka dy drama që ngërthejnë temën e njëjtë: “Vëllazëri për interes” dhe “Парите се отепувачка”! Prandaj gjithçka me karar! Për shkak se numrat, ndonjëherë dinë të mashtrojnë, njësoj si dhe përqindjet! Njeriu nuk duhet të shkojë as në Uashington e as në Bruksel, po as në Londër, Berlin a Paris, për ta kuptuar këtë!

Shkruan: SELADIN XHEZAIRI

Përmendja e Marrëveshjes së Ohrit dhe e Traktatit të Miqësisë me Bullgarinë, në kontekst negativ, nga ana e fituesit absolut të zgjedhjeve të fundit (presidenciale e parlamentare) – VMRO-DPMNE-së, duket se (së bashku me rezervat ndaj Marrëveshjes së Prespës) do ta vënë pushtetin e ri përballë sfidave, për të mos thënë problemeve, serioze: Edhe shkencërisht është e shtjelluar se shtetet me përbërje shumetnike e shumëkonfesionale  janë përballur historikisht me probleme të natyrës etnike, religjioze, gjuhësore e të përfaqësimit dhe, për pasojë, zgjidhjet e ofruara përmes vendosjes së sistemit federal apo unitar, kanë bërë  që kundërshtitë mbi këto baza të amortizohen sado-kudo.

Më anë tjetër, tendenca që nuk është se nuk është paralajmëruar dhe që nuk duket në horizont – për “Maqedonia e maqedonasve dhe toka e bujqve” e dëgjuar edhe në legjislaturën e re parlamentare, sikur paralajmëron se Maqedonia e Veriut do po i afrohet një vorbulli të ri të krizës dhe kjo si rezultat i dehjes (së VMRO-DPMNE-së) nga fitoret bindëse.

Politika është, mbi të gjitha – interes! Koalicionimet, për pasojë, janë – art i së mundshmes! Kjo, natyrisht se vlen kur në vend(shtet) mbretërojnë rrethana normale dhe kur veprohet konform rregullave të lojës. Vendimi i VMRO-DPMNE-së (i ndihmuar nga VLEN dhe “dy-tri grupet e zjarrit” brenda LSDM-së dhe Kryeministri i Kosovës) për të çuar në opozitë BDI-në e Ahmetit, duket se edhe para betimit në parlament të qeverisë Mickoski, lë shumë fije dyshimi: Përtej polemikave për legjitimitet të pastër etnik (vallë e ka apo e kanë pasur këtë deri tani edhe LSDM-ja, edhe VMRO-DPMNE-ja?), riorganizimi i Qeverisë, zhveshja e disa ministrive nga “dhjami i tepërt i deritashëm” dhe mbajtja për vete, si dhe kënaqja e partnerit shqiptar me “kafshata” që çuditërisht u kapërdihen, plus caktimi i një politikani të debatueshëm në ballë të ministrisë së komuniteteve (Ivan Stolikoviqit), janë veprime prej inati(?!) të mandatarit Hristijan Mickoski të cilat, si të tilla, nuk është se kanë për të prodhuar stabilitet as brenda koalicionit të ri qeverisës. Kjo, jo se jo, por mund të pjellin edhe kriza të reja në funksionimin e të gjitha levave të pushtetit. Koalicionet janë një biçim martese për interes, me detyrime për të dyja palët. Shi për këtë, tendenca për të vënë nën llupë Marrëveshjen e Ohrit (e cila tashmë është bërë normë kushtetuese, ligjore) do të shpërfaqë edhe çështjen e përdorimit zyrtar të cilësisë së gjuhës shqipe, atë të punësimeve, ndarjes së pushteteve, e pse jo edhe të pasurive (ekonomike).

Ma thotë mendja se kreu i VMRO-DPMNE-së është dashur të trajtojë më mirë partnerin e ri qeverisës VLEN, jo vetëm për hatrin e kryetarit të deritashëm të Gostivarit, por edhe të, pse të mos e themi, Kryeministrit të Kosovës!

Sot shqiptarët(deputetët) nuk e bënë të diskutueshëm intonimin e himnit gjatë seancës inauguruese parlamentare të Presidentes së re të Maqedonisë (së Veriut, natyrisht!), por nesër edhe do të mund ta rihapin debatin. Për argument mbase mund të shërbejë edhe deklarata e Spikerit të ri të Parlamentit se – si ai s’ka kush e do Maqedoninë – më së shumti!

Dua të them, “shqiptarëve të ndershëm” askush nuk ua ka pa hairin. Në letërsinë shqipe, por edhe atë maqedonase, të shekullit të kaluar, ka dy drama që ngërthejnë temën e njëjtë: “Vëllazëri për interes” dhe “Парите се отепувачка”! Prandaj gjithçka me karar! Për shkak se numrat, ndonjëherë dinë të mashtrojnë, njësoj si dhe përqindjet! Njeriu nuk duhet të shkojë as në Uashington e as në Bruksel, po as në Londër, Berlin a Paris,e lëre më në Beograd e Moskë, për ta kuptuar këtë!

Të fundit