E shtunë, 20 Korrik, 2024

QEVERIA PROPERËNDIMORE ME ZËVENDËSKRYEMINISTRIN PRO-RUS

Shkruan: Xhelal Neziri 

Lideri i Partisë Demokratike Serbe (PDS) në Maqedoninë e Veriut, 62-vjeçari Ivan Stoilkoviq, është në listën e mandatarit për formimin e qeverisë së re, Hristian Mickoski. I zgjedhur si deputet nga viti 2002, Stoilkoviq i propozohet Parlamentit të marrë detyrën e zëvendëskryeministrit dhe Ministrit për Marrëdhënie midis Bashkësive Etnike, një resor që u ngri mbi Sekretariatin e Zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Duke marrë parasysh shumicën e qëndrueshme që Mickoski i VMRO-DPMNE-së e ka bashkë me partnerin shqiptar në koalicionin qeverisës, duket se në seancën e së shtunës edhe Stoilkoviq do të marrë votat e nevojshme nga deputetët për t’u ulur në karrigen ministrore.

Gjithçka do të ishte në rregull nëse Stoilkoviq nuk do të ishte i njohur për qëndrimin e tij kundër BE-së dhe NATO-s dhe kundër Marrëveshjes së Ohrit, dokument që ndali konfliktin e vitit 2001 midis kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare, të cilën ai do të duhet ta zbatojë e kultivojë.

Përveç kësaj, Stoilkoviq njihet edhe si një përkrahës i madh i Rusisë. Ai është i ftuari i rregullt i të gjitha manifestimeve nga Ambasada e Federatës Ruse në Shkup si dhe nga ana e Kremlinit. Më 25 maj të vitit 2023 Stoilkoviq ishte në vizitën e fundit në Moskë për të marrë pjesë në Forumin e Sigurisë. Midis të ftuarve nga Ballkani ishin edhe presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, drejtori i atëhershëm Agjencisë Serbe për Siguri dhe Informacion dhe ministër aktual i Serbisë, Aleksandar Vulin. Stoilkoviq është pjesëmarrës i rregullt i Forumit të Sigurisë që nga viti 2019, i organizuar nga Nikolai Patrushev, njeri i afërt i presidentit rus Vlladimir Putin dhe kryetar i Këshillit të Sigurimit të Rusisë. Putin zakonisht mban video-fjalime, ku akuzon Perëndimin për tendenca për dominim dhe bën thirrje për ndërtim të aleancave për një rend të ri botëror.

Stoilkoviq ishte shumë aktiv gjatë krizës politike dhe të sigurisë në Maqedoninë e Veriut në periudhën 2015-2017, e shkaktuar nga publikimi i përgjimeve nga opozita. Pas ndryshimit të qeverisë së VMRO-DPMNE, ku bënte pjesë edhe PDS, Stoilkoviq filloi një fushatë në Serbi për të alarmuar opinionin atje për “shtypjen e të drejtave të serbëve në Maqedoninë e Veriut”. Nga dokumentet e publikuara në vitin 2018 nga OCCRP, thuhej se Stoilkoviq ka qenë në koordinim me agjentin e BIA-s në Shkup, Goran Zhivaljeviq, me qëllim që të nxisin protesta për të pamundësuar rotacionin e pushtetit në vitin 2017.

“Hej, unë jam duke pritur (Lazanskin) dhe e informova për rubrikën që ai duhej të shkruaj sot në gazetën e përditshme Politika (të Serbisë). Ne do të shohim protestat dhe pastaj kur të shkojmë të ulemi diku sonte, unë do t’ju telefonoj”, citohet t’i ketë thënë Stoilkoviqi Zhivaljeviqit, sipas një transkripti të publikuar nga KRIK, Nova TV dhe OCCRP. Në protestat e 27 prillit të vitit 2017, kur turma e protestuesve u fut në Parlament dhe sulmoi deputetët e shumicës së atëhershme parlamentare, midis turmës së tërbuar u pa edhe vetë Zhivaljeviqi. Stoikoviqi, si deputet, ishte brenda Parlamentit dhe kuptohet se nuk ishte cak i turmës.

Në mars të vitit 2022, vetëm pas një muaji nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, para deputetëve të Maqedonisë së Veriut u gjet një Deklaratë për mbështetje të Ukrainës. Stoiljkoviq votoi kundër deklaratës dhe ishte njëri nga tre deputetët që nuk mbështeti Ukrainën. Atij iu bashkuan deputetët e LEVICA-s, Dimitar Apasiev dhe Borisllav Krmov.

Në një postim në Facebook pas votimit, Stoilkoviqi e arsyeton votën e tij kundër me këto fjalë: “Pas tre dekadash akumulimi të problemeve në marrëdhëniet SHBA-Rusi, Rusia vendosi t’i përgjigjet politikës së shkatërrimit konstruktiv, duke nisur kështu një fazë të re në marrëdhëniet e tyre të ndërsjella. Shtetet e Bashkuara, me shkeljen e përhershme të rendit juridik ndërkombëtar dhe marrjen e rolit të hegjemonit botëror, dhe përmes politikës së vazhdueshme, kryesisht të dhunshme të zgjerimit të NATO-s – që përfshin përpjekjen për të tërhequr Ukrainën në pakt – ka krijuar zyrtarisht një situatë të papranueshme të sigurisë për Rusinë dhe përgjigja, pra reagimi i Federatës Ruse ishte i pritshëm, si pasojë e modelit të mëparshëm të marrëdhënieve me Perëndimin të imponuar prej vitesh”.

Më 5 maj të vitit 2021 Stoilkoviqi reagoi ashpër ndaj dëbimit të një diplomati rus.

“Rusia tregon dashuri dhe inteligjencë të madhe krishtere dhe nuk iu përgjigj në mënyrë të duhur vendimit maqedonas, por e bëri këtë në mënyrë shumë parimore dhe kulturore, duke mos dashur ta vendosë Maqedoninë në një situatë që të mbesë pa përfaqësues diplomatik në Moskë. Në këtë kuptim, kjo është një “déjà vu” e së njëjtës situatë ku Maqedonia po përpiqet, nga njëra anë, t’i bëjë lajka Perëndimit dhe BE-së dhe të tregohet si aleati më besnik, dhe nga ana tjetër të demonstrojë forcë në para publikut vendas”, tha Stoilkoviq në një deklaratë për “Sputnik”-un serb.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të ketë 24 ministri, përfshirë edhe kryeministrin. Një ndër prioritetet e saja do të jetë integrimi në BE dhe vazhdimi i lidhjeve me Perëndimin. Presidentja e re Gordana Siljanovska-Dafkova, një kuadër i partisë së Mickoskit e zgjedhur më 24 prill në krye të shtetit, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Sigurisë në Gjenevë të Zvicrës, u deklarua hapur pro-Ukrainës dhe nënshkroi deklaratën në mbrojtje të sovranitetit të saj. Mickoski, ndërkaq, thuhet të ketë garantuar SHBA-në se do të vazhdojë ta ndihmojë Ukrainën si kryeministër i një vendi anëtar i NATO-s. Prania e Stoilkoviqit në kabinetin qeveritar pro-perëndimor pritet të prodhojë reagime në opinionin vendas dhe ndërkombëtar, gjë që mund ta bëjë Shkupin një partner jo shumë të besueshëm për Perëndimin.

Marrë nga The Geopost 

Të fundit