E mërkurë, 1 Maj, 2024

KONSULTIME NË OKB LIDHUR ME REZOLUTËN PËR SREBRENICËN

Konsultimet joformale për draft-rezolutën që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë do të mbahen sot, më 17 prill në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, u tha në ueb-faqen zyrtare të kësaj organizate, njofton REL, përcjell KDP.MK.

Takimi është thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe misionit të Shteteve të Bashkuara.

Kabineti i kryesuesit të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, dhe anëtari i Presidencës, Zhelko Komshiq, njoftuan para mbajtjes së konsultimeve joformale në Nju Jork, se të dy do të qëndrojnë në selinë e OKB-së më 17 prill për shkak të rezolutës së propozuar për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Ata shtuan se rezoluta e propozuar do të futet në agjendë në fillim të majit.

Në draft-rezolutë, në të cilën ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, kërkohet që të dënohet çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe inkurajohen anëtarët e OKB-së që të ruajnë faktet e vërtetuara dhe të zhvillojnë program të duhura përmes sistemeve të tyre arsimore, në mënyrë që të parandalojnë revizionizmin dhe gjenocidin në të ardhmen.

Draft-rezoluta vë në pah rëndësinë e përfundimit të procesit të kërkimit dhe identifikimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe mundësinë që ata të varrosen në mënyrë dinjitoze.

Po ashtu, rezoluta e propozuar bën thirrje për vazhdimin e ndjekjes ligjore të kryerësve të gjenocidit.

Ndryshe, ditë më parë, Ministri i Punëve të Jashtme, I Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njoftoi se RMV i është bashkangjitur propozim-rezolutës për ta shpallur gjenocid masakrën në Srebrenicë, e cila pritet të votohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) më 2 maj.

Osmani njoftoi se Maqedonia e Veriut është një nga bashkësponzoruesit e rezolutës me të cilën kërkohet që 11 korriku të shpallet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës në vitin 1995 dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së, veçanërisht Serbisë, që të mbështesin atë rezolutë.

Osmani poashtu kërkoj që këtë rezolutë ta përkrahë edhe Serbia, pra të pranojë se ka kryer gjenocid, e në këtë mënyrë edhe të sigurojë se një gabim të tillë nuk do ta përsërisë më. E për këtë, politikanë nga Serbia dhe nga Republika Serpska kanë reaguar ashpër ndaj tij.

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, siç raportoj DW në gjuhën maqedonase, e ka vlerësuar atë akt si “paturpësi” dhe i ka bërë pyetje Osmanit – a dëshiron që bashkë me Serbinë të paraqesë rezolutë për gjenocidin e serbëve në Jasenovac?

Ky është cinizmi që ekziston në zonat tona, se është e rëndësishme të bëhet një politikë antiserbe dhe mbi të gjitha ne jemi të ftuar të marrim pjesë në të. A duhet të jemi në anën e nazistëve për t’u respektuar?”, tha Daçiq në TV B92, transmeton MIA.

Daçiq vlerësoi se këtë dokument do ta propozojnë edhe “vendet më të mëdha gjenocidale”.

Pse nuk ka rezolutë për gjenocidin gjerman kundër serbëve apo gjenocidin turk kundër armenëve apo serbëve në shtetin e pavarur të Kroacisë”, pyeti Daçiq, duke deklaruar se “Gjermania, Holanda dhe Belgjika kryen gjenocid kundër miliona njerëzve në Afrikë.”

Fjalë të ashpra kundër RMV-së erdhën edhe nga Aleksandar Vulin, ish-ministër serb i Mbrojtjes, i Brendshëm dhe drejtor i Agjencisë Serbe të Informacionit të Sigurisë (BIA) deri në nëntor 2023.

Serbia është i vetmi vend në kufi me Maqedoninë e Veriut, e cila kurrë nuk i ka kërkuar të ndryshojë emrin, historinë, rregullimin kushtetues apo gjuhën zyrtare”, tha Vulin.

Kur ata e quanin Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shkupin, ne i quanim Maqedoni. Ne ndamë ilaçet me ta gjatë pandemisë Covid, u dhamë rezervat tona të drithit, miellit dhe sheqerit dhe Kisha Ortodokse Serbe (SPC) i dha Kishës Maqedonase pavarësinë. Maqedonia e Veriut falënderoi serbët për gjithë këtë duke njohur të ashtuquajturën Kosovë, dhe tani me pjesëmarrje aktive në një rezolutë që duhet t’i shpallë serbët komb gjenocidal. Maqedonasit e veriut e dinë se vota e tyre nuk do të thotë asgjë, as kur është fjala për të vendosur emrin apo gjuhën e tyre, e aq më pak për serbët, kështu që ata së paku mund të përmbahen nëse nuk mund ta mbështesin Serbinë. Maqedonia e Veriut me të vërtetë duhet të ndryshojë gjuhën e saj përveç emrit dhe historisë, siç kërkojnë bullgarët, është vërtet budallallëk të përdorësh një fjalor në të cilin nuk ka fjalë për nder, mirënjohje, miqësi, liri, turp”, raporton Novosti deklaratën e Vulinit.

Në këtë drejtim, reagimi më i ashpër erdhi nga presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, se do të nisë “procedurën e shpalljes së pavarësisë” në përgjigje të rezolutës së propozuar.

Republika Serbska, në përgjigje të rezolutës për Srebrenicën, do të nisë një procedurë për pavarësi. Unë jam krenar për koalicionin qeverisës që po tregon vendosmëri për të zbatuar këto masa të pavarësisë. Me rezolutën për Srebrenicën, elita politike e myslimanëve boshnjakë i bëri vetes një “autogol” serioz. Gjenocidi në Srebrenicë nuk ka ndodhur, nëse do të kishte ndodhur, nuk do të kishte nevojë të përmendej vazhdimisht ajo temë. Gjykatat që kanë vendosur, ato gjykime vlejnë për individët, jo për njerëzit”, ka shkruar Dodik në Instagram.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë në Shkup, Bujar Osmani para mediave elaboroi tekstin e rezolutës në fjalë, e cila mes tjerash përmban paragrafet në vijim:

• Asambleja e Përgjithshme shpallë 11 korrikun si ditë ndërkombëtare për shënim, përkujtesë, dhe komemorim të gjenocidit në Srebrenicë në vitin 1995, dhe i njëjti të shënohet çdo vit.

• Dënon pa rezervë çdo mohim të gjenocidit dhe i fton të gjithë anëtarët e Kombeve të Bashkuara t’i ruajnë faktet dhe t’i distribuojnë ato dhe t’i prezantojnë ato nëpërmjet sistemit arsimor duke zhvilluar programe të veçanta për kujtim me qëllim të parandalimit të revizionizmit dhe përsëritjes së gjenocidit.

• Dënon pa rezervë të gjitha aktet e glorifikimit të të dënuarve për gjenocid, përfshirë edhe ata në Srebrenenicë.

• Thekson rëndësinë për kompletimin e procesit të identifikimin dhe gjetjes të viktimave.

• I fton të gjitha vendet anëtare që të respektojnë obligimet e tyre në konform konventave dhe t’i dënojë të gjithë ata që i thejnë këto obligime. Fton Sekretarin Gjeneral të Kombeve të Bashkuara të etablon një program të veçantë të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicën.”

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodi dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.

Të fundit