E martë, 21 Maj, 2024

VULIN I SANKSIONUAR NGA SHBA, PJESË E QEVERISË SË RE TË SERBISË

“Shtetet e Bashkuara nuk luajnë kurrfarë roli në vendimet kadrovike të Qeverisë së Serbisë. Jemi të dëshpëruar kur shohim dy persona të sanksionuar të propozuar për funksione në qeverinë e re. Qëndrimi ynë për z. Vulin dhe z. Popoviq është i mirënjohur. Ata mbeten nën sanksionet e SHBA”.  Ky është reagimi i Zyrës së Shtypit të Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë, menjëherë pas  publikimit të përbërjes së qeverisë së re serbe, – njofton kdp.mk

Qeveria e re e Serbisë do të përfshijë ish-shefin e zbulimit Aleksandar Vulin, një politikan që mbështet lidhjet e ngushta me Rusinë, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur non-grata. Njoftimi u bë të martën nga kryeministri i mandatuar për formimin e qeverisë së re, Millosh Vuçeviq.

Aleksandar Vulin do të shërbejë si një prej disa zëvendëskryeministrave, tha Millosh Vuçeviç, ndërsa njoftoi përbërjen e kabinetit të tij të ardhshëm, që pritet të votohet në parlament në ditët në vijim.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha për Zërin e Amerikës se, “Shtetet e Bashkuara nuk kanë rol në vendimet e qeverisë së Serbisë. Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozohen për poste në qeverinë e re. Qëndrimi ynë për zotin Vulin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara”.

Serbia po kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës, për shkak të sulmit të saj ndaj Ukrainës.

Përfshirja e Aleksandar Vulinit në qeverinë e re sugjeron forcimin e lidhjeve me Rusinë pavarësisht rrugës së shpallur zyrtarisht pro-Bashkimit Evropian nga Serbia.

Partia opozitare Lëvizja e Qytetarëve të Lirë tha se me përfshirjen e Aleksandar Vulinit në qeverinë e re “Serbia zyrtarisht nuk është më në rrugën evropiane”.

Partia Liberale tha se emërimi i tij paralajmëron “izolimin ndërkombëtar, konflikte në rajon, lidhje me Rusinë si dhe goditje për të gjitha liritë civile në vendin tonë”.

Në korrik, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Aleksandar Vulinit, duke e akuzuar atë për transport të paligjshëm armësh, trafik droge dhe keqpërdorim të posteve publike.

Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja tha se ai ka përdorur postin e tij, për të ndihmuar një tregtar serb armësh, të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, që të transportonte dërgesa të paligjshme armësh, përtej kufijve të Serbisë. Autoritetet amerikane e akuzojnë Aleksandar Vulinin për përfshirje në një rrjet trafiku droge.

Aleksandar Vulin dha dorëheqjen si drejtor i Agjencisë serbe së Zbulimit (BIA) pas vendosjes së sanksioneve ndaj tij. Ai kishte shërbyer më parë edhe në detyrën e shefit të ushtrisë dhe policisë.

Së fundmi ai ka marrë dy medalje nderi nga Rusia, njërën prej Shërbimit Federal të Sigurisë ruse dhe tjetrën nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Milosh Vuçeviq, i emëruar për postin e kryeministrit, ka shërbyer më parë si ministër i Mbrojtjes i Serbisë.

Emërimi i tij erdhi pas një procesi të tensionuar zgjedhor në muajin dhjetor, ku partia e djathtë populiste në pushtet e Presidentit Aleksandar Vuçiç fitoi shumicën e vendeve në parlamentin prej 250 anëtarësh.

Zgjedhjet nxitën tensione politike për shkak të njoftimeve për parregullsi në masë, të raportuara nga vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë. Pas zgjedhjeve opozita organizoi protesta, – njofton Zëri i Amerikës.

REAGIMI I PRESIDENTIT SERB: NË NJËRIN VESH MË HY, NGA TJETRI MË DEL

Qeveria e re është OK. Patjetër të kishte kompromis. Në të nuk janë njerëz e meritojnë, si Darija Kisiq Tepavçeviq, Mihajlo Jovanoviq dhe Jelena Tanaskoviq, të cilët do të bëjnë punë të tjera të rëndësishme. Ka edhe njerëz që nuk i njoh, u tha gazetarëve presidenti serb Aleksandar Vuçiç gjatë një vizite kantierin e ndërtimimit të një stadiumi të ri në periferi të Beogradit.

Lidhur me pakënaqësinë e Departamentit amerikian të Shtetit, për shkak se Aleksandar Vulin dhe Nenad Popoviq janë propozuar në qeveri  duke qenë nën sanksione amerikane, Vuçiq ka rikujtuar se edhe lideri i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik është nën sanksione, por ai ulet pranë tij dhe shoqërohen  duke pirë edhe nga një gotë vere.

– Ky nuk është lajm i ri për ne. Shpresoj në marrëdhënie të mira dhe nuk jam i lumtuar me reagimin e tyre, por Qeverinë e zgjedhin qytetarët e Serbisë. Është e rëndësishme që qeveria është serbe dhe që do të zbatojë politikën e Serbisë – ka thënë ai.

Vuçiq citohet të ketë deklaruar se po i shikon përfaqësuesit e qeverive të tjera nga rajoni të cilët thonë se kanë përmbushur gjithçka që Brukseli u dërgon me fax ose email, duke dashur të dallohen nga Serbia. Gjithashtu ka pohuar se ka njëzet e ca ditë që nuk ka thënë asnjë fjalë për kundërshtarët politikë dhe nuk i shkon ndërmend të thotë, dhe se pas votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe Këshillin e Evropës do të merret vetëm me zhvillimin e vendit.

Sipas tij, ai as nuk është i koncentruar dhe nuk e ka idenë se çfarë po ndodh, sepse është i preokupuar  me votimin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe të Këshillit të Evropës.

Këtë të mërkurë ka përshkruar se dje ka ndenjur me mandatarin Milosh Vuçeviq dhe kryetaren e Kuvendit Ana Brnabiq, të cilët i kanë treguar se çfarë brenda partisë së tij, SNS.

– Por mua nga njëri vesh më hy e nga i tjetri del!- përcjell kdp.mk njoftimin e danas.rs

Të fundit