E martë, 30 Prill, 2024

“DËNIME NËN MINIMUM”: DREJTËSI QË ZVARRITET, GRA QË VRITEN

“Trajtimi i rasteve të vrasjeve në Kosovë karakterizohet me mungesë të profesionalizmit nga ana e organeve të drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e tyre”

Dështimi i institucioneve të drejtësisë për të vepruar në mënyrë efektive, po e përshkallëzon dhunën në familje – është vlerësim si i autoriteteve, ashtu edhe i organizatave që merren me të drejtat e grave.

Brenda pesë ditësh në Kosovë u vranë dy gra – e para në Ferizaj, më 12 prill, e dyta rreth 90 kilometra më larg, në Pejë, më 16 prill.

Në të dyja rastet, policia arrestoi burrat e tyre si të dyshuar kryesorë.

“Burrat po mendojnë se kanë të drejtë të vendosin për jetën e grave, të vendosin se si dhe sa duhet të jetojë një grua”, thotë Adelina Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thotë, “dënimet e lehta”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar në këtë temë. Ngjashëm as Gjykata Themelore në Prishtinë. Por, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i cili monitoron sistemin e drejtësisë në vend, konfirmon se rastet e vrasjes së grave “marrin dënime të ulëta, kthehen në rigjykim ose zvarriten”.

“Një qasje e tillë tregon mungesë serioziteti dhe mungesë profesionalizmi në trajtimin e këtyre rasteve”, thotë Arrita Rezniqi, hulumtuese në IKD, për Radion Evropa e Lirë.

Vrasja e rëndë në Kosovë dënohet me minimum 10 vjet burgim dhe me maksimum burgim të përjetshëm.

Rigjykim e zvogëlim dënimesh

Më pak se dy muaj më parë, Gjykata e Apelit e Kosovës ktheu në rigjykim rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, i cili prej avokatit të familjes së saj, Gazmend Rexhepi, ishte cilësuar si “më i rëndi në periudhën e pasluftës”.

Dardan Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm në gusht të vitit 2023 për vrasjen e 18-vjeçares në vitin 2021, ndërsa Arbër Sejdiu u dënua me 15 vjet burg për “ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë”.

Gjashtë muaj më vonë, në shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit i miratoi ankesat e avokatëve të tyre mbrojtës për aktgjykimin. Ajo tha se ka pasur shkelje procedurale gjatë gjykimit dhe rastin e ktheu në rigjykim, ndërsa të akuzuarit mbetën në paraburgim.

Për avokatin Rexhepi, vendimi i Apelit “është joprofesional”.

Derisa pritet të nisë rigjykimi, ai thotë se ky zhvillim “e ka rënduar gjendjen emocionale të familjes së viktimës”.

Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh bindjen se burgimi i përjetshëm për Krivaqën, megjithatë, do të jetë “i pashmangshëm”.

“Ekziston tashmë një ekspertizë e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e cila konstaton se viktima ka shumë thyerje dhe shumë lëndime… është vrasje shumë e rëndë. Nëse interpretohet juridikisht, i bie që vrasja e saj ka ndodhur në mënyrë mizore”, thotë Rexhepi.

Në Prishtinë u protestua më 28 shkurt kundër kthimit në rigjykim të rastit të Marigona Osmanit.

Organizatat për të drejtat e grave ngrenë zërin edhe për raste të tjera, si atë të Valbona Ndrecajt dhe vajzës së saj, të vrara në vitin 2018.

I dënuar për vrasjen e tyre është bashkëshorti, përkatësisht babai, Pjetër Ndrecaj, nga komuna e Gjakovës.

Ai, fillimisht, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa më pas – pas ankesave të palës mbrojtëse – dënimi iu zvogëlua në 30 vjet burgim.

Berisha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, duke përmendur rastet Krivaqa dhe Ndrecaj, thotë se “me dënime të ulëta, me apelime, me shtyrje dhe me vonesa të proceseve gjyqësore, jepet mesazhi se shoqëria jonë e toleron dhunën dhe vrasjen e grave”.

Në vitin 2021, IKD-ja publikoi një raport hulumtues për trajtimin e vrasjeve në përgjithësi në Kosovë, pa i ndarë në aspektin gjinor.

Rezniqi, nga ky institut, thotë se gjetjet e raportit flasin për një sërë dështimesh nga institucionet shtetërore, përfshirë edhe mungesën e kujdesit të duhur ndaj provave, të cilat duhet të përdoren në një procedurë penale.

“Në këtë drejtim, në përgjithësi, trajtimi i rasteve të vrasjeve në Kosovë karakterizohet me mungesë të profesionalizmit nga ana e organeve të drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e tyre”, thotë Rezniqi për Radion Evropa e Lirë.

Kritika edhe nga institucionet

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se dhunuesit, shpeshherë, “bëhen vrasës”, për shkak të “mosndëshkimit adekuat nga institucionet përkatëse”.

“Kur dhunuesi e sheh që po ledhatohet nga sistemi, ai e përsërit veprën penale”, tha Haxhiu në një konferencë për media të martën.

“Kemi shumë raste kur dënimet janë nën minimumin e asaj që parasheh Kodi Penal”, shtoi ajo.

Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime me gjobë dhe deri në tre vjet burgim për të akuzuarit për dhunë në familje.

Megjithatë, në një raport që publikoi Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Kosovë, shtatorin e kaluar, thuhet se shumë pak të akuzuar për veprën e tillë janë dënuar me burg.

Raporti analizoi 129 aktgjykime të publikuara nga gjykatat e Kosovës dhe, sipas tij, 98 për qind të të akuzuarve për dhunë në familje iu shqiptua aktgjykim dënues, për shembull me gjobë, dhe vetëm 11 për qind u dënuan me burgim.

Haxhiu tha se “është me rëndësi që të vendosen para përgjegjësisë disiplinore të gjithë gjyqtarët që nuk e respektojnë drejt ligjin”.

Ajo dha edhe disa propozime për, siç tha, luftimin e dhunës në familje – në mesin e tyre: “të bëhet urgjentisht nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrje elektronike të dhunuesve, të bëhet saktë vlerësimi i sigurisë për çdo rast të dhunës në familje, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje dhe të analizohet se si po sigurohen këto armë”.

Prokurori i krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli, tha se i dyshuari për vrasjen e gruas në këtë qytet, më 16 prill, “ka pasur një aktgjykim të veprës penale për dhunë në familje në vitin 2021”, por nuk dha më shumë detaje për rastin e tij.

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se, vitin e kaluar, janë raportuar 2.460 raste të dhunës në familje, me viktima kryesisht gratë.

Në raportin e datës 17 prill të Policisë së Kosovës thuhet se “në 24 orët e fundit, janë raportuar 11 raste të dhunës në familje” dhe se në të gjitha rastet, burrat janë raportuar si dhunues.

Por, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, numri i grave që përjetojnë dhunë në familje, është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.

Ata thonë se dhuna nënraportohet për disa arsye, përfshirë: presionin social mbi gratë, mungesën e pavarësisë së tyre ekonomike dhe mostrashëgimin e pasurisë nga prindërit./Radio Evropa e Lirë

Të fundit