E martë, 30 Prill, 2024

BULLGARIA SHKON NË ZGJEDHJE TË REJA

Qeveria kalimtare bullgare e kryesuar nga Dimitar Glavçev, ka bërë betimin në Parlament, Presidenti Rumen Radev, ndërkohë caktoi për më nëntë qershor zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato për eurodeputetë, – përcjell kdp.mk njoftimin e agjencive të lajmeve. Në qeverinë e përkohshme tashmë të propozuar, kryeministri në detyrë Dimitar Gllavçev ka bërë vetëm një ndryshim. Ministër zyrtar i Punëve të Jashtme do të jetë Stefan Dimitrov, e jo Ivajllo Cenov, siç ishte paralajmëruar në projekt-përbërjen më 5 prill. Stefan Dimitrov është diplomat karriere dhe ambasador i Bullgarisë në Mal të Zi. Katër ministra dhe tre zëvendësministra nga qeveria e fundit e rregullt janë emëruar në poste ministrore në kabinetin zyrtar, – njofton Radioja shtetërore e Bullgarisë.

Zgjedhjet, të cilat do të jenë të gjashtat që nga prilli i vitit 2021, u shkaktuan  nga refuzimi i partisë populiste  “Ka një popull të tillë” (ITN) që më 28 mars të formojë qeverinë,  duke u bërë partia e tretë që radhazi refuzoi mandatin nga Presidenti.

Para kësaj, partia e qendrës së djathtë GERB dhe ish-partneri i saj i koalicionit, pro-perëndimorja “Vazhdo ndryshimet/Bullgaria Demokratike (CCDB), thanë se nuk mund të formonin kabinetin e ri qeverisës.

Pas zgjedhjeve në prill të vitit të kaluar, Bullgaria kishte një qeveri të përbashkët të mbështetur nga CCDB reformiste dhe GERB. Ato ranë dakord për një qeveri 18-mujore me kryeministra në rotacion – së pari Nikolai Denkov nga CCDB, kurse pas nëntë muajsh Marija Gabriel nga GERB

Denkov dha dorëheqjen më 5 mars për t’i lejuar GERB-it t’i prijë qeverisë për nëntë muajt e ardhshëm, siç ishte rënë dakord. Por Gabrieli nuk ia doli të formonte qeverinë dhe më 27 mars, ndërsa Denkov refuzoi edhe ftesën e Radevit për të tentuar të formonte qeverinë.

Zgjedhjet e reja duhet të përkojnë me zgjedhjet për deputetë bullgarë në Parlamentit Evropian.

Para zgjedhjeve në muajin prill të vitit të kaluar, në mungesë të kolaicionit të qëndrueshëm qeverisës, shteti është drejtuar nga qeveri kalimtare  të emëruara nga presidenti Radev. Ai më gjashtë prill i dhe Glavçevit, kryetar i Gjykatës Revizore të Bullgarisë mandatin  për krijimin e qeverisë kalimtare.

Kabineti i Glavçevit është qeveria e gjashtë kalimtare e emëruar nga Radev që kur ai u bë president dhe e para që u formua sipas rregullave të reja të miratuara në fund të vitit të kaluar.

Bullgaria është anëtari më i varfër nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian dhe po lufton me dukurinë e korrupsionit gjerësisht të përhapur

Ky vend ballkanik po përballet edhe me paqëndrueshmërinë politike që nga protestat e mëdha kundër korrupsionit më 2020.

Sipas rregullores së re, parlamenti aktual do të vazhdojë punën, ndërsa detyra kryesore e qeverisë kalimtare do të jetë organizimi i zgjedhjeve të ardhshme./REL/

Të fundit