E premte, 17 Maj, 2024

TARAVARI: NËSE NUK I FITOJMË ZGJEDHJET, DO TË TËRHIQEM NGA POLITIKA

Së pari, do t’u kërkoja politikanëve evropianë garanci se nuk do të ketë kushte të tjera që ne të vazhdojmë rrugën evropiane. Së dyti, do të kërkoja një dinamikë për ndryshimet kushtetuese. Dhe e treta është largimi nga “Ballkani i Hapur”, thotë Arben Taravari, kandidat për president nga koalicioni “VLEN”, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Në shtëpi ka vendosur kamera më cilësore, por institucionet ende nuk e kanë njoftuar se kush i la një plumb para derës dy muaj më parë, në muajin shkurt, në ditët kur u nda nga bashkëpartiaku, Zijadin Sela dhe partia e tyre Aleanca për Shqiptarët  u ndarë në dy krahë. Ai nuk ndihet si marionetë as e Selës dhe as e VMRO-DPMNE-së.

Kandidati presidencial i koalicionit VLEN, në të cilin janë bashkuar partitë opozitare të shqiptarëve, Arben Taravari, konsideron se karriera e tij e “pastër” politike, pa skandale dhe afera, është përparësi ndaj kundërshtarit të tij të drejtpërdrejtë Bujar Osmani nga BDI. Mirëpo, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Taravari po ashtu ka bërë të ditur se do të tërhiqet nga politika nëse humb zgjedhjet.

Zoti Taravari, pse do të votonin qytetarët për ju, cili është avantazhi juaj ndaj kandidatëve të tjerë dhe ndaj kundërshtarit tuaj të drejtpërdrejtë, Bujar Osmanit nga BDI?

– Pikërisht jemi shtatë kandidatë, nga të cilët pesë kandidatë janë maqedonas, dy janë shqiptarë. Konkurrenca, sinqerisht, në bllokun shqiptar do të jetë mes meje dhe zotit Bujar Osmani. Shpresoj që qytetarët të kuptojnë se kujt do t’i besonin për të udhëhequr vendin në pesë vitet e ardhshme. Qytetarët gjithmonë analizojnë fillimisht programin e një kandidati, çfarë mund të ofrojë ai për pesë vitet e ardhshme, cilat janë synimet e tij programore. E dyta është besueshmëria e kandidatëve. Mendoj se nuk kam skandale dhe afera në këto 7-8 vite që kam qenë në politikë edhe si kryetar komune edhe si ministër i Shëndetësisë. Në anën tjetër, kemi një kandidat që  ka shëtitur në gjitha ministritë, ka qenë edhe në Qeverinë e Gruevskit, e cila e dini si ka përfunduar, pastaj ka pasur një rast në Prokurorinë Speciale Publike (PSP), rasti “Pacienti”. .. Nuk e di tani, mbase nga kjo nuk asgjë, tjetër veç kësaj, por për këtë u fol dhe PSP-ja tha edhe se për këtë ka një lëndë… pastaj ndodhi ajo që ndodhi.

Si do t’i vazhdojë negociatat Maqedonia e Veriut me BE-në , nëse si kusht janë ndryshimet kushtetuese? Cili është qëndrimi juaj në këtë kontekst?

– Tashmë është qëndrim i Bashkimit Evropian dhe i Komisionit Evropian që Maqedonia për të filluar negociatat, duhet të bëhen ndryshime kushtetuese. Dhe ky është një fakt i padiskutueshëm. E thashë edhe 2022, në qershor, kur u miratua propozimi evropian për marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Bullgarisë – të gjitha ato negociata ishin jotransparente dhe jo gjithëpërfshirëse. Megjithatë, meqë është pranuar dhe ka kaluar në Kuvend, fakt është se nëse duam të fillojmë negociatat dhe me sa shoh askush nuk thotë se ka një alternativë tjetër, do të duhet të bëjmë ndryshimet kushtetuese dhe vazhdojmë rrugën evropiane të Maqedonisë, sepse nuk ka zgjidhje tjetër. Nëse do të ekzistonin opsione të tjera, atëherë në rregull, do të mund të bisedonim.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE në programin parazgjedhor angazhohet për heqjen e “balancuesit”. Cili është qëndrimi juaj, a do të jepnit mbështetje?

– “Balancuesi” është përfshirë në vitin 2006, pikërisht nga VMRO-DPMNE. Shihni, përfaqësimi i bashkësive etnike në institucione të caktuara para vitit 2002 ishte skandaloz, dhe tani disi është barazuar. Mirëpo, “balancuesi” keqpërdoret, fatkeqësisht jo vetëm nga maqedonasit, por edhe nga shqiptarët, ndodh të keqpërdoret, madje edhe nga qytetarët. Nëse mund të gjejmë një mekanizëm tjetër që do të marrë parasysh përfaqësimin e komuniteteve etnike, por edhe sistemin e meritokracisë – do të thotë ata që janë të aftë. Kur zgjedhim një maqedonas, le të jetë maqedonasi më i aftë. Nëse zgjedhim një shqiptar, le të jetë shqiptari më i aftë. Tek ne, përfaqësimi etnik nuk është pengesë, aq sa është fakti që përfaqësimi partiak po e mbyt sistemin, veçanërisht administratën. Jemi të hapur për të diskutuar gjithçka, por duhet të ketë një mekanizëm që do të suprimojë ndikimin partiak dhe unë jam i interesuar për këtë.

Si i interpretoni akuzat për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut?

– Nuk do të thosha ndikim rus sepse nuk di për ndikimin rus, nuk kam asnjë provë. Por e di që ka një ndikim të madh serb në Maqedoni, kjo është e qartë, sidomos përmes “Ballkanit të Hapur”, ndikimi i Serbisë është i madh në shoqërinë maqedonase, po flas në përgjithësi. Duke marrë parasysh që Serbia ka marrëdhënie shumë të mira me Rusinë, ajo është shumë e afërt, ndoshta vendi më i afërt nga Ballkani Perëndimor që është me Rusinë, nëse ka ndikim rus atëherë mendoj se ndikimi rus kalon përmes Serbisë. Dhe se ndikimi serb në Maqedoni është i madh, ky është një fakt i padiskutueshëm dhe këtë e kam thënë shumë shpesh. Nuk dëmton vetëm maqedonasit apo vetëm shqiptarët, por shtetin në përgjithësi.

Atëherë, kush mendoni se është promotori i këtij ndikimi serb?

– Shpesh them se e vetmja periudhë kur ndikimi serb ka qenë më i pakët në Maqedoni ka qenë periudha 1998-2002, kur në pushtet ishin z.Ljubço Georgievski dhe Arben Xhaferi. Mendoj se kjo qeverisje 22-23 vjeçare e zotit Ahmeti ndoshta jo drejtpërdrejt, ndoshta në mënyrë naive ose pa e ditur, por ka lejuar që të ketë një ndikim kaq të madh serb në Maqedoni.

Cilat janë rreziqet e sigurisë për Maqedoninë e Veriut nga ndikimi i mundshëm rus apo, siç thoni ju, serb?

– Ne jemi tashmë anëtare të NATO-s dhe kjo është një preventivë e mirë, një preventivë e mirë për vendin. E shihni që gjithnjë e më shumë politikanë nuk mund të marrin certifikata të caktuara, veçanërisht ata që punojnë në strukturat e sigurisë së shtetit, që janë nën kontrollin e NATO-s. Nuk ka kontroll më të mirë se sa mund të ketë NATO në uljen e ndikimit rus në Maqedoni. Pra, ne duhet të vazhdojmë dhe të vazhdojmë të jemi anëtare e NATO-s, por duhet të përpiqemi të jemi edhe anëtare të Bashkimit Evropian. Sa më shumë të përpiqemi drejt Bashkimit Evropian, aq më i pakët do të jetë ndikimi, le të themi, nga strukturat që nuk ia duan të mirën Maqedonisë.

Si e vlerësoni luftën e deritanishme kundër korrupsionit?

-Shikoni, thjesht analizoni se si jemi renditur nga institucionet ndërkombëtare sipas perceptimit të korrupsionit. Jemi ndër vendet më të këqija në Ballkanin Perëndimor. Pse ekziston korrupsioni? Është pasojë e mosfunksionimit të shtetit ligjor. Thjesht analizoni çfarë besimi kanë qytetarët në sistemin gjyqësor… është dy, tre, katër, tetë për qind, që realisht është shqetësuese. Çfarë duhet bërë? Duhet të fillojnë reforma serioze. Si mund të bëhen reformat? Vetëm me rotacion politik, vetëm me ndryshim pushteti.

Si do ta përmirësonit situatën në këtë fushë nëse do të zgjidheshit president?

-Transparenca është mënyra më e mirë për të rikthyer besimin tek institucionet e sistemit. Por edhe ndikimi i presidentit, e dini, mund të ndikojë vetëm përmes sistemit gjyqësor, të ndikojë në zgjedhjen e anëtarëve të caktuar të organeve që janë në sistemin gjyqësor. Njerëzit që janë profesionistë, të besueshëm dhe persona me kapacitete të larta morale duhet të delegohen nga presidenti.

Në daljet publike ish-kolegu juaj Zijadin Sela ju akuzon se punoni me urdhra dhe ju ka quajtur “marionetë e VMRO-DPMNE-së”. Pse sugjeron lidhjen tuaj me VMRO-DPMNE-në?

– Unë dhe zoti Sela kemi qenë bashkë për dhjetë vjet. Nuk preferoj të them asgjë të keqe për të, sepse kemi 10 vite bashkë. Ai mund të thotë çdo gjë…ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Jo publikisht, por edhe privatisht, nuk kam thënë asgjë të keqe, ky është karakteri im. Me njerëz me të cilët kam punuar për një kohë të gjatë dhe nëse rrugët tona ndahen, unë kam ende njëfarë respekti për të. Koha është dëshmitarja më e mirë e shumë gjërave. Nuk kam qenë kurrë në jetën time marionetë e askujt. Unë nuk e kam lejuar veten të jem marionetë e zotit Sela, kështu që nuk mund të jem marionetë e VMRO-DPMNE-së apo e ndonjë partie tjetër. Pavarësisht se kështu mendon ai, koha do të tregojë se kush mendoi më mirë dhe qytetari do të tregojë se kush kishte të drejtë në rastin tonë kur u ndamë.

A keni marrë ndonjë informacion se kush ua la plumbin para derës?

– Nuk kam marrë ende asnjë informacion. Fatkeqësisht, nuk jam thirrur nga asnjë, as nga struktura policore dhe as nga institucione gjyqësore, të paktën për të ditur se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Kam ndërruar kamerat në shtëpinë time dhe kam vendosur kamera më cilësore që tregojnë tani dhe gjatë natës kur nuk ka dritë për të parë çdo lëvizje në shtëpi. Shpresoj që të paktën institucionet e sistemit të më informojnë për atë që ka ndodhur.

Kam hyr në këtë punë vetëm që të mund të bëj mirë, për të ndihmuar fëmijët dhe nipërit e mi të jetojnë më mirë nesër në këtë vend ku jetojmë. Mund të them që karriera ime politike është kah fundi… Gjithnjë e kam thënë që dhjetë vite në politikë mjaftojnë. Unë kam tetë vjet që jam në politikë. Shpresoj që në 2-3 vite të lë pas meje një ekip të mirë që do të vazhdojë dhe me të cilin do të jem krenar, sepse ata do të jenë më të mirë se unë.

Thoni mjaftojnë dhjetë vjet në politikë…do të thotë kjo se nëse nuk fitoni në zgjedhjet presidenciale do të tërhiqeni nga jeta politike?

– Sigurisht, sigurisht. Nëse nuk i fitojmë këto zgjedhje, mendoj se kështu duhet të jetë. Kështu është në të gjithë botën perëndimore, kështu është në të gjitha demokracitë e zhvilluara. Nëse humbisni zgjedhjet, të paktën përballë autoriteteve partiake… edhe pse pati zhvillime të caktuara, nuk më lejuan bashkëpartiakët, të paktën  zgjedhjet t’i çoja deri në fund . Dhe unë u thashë, kërkoj besim nga të gjithë ju. Një palë zgjedhje deri në 8 maj, nëse nuk fitojmë më 8 maj, unë jam këtu për të dhënë dorëheqjen dhe nuk do të kishte asnjë forcë që të më ndalonte të jepja dorëheqjen nëse do të ishim të bashkuar dhe nuk do të fitonim. Dhe kështu do të fitojmë.

 Kur thoni nëse humbim zgjedhjet, keni parasysh zgjedhjet presidenciale apo parlamentare?

– Edhe zgjedhjet presidenciale edhe parlamentare, sigurisht. Zgjedhjet presidenciale do të jenë tregues për zgjedhjet parlamentare. Kështu që, shpresoj t’i fitojmë pa problem.

Në të kundërtën do të jepni dorëheqje?

– Kështu i bie.

Cilat do të jenë tre hapat e parë që do të ndërmerrni nëse ndodh skenari tjetër, pra nëse fitoni zgjedhjet për president të Maqedonisë së Veriut?

– Nëse i fitoj zgjedhjet, gjëja e parë që do të bëja do të ishte të shkoja në Bruksel dhe të kërkoja nga politikanët evropianë që të na japin garanci se Maqedonia nuk do të ketë kushte të tjera për të vazhduar rrugën evropiane. E dyta, kush do të jetë mandatari i ardhshëm, do ta thërrisja sepse duhet t’i jepet mandati për të formuar qeverinë, do t’i kërkoja të më jepte një dinamikë për ndryshimet kushtetuese që t’i nisim sa më shpejtë, që të mos përsëritet  Bukureshti i vitit 2008. Dhe gjëja e tretë, do t’iu kërkoja partive politike dhe qeverisë që të largohemi nga “Ballkani i Hapur” si projekt, sepse nuk ka mbetur askush përveç Maqedonisë dhe Serbisë.

Intervista me Arben Taravarin, kandidat për president i koalicionit VLEN, është në kuadër të mbulimit të fushatës së zgjedhjeve presidenciale 2024 nga Evropa e Lirë.

Të fundit