E diel, 5 Maj, 2024

“HETEROGJENITETI” POLITIK I KRISTALIZUAR NË DY BLLOQE

Përgjithësisht, deri më tani kemi një situatë të qetë parazgjedhore, e cila akoma është në fazën e artikulimit politik, por edhe të shtrirjes dhe strukturimit elektoral. Realisht, në këto zgjedhje kemi një tjetër strukturim të heterogjenitetit politik, që tashmë është kristalizuar në dy blloqe të mëdha, që e bën garën më interesante. Dinamikat politike të deritashme më tepër kanë qenë të orientuara në krijimin e kohezionit brenda koalicioneve dhe prezantimit të tyre para elektoratit të synuar. Pikërisht, shkrirja, gjegjësisht sinergjia e heterogjeniteteve brenda koalicioneve vlerësohet se mund të ketë ndikim edhe në rezultatin zgjedhor, si në zgjedhjet presidenciale, poashtu edhe në ato parlamentare. Duket se të dy blloqet politike, gjatë kësaj periudhe më tepër i kanë kushtuar rëndësi këtij dimensionin politik, që vjen dhe shpërfaqet me aktivitete të përbashkëta në paraqitje e tyre publike dhe në terren.

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Zgjedhjet zakonisht i rrisin decibelat e premtimeve, por edhe polarizimet në shoqëri. Në Ballkanin Perëndimor këto shfaqje mbeten tipike dhe nganjëherë shkojnë përtej një normaliteti politik dhe demokratik, që nënkupton racionalitet dhe vizion të qëndrueshëm për t’iu ofruar qytetarëve zgjidhje për shumë probleme të shtresuara vite me radhë. Maqedonia e Veriut tashmë ndodhet përpara dy palë zgjedhjesh dhe deri më tani duket se janë kristalizuar dy blloqe politike që do të garojnë edhe në zgjedhjet presidenciale, rrethi i parë i të cilave pritet të mbahet më 24 prill dhe zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen më 8 maj.

Përgjithësisht deri më tani kemi një situatë të qetë parazgjedhore, e cila akoma është në fazën e artikulimit politik, por edhe të shtrirjes dhe strukturimit elektoral. Realisht, në këto zgjedhje kemi një tjetër strukturim të heterogjenitetit politik, që tashmë është kristalizuar në dy blloqe të mëdha, që e bën garën më interesante. Dinamikat politike të deritashme më tepër kanë qenë të orientuara në krijimin e kohezionit brenda koalicioneve dhe prezantimit të tyre para elektoratit të synuar. Pikërisht, shkrirja, gjegjësisht sinergjia e heterogjeniteteve brenda koalicioneve vlerësohet se mund të ketë ndikim edhe në rezultatin zgjedhor, si në zgjedhjet presidenciale, poashtu edhe në ato parlamentare. Duket se të dy blloqet politike, gjatë kësaj periudhe më tepër i kanë kushtuar rëndësi këtij dimensionin politik, që vjen dhe shpërfaqet me aktivitete të përbashkëta në paraqitje e tyre publike dhe në terren.

Pavarësisht nga debati që mund të zhvillohet dhe pavarësisht nga perceptimi që mund të krijohet brenda kohës, demokracia i njeh i këto dinamika politike, që si të tilla mund të ofrojnë një kualitet tjetër përfaqësimi, një konkurrencë më dinjitoze, por gjithsesi edhe oferta zgjedhore, që prekin në plagët e qytetarëve, në gjithë ato probleme që vijnë të shtresuara përgjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit. Dhe, sigurisht, këto probleme, gjithnjë duhet të shihen në kuadër të një optike europiane, të cilën subjektet politike shqiptare që garojnë në këto zgjedhje e kanë afishuar tashmë si orientim të padiskutueshëm.

Padiskutim, që ky horizont europian, si esencë dhe jo vetëm si parullë parazgjdhore, duhet të jetë substancë e padiskutueshme e mbarështrimit të ofertave zgjedhore, sepse asnjë zgjidhje për problemet e shumta të qytetarëve nuk mund të mendohet jashtë principeve dhe standardet europane.  Në parim, demokracia, zgjedhjet përcaktojnë se kush do t’i përfaqësoj qytetarët dhe në këtë aspekt demokracia shfaqet si një hapësirë e dinamikave politike, sociale dhe kulturore që ofrojnë opsione për të udhëhequr, për të qeverisur në një mandat të caktuar. Pikërisht, në sensin e qeverisjes së mirë, por edhe të normalitetit demokratik,  Karl Poperi thekson se pyetja se kush duhet ta marrë pushtetin është pyetje e panevojshme. “ Mjafton që të votohet përmes zgjedhjeve për të hequr qeverinë e papërshtatshme. Kjo është demokracia”, thotë ai. Në këtë drejtim, realisht, më e rëndësishme mbetet “si duhet të qeverisësh” dhe jo nga kush duhet të qeverisesh.

Duke shikuar përtej “euforisë” së zgjedhjeve, subjektet politike pjesëmarrëse në këto zgjedhje duhet të ofrojnë përpara qytetarëve pikërisht këtë dimension të politikës, që mbi të gjitha nënkupton parimet se si duhet të qeveriset, gjithnjë në suaza të interesit të qytetarëve, të mirëqenies dhe progresit të përgjithshëm. Pikërisht këto janë edhe konstantat që i kërkon vazhdimisht Bashkimi Europian, si një ndër financuesit kryesor të zhvillimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo mbështetje e BE-së mbetet jetike për vendet Ballkanit Perëndimor në drejtim të përbrendësimit të vlerave dhe standardeve, që janë predispozitë thelbësore për një shoqëri progresive. Pikërisht në këtë drejtim, siç po raportohet, BE ka akorduar 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor.

Kjo ndihmë financiare jepet për ndërmarrjen e reformave të lidhura me procesin e integrimit në BE, kryesisht me forcimin e shtetit ligjor, stimulimin e konvergjencës ekonomike me BE-në bazuar në agjenda ambicioze të vendeve të rajonit, si dhe forcimin e transparencës dhe monitorimit.

Kjo ndihmë pritet gjithashtu të kontribuojë në promovovimin për përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së me synimin për anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Këto zgjedhje për më tepër duhet të prodhojnë një qeverisje që do të jetë në sinkron me këtë mbështetje dhe sigurisht mbi të gjitha në sinkron me pritjet e qytetarëve për një jetë më të mirë dhe më dinjitoze.

Të fundit