E diel, 5 Maj, 2024

MAQEDONIA E VERIUT NË NATO: KATËR VITE MË PAS

Rëndësia e ekzistimit të NATO-s po kuptohet sidomos tani, kur Rusia vazhdon pushtimin e saj në Ukrainë dhe tenton të minojë stabilitetin e vendeve demokratike në Evropë. 

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Në mars të këtij viti Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV) shënoi katërvjetorin e anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike (NATO), një strukturë ushtarake dhe politike që përfshin 32 shtete dhe që përbën atë që sot e njohim si Perëndim.

Ky anëtarësim sot dëshmohet si tepër vizionar, duke marrë parasysh luftën në Ukrainë – që filloi në vitin 2022, kur Rusia nisi pushtimin e plotë të saj, – luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gazë dhe problemet e hapura në Ballkan. Me anëtarësimin në NATO, Maqedonia e Veriut reduktoi praninë e Rusisë dhe betonoi orientimin strategjik drejt Perëndimit, i cili pritet të rrumbullakohet me anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Fakti se Rusia dështoi të mbajë RMV-në larg integrimit në NATO s’do të thotë se ndikimi rus ka përfunduar këtu. Ish-ambasadori rus në Shkup, Oleg Sherbak, në mars të vitit 2018 deklaroi se nëse vendi integrohet në NATO, atëherë do të jetë një cak legjitim i Rusisë nëse do të kishte një luftë midis Lindjes dhe Perëndimit. Edhe ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov paralajmëroi Perëndimin se zgjerimi i NATO-s me anëtarësimin e Maqedonisë do të kuptohej si një provokim për Rusinë. Në qershor të vitit 2017 NATO pranoi anëtarin e 29 në kuadër të saj – Malin e Zi, ndërkohë pas RMV-së u pranuan edhe Suedia me Finlandën, dy vende në afërsi të kufirit verior të Rusisë. Mediet raportuan se anëtarësimi i Malit të Zi ishte një proces i rrezikshëm pasi Moska kishte mbështetur një tentim për grusht-shteti.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës më 17 qershor të vitit 2018 u prit me entuziazëm në Bruksel, por me shumë rezerva dhe dyshime në Shkup e Athinë. Që nga fillimi i negociatave midis ish-kryeministrave të RMV-së dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, u pa se kontesti 27-vjeçar i dy vendeve fqinje po shkon drejt zgjidhjes së madhe. Sa më shumë afrohej momenti i arritjes së marrëveshjes historike, aq më shumë ky rivalitet Perëndim-Rusi shfaqej në forma të ndryshme në RMV dhe Greqi. Më 19 nëntor shumica parlamentare mezi arriti t’i “bindë” 8 deputetë të opozitës që të përkrahin nevojën e hapjes së Kushtetutës, e cila kërkon dy të tretat e votave, apo së paku 80 deputetë. Në janar të vitit 2019 Parlamenti miratoi ndryshimet, kurse më 30 mars të vitit 2020 u përmbyll procesi i ratifikimit të protokolleve në 29 parlamentet e vendeve anëtare, me çrast u ngrit flamuri i RMV-së në selinë e NATO-s në Bruksel.

Tani, katër vite më pas, debati zhvillohet nëse ia vlejti. Si një Aleancë jo vetëm ushtarake, por edhe politike, NATO nuk garanton vetëm sigurinë e anëtarit të saj por nxit edhe kultivimin e vlerave demokratike, luftën e krimit dhe korrupsionit, funksionim të pavarur të gjyqësisë, stabilitet financiar, efektivitet në shpenzimet publike, rritje ekonomike dhe investime të huaja të drejtpërdrejta. Këto elemente përbëjnë të ashtuquajturin “NATO efekt”, të cilin e kanë përjetuar vendet e Evropës Lindore dhe të Ballkanit, të cilat më shumë se 10 vite janë anëtare të kësaj strukture. Në vitin 2009 Shqipëria u bë anëtare e NATO-s bashkë me Kroacinë. Që atëherë investimet e huaja u trefishuan, kurse numri i të punësuarve u rrit nga 900 mijë në afër 1.15 milionë. Bullgaria njëlloj përjetoi një hov në zhvillimin ekonomik që nga viti 2004, kur u bë anëtare e NATO-s. Para anëtarësimit rroga mesatare në këtë vend ka qenë afër 300 leva bullgare, apo 150 euro, kurse në vitin 2018 ky numër ka arritur në gati 1200 leva, apo 600 euro.

Në Maqedoninë e Veriut, ndërkaq, investimet e huaja u trefishuan. Nëse në vitin 2020 ishin vetëm 226 milionë dollarë amerikanë, një vit pas anëtarësimit ato dyfishuan duke shkuar në 551 milionë dollarë. Trendi i rritjes investimeve të jashtme vazhdoi edhe në vitin 2022, kur u regjistruan 780 milionë, kurse viti 2023 u mbyll me 667 milionë dollarë amerikanë. Shkalla e papunësisë në vitin 2020 ishte 16.4 për qind, ndërsa në 2024 ka ranë vetëm 13.1 për qind.

Natyrisht se NATO nuk mund me magji t’i zgjidhë të gjitha problemet e vendeve të reja anëtare, por ajo krijon një bazë të mirë për zhvillim. Këto përfitime nga anëtarësimi në këtë sistem të qëndrueshëm ushtarako-politik janë marrë parasysh në vitin 1993, kur Parlamenti votoi vendimin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

Më 4 prill NATO do të shënojë 75 vjetorin e themelimit të saj. E formuar në vitin 1949 si përgjigje ndaj rrezikut që vinte nga Bashkimit Sovjetik, kjo Aleancë ka luajtur rol të rëndësishëm në mbrojtjen e paqes dhe sigurisë së vendeve demokratike. Rëndësia e ekzistimit të NATO-s po kuptohet sidomos tani, kur Rusia vazhdon pushtimin e saj në Ukrainë dhe tenton të minojë stabilitetin e vendeve demokratike në Evropë.

Teksti fillimisht është botuar në The Geopost

Të fundit