E hënë, 29 Prill, 2024

RIGRUPIME PARAZGJEDHORE: “SATELITËT” E LSDM-SË I BASHKËNGJITEN VMRO-DPMNE-SË

Partitë më të mëdha kanë prezantuar këtë fundjavë programet e tyre zgjedhore me të cilat do të “gjuajnë” votuesit, ndërsa disa nga partitë më të vogla paralajmëruan rigrupim parazgjedhor, shkruan DW në gjuhën maqedonase, përcjell KDP.

Partia “Dinjiteti” e Stojançe Angelovit njoftoi se po largohet nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM dhe se do të pranojë mundësinë për të bërë koalicion me VMRO-DPMNE-në.

“Për shkak të pritjeve të paplotësuara për tejkalimin e problemit të zjarrtë me të cilin ende ballafaqohen dhjetëra invalidë ushtarakë të pakompensuar dhe pesëmbëdhjetë familje të veteranëve të rënë, “Dinjiteti” po largohet nga koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja”, tha Angelov më 24 mars para Monumentit “Veteranët” në Shkup.

Bisedime me VMRO-DPMNE-në për koalicion ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, i cili deri më tani ishte pjesë e koalicionit qeveritar të udhëhequr nga LSDM-ja. Ndryshimi i anëve në prag të zgjedhjeve është rezultat i qëndrimit të partisë se Maqedonia e Veriut po ecën në drejtim të gabuar. Trajanov është i pakënaqur që disa nga propozimet e tyre janë bllokuar në Kuvend, siç është marrëveshja për një njësi zgjedhore dhe projekti për luftimin e formave të rënda të krimit të organizuar.

Ai gjeti mbështetje për idenë e një njësie zgjedhore në programin zgjedhor të opozitës. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në prezantimin e programit zgjedhor të titulluar “Platforma 1198” këtë fundjavë, tha se ndryshimi i parë kyç për të cilin pret mbështetje nga të gjitha partitë është parlamenti me 90 deputetë, në vend të 120, dhe reforma të kodit zgjedhor që do ta bëjë vendin një zonë zgjedhore.

Deputeti Antonijo Milloshoski, në një paraqitje të ftuar në TV Sitel, ka bërë të ditur se koalicioni i VMRO-DPMNE-së do të zgjerohet me shtatë parti politike që deri dje ishin në koalicion me LSDM-në. Sipas tij, përveç Dostoinstvo-s dhe DS-së, bëhet fjalë edhe për Unionin Socialdemokrat, Partinë e Bashkuar për Emancipimin e plotë të Romëve, Konceptin Maqedonas, Të Bashkuar për Maqedoninë dhe TMRO-në.

Por, sipas liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, në zgjedhjet e 8 majit “zgjedhja nuk do të jetë vetëm mes partive dhe listave të kandidatëve, por mes shpresës dhe ardhmërisë së begatë me LSDM-në dhe mungesës së shpresës dhe kthimit 10 hapa pas me VMRO-DPMNE-në. “.

Në kongresin e partisë këto ditë ai përsëriti se nuk ka vizion tjetër për vendin dhe nuk ka rrugë tjetër përveç asaj evropiane.

“E di që rruga nuk është e lehtë, sidomos për ne. Unë personalisht ndjeva se Bashkimi Evropian nuk ishte gjithmonë i drejtë me ne. Por a do të thotë kjo që ne duhet të heqim dorë? Absolutisht jo”, tha Kovaçevski.

Kovaçevski mori mbështetje për zgjedhjet e ardhshme nga NSDP dhe DOM. Kryetari i NSDP-së, Goran Misovski, si dhe Sonja Mirakovski dhe Miki Milkovski do të jenë kandidatë në listat e koalicionit në Njësinë e Tretë, të Katërt dhe të Dytë zgjedhore. Në anën tjetër, kryetarja e DOM, Maja Moraçanin, duhet të jetë kandidate për deputete në pozitën e gjashtë në listën e përbashkët të koalicionit të udhëhequr nga LSDM në Njësinë e Parë zgjedhore.

 

Të fundit