E shtunë, 4 Maj, 2024

KULLA PREJ LETRE DHE EFEKTI DOMINO

Të luash domino sot, dhe veçmas në kohë zgjedhjesh, në një vend tjetër – fqinj, nuk më duket punë e zgjuar. Jo e zgjuar për shkak se nuk u krijua një frymë përbashkuese gjithëshqiptare (në Maqedoninë e Veriut). Për më tepër, ndërhyrja e Prishtinës zyrtare po rezulton të jetë përçarëse (ndarja e Aleancës për Shqiptarët) në mesin e shqiptarëve të organizuar në jo më pak se dhjetë parti politike. Për pasojë, dalja me thirravajën kundër Ali Ahmetit vetëm e vetëm pse deri tash i ka fituar të gjitha ciklet zgjedhore, nuk duket të jetë as strategji e as taktikë e qëndrueshme. As partiakisht, as politikisht e as, në daçi, kombëtarisht. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pa keqkuptime, kanë kaluar nëpër disa sprova dhe, kanë ditur të ndajnë të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza, të ndajnë shapin nga sheqeri. Nuk dyshoj se këtë do t’ia dalin ta bëjnë edhe tash!

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Zhvillimet e ethshme në bllokun opozitar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, të diktuara, për të mos thënë të dirigjuara, nga Prishtina zyrtare, tani në prag të zgjedhjeve të përgjithshme (presidenciale e parlamentare) në këtë vend, shpërfaqin mëtimin e ideatorit të këtyre përçapjeve, Albin Kurti,  për kryeprotagonizëm edhe përtej Kosovës. Mënyra se si po bëhet kjo, natyrisht se lë për të dëshiruar, ama është mëse e tejdukshme dhe reduktohet në moton e Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit: „Krejt dhe drejt“ – për të hequr Ali Ahmetin nga skena politike jo vetëm në Maqedoninë e Veriut! Projekti i dështuar i instalimit të VV-së në Shqipëri (për të sfiduar PS-në e Edi Ramës), por edhe në Maqedoni (rikujtojmë se Ziadin Sela, diku para katër vjetësh në Livadhi të Strugës, kishte refuzuar shndërrimin e Aleancës në VV!) – për të mundur Bashkimin Demokratik për Integrim, si duket nuk i shërbyen që nga dy pësime të nxjerrë – një mësim: të konsolidojë shtetin më të ri të kontinentit të vjetër dhe mëpastaj, pa qenë nevoja e (për)caktimit të „guvernatorëve“, kjo përvojë, ky model, të shërbente jo sy yrnek, por si diell për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Të merremi vesh: në horizontin politik të hapësirës shqiptare në Maqedoni, akoma nuk po duket një lëvizje opozitare e tipit të VV-së që për rrethanat kosovare, por edhe shqiptare në përgjithësi, ishte dhe mbetet origjinale. Tani të përçapesh të krijosh diçka të përafërt, por të harnuar me stela të mbledhura andej-këtej, kjo të çon të mendosh se objektiv parësor i kreut të qeverisë në Prishtinë, nuk është aq shumë „gjendja e mjerueshme e shqiptarëve në Maqedoni“ (sikurse po plasohet nga qarqe të caktuara, pa çka se realiteti është tjetërfare!), sa strategjia që me praninë në Maqedoni, t’i rikujtohet faktorit ndërkombëtar, dhe kryesisht SHBA-së, se nuk është as kartë e djegur e as e harxhuar, ndaj do përfillur influencën, pse jo dhe autoritetin e tij edhe në këto hapësira. Gjithnjë, duke pasur për pikënisje atë që quhet „efekt domino“. Çuditërisht po jo rastësisht, në shpjegimin e këtij efekti, në Eciklopedinë kroate, përmenden edhe shqiptarët:

“Teoria e dominos, një mendim i përhapur fillimisht në SHBA që nga vitet 1950, sipas të cilit përhapja rajonale e komunizmit dhe rënia e regjimeve properëndimore ndodhin sikurse shembja e pllakëzave të dominosë. I atribuohet  presidentit amerikan D. D. Eisenhower i cili më 1954, duke folur për “rënien e Azisë Juglindore sikurse një domino” nënvizoi “nëse Indokina humbet”. SHBA-të kishin të njëjtën qasje ndaj revolucioneve në Amerikën Qendrore (Kubë më 1959, Nikaragua më 1979, etj.). Teoria e dominos u kontestua në shkencat politike për shkak të bazës së saj ideologjike (antikomunizmi) si dhe për shkak se nuk merrte parasysh faktorë të ndryshëm të paqëndrueshmërisë së shtetit dhe ndryshimeve politike. Jashtë kontekstit ideologjik, që nga vitet 1990 përmendet gjatë destabilizimeve rajonale të shkaktuara nga përhapja nga zonat ose shtetet problematike në shtetet fqinje (p.sh. problemi shqiptar, konfliktet në Afrikë, konflikti irakiano-kurd, kriza në Afganistan, etj.)”.

Të luash domino sot, dhe veçmas në kohë zgjedhjesh, në një vend tjetër – fqinj, nuk më duket punë e zgjuar. Jo e zgjuar – për shkak se nuk u krijua një frymë përbashkuese gjithëshqiptare (në Maqedoninë e Veriut). Për më tepër, ndërhyrja po rezulton të jetë përçarëse (ndarja e Aleancës për Shqiptarët) në mesin e shqiptarëve të organizuar në jo më pak se dhjetë parti politike. Për pasojë, dalja me thirravajën kundër Ali Ahmetit, vetëm e vetëm pse deri tash ka fituar të gjitha ciklet zgjedhore, nuk duket të jetë as strategji e as taktikë e qëndrueshme. As partiakisht, as politikisht e as, në daçi, kombëtarisht. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pa keqkuptime, kanë kaluar nëpër disa sprova dhe, kanë ditur të ndajnë të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza, të ndajnë shapin nga sheqeri. Nuk dyshoj se këtë do t’ia dalin ta bëjnë edhe tash!

Të fundit