E diel, 23 Qershor, 2024

A DO TË MUND TË VOTOHET ME DOKUMENTE TË VJETRA NË ZGJEDHJET PRESIDENCIALE DHE PARLAMENTARE?

Zëvendësimi i dokumenteve të vjetra me të reja me emrin “Maqedonia e Veriut” krijoi një sërë kokëdhimbjesh për qytetarët. Pas indikacioneve se një numër i madh i qytetarëve nuk do të mund të zëvendësojnë dokumentet e tyre në kohë para zgjedhjeve të pranverës, u ngrit dilema se a do të mund të votojnë me dokumentet e vjetra, të cilat nuk kanë skaduar. Për të tejkaluar problemin, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i dërgoi Kuvendit propozim për futjen e një dispozite kalimtare në Kodin Zgjedhor, e cila do të lejojë votën në këto zgjedhje me dokumentet e vjetra të vlefshme, raporton DW, përcjell Portalb.

“Kemi bërë propozim në Kuvend – të bëhet një ndryshim në Kodin Zgjedhor, në të cilin do të ketë një dispozitë kalimtare vetëm për këto zgjedhje, që të vlejnë edhe dokumentet e vjetra të vlefshme që të votojnë të gjithë qytetarët. “A do të miratohet apo jo, varet nga Kuvendi”, thotë kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Vendim për votuesit e rritur

Qytetarët përballen me probleme dhe paqartësi të shumta nëse do të mund të votojnë në zgjedhjet e pranverës, nëse nuk arrijnë të zëvendësojnë dokumentet në kohë. Problem ka edhe një pjesë e qytetarëve që kanë mbushur 18 ose ndërkohë do të mbushin 18 vjeç dhe nuk kanë letërnjoftim apo pasaportë.

Dashtevski thotë se personat që mbushin 18 vjeç do të mund të regjistrohen për t’u përfshirë në Listën Zgjedhore. “Për të rriturit është gjetur një zgjidhje dhe dihet saktësisht me ligj se kur mund të regjistrohen”, thotë ai.

Avokati i Popullit Naser Ziberi në një konferencë për media këto ditë ka treguar se do të vihet në pikëpyetje e drejta e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, e cila është e garantuar me Kushtetutë.

“Disa nga ata persona kanë dokument udhëtimi, por fatkeqësisht me formular të vjetër, që do të thotë se sipas rregullores ekzistuese ato dokumente janë të pavlefshme për pjesëmarrje në procesin zgjedhor”, tha Ziberi.

Nëse Qeveria nuk merr diçka, sipas tij, shumë qytetarë mund të futen në një situatë kaq delikate. Prandaj kërkohet që të marrin me prioritet dokumentet e reja.

Problem është edhe moszbatimi i nenit 7 të Ligjit për Letërnjoftimet, i cili specifikon se shtetasit mbi 65 vjeç duhet të pajisen me letërnjoftim me vlefshmëri të përhershme. Në vend të kësaj, Ministria e Brendshme vazhdon të lëshojë dokumente të vlefshme për 10 vjet. Ziberi konsideron se duhet të zbatohet ky nen, i cili do të kontribuojë në uljen e presionit për ndryshimin e dokumenteve personale.

Kujtojmë se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsaraundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Në listat e nënshkrimeve për kandidatët kanë nënshkruar gjithsej 108 409 qytetarë.

Deri më tani sfidën e mbledhjes së nënshkrimeve e kanë tejkaluar 7 kandidatë: Gordana Siljanovska nga VMRO-DPMNE (28 029), Stevo Pendarovski nga LSDM-ja (21 852), Maksim Dimitrievski nga ZNAM (11 601), Bujar Osmani nga BDI-ja (11 085), Stevço Jakimovski nga GROM (10 887), Arben Taravari nga VLEN (10 709) dhe Biljana Vankovska Cvetkovska nga “E majta” (10 432).

Këtë procedurë akoma nuk e kanë kaluar: Mersiha Smailoviq nga Lidhja Demokratike Boshnjake (1 596), Velo Markovski (1 466), Gjorgji Manaskov (429), Zorica Cvetkovska (204) dhe Poposki (119).

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill.

Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

 

 

Të fundit