E hënë, 29 Prill, 2024

ENVER BYTYÇI: „DIPLOMACIA IMPONUESE E NATO-S NË KONFLIKTIN E KOSOVËS“

Veprimtaria publicistike e shkencore e Prof. Dr. Enver Bytyçit tash e një kohë ka depërtuar anë e kënd botës. Në një postim në Facebook Prof. Bytyçi ka njoftuar se libri i tij “Diplomacia imponuese e NATO-s në konfliktin e Kosovës” gjendet në të paktën 725 biblioteka në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell kdp.mk. Shpallja e këtij libri si Best Sellers nga Cambridge Scholars Publishing e Londrës, e cila e ka përzgjedhur atë në mesin e rreth 30 mijë botimeve të saj, është një ngjarje për shkencën albanologjike shqiptare si dhe një arritje e autorit.

Prof. Dr. Enver Bytyçi ka botuar në gati dy dekadat e fundit 10 libra, nga të cilat tetë janë monografi. Nga këto tetë monografi, dy prej tyre janë botuar nga Cambridge Scholars Publishing në Londër në gjuhën angleze dhe një është botuar nga Akademiker Verlag Saarland – Gjermani.

Monografia “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” është botuar nga Cambridge, është promovuar në Londër, si dhe në Qendrën e Shtypit në Parlamentin Europian. Kjo monografi gjendet në 1.039 biblioteka të 39 vendeve të botës, nga SHBA, deri në Namibi, Afrikën e Jugut, Emiratet e Bashkuara, Kinë, Japoni, Australi, Kanada dhe Europë. Kjo monografi është tashmë në bibiliotekat e universiteteve amerikane në Bullgari, Greqi, Kuvajt, Dubai, Irak, Armeni, Azerbajxhan etj. Ajo gjendet në bibliotekat e mbi 600 universiteteve amerikane, përfshirë atë në Harward, Kolumbi, Karolinën e Jugut, Kaliforni, Stanford, Northen Vermont University, Phymonth State Uni, Southern New Hampshire Uni, Norwish Uni, Massachusetts Uni, Rivier Uni, Fitchburg State Uni, University of New York, University of Washington, Western New England Uni, Brown Uni…

Në Britaninë e Madhe ky libër gjendet në bibliotekën e Universiteteve të Cambridge, Oxford, Oxford Brookes Uni, University East Anglia, University of Bristol, Liverpool. Në Gjermani janë shumë bibioteka, ku mund të gjendet ky libër, si në Goettingen, Frankfurt, Giesen, Marborg, Nuernberg, Passau. Në Itali në La Sapienza, Universitetin e Milanos, Universitetin Europian. Libri gjendet edhe në Holandë, Spanjë, Francë, Kanada, etj.

Libri “Coercive Diplomacy of NATO in Kosovo” (“Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë”)  i studiuesit Enver Bytyçi është botuar në anglisht nga Cambridge Scholars Publishing në mars 2015. Në gjuhën shqipe me titullin “Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë”, ky libër është botuar në vjeshtën e vitit 2012. Libri, sikurse u tha më sipër, është në dispozicion të shumë agjencive dhe kompanive të shpërndarjes dhe përhapjes së librit në Europë, Amerikë dhe Azi, duke u bërë pjesë e bibliotekave shtetërore, universitare dhe të institutive e ministrive të jashtme në disa vende, sidomos të Europës Lindore.

“Diplomacia imponuese e NATO-s në Kosovë” është një libër studimor përmbledhës për ngjarjet e viteve 1998-1999 në Kosovë dhe për angazhimin diplomatik e përdorimin e forcës të Aleancës së Atlantikut për çlirimin e saj nga sundimi e dhuna e shtetit të Serbisë të udhëhequr asokohe nga diktatori Slobodan Milosheviq. Në këtë libër përshkruhen deri në imtësi ngjarjet e kohës, si dhe pozita e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bazuar në angazhimin e faktorit ndërkombëtar, Këshillit të Sigurimit e rezolutave të shumta të tij, Grupit të Kontaktit e Konferencës së Rambujesë, autori maksimalizon argumentin për legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në konfliktin e Kosovës. Në libër qartësohen marrëdhëniet e Aleancës së Atlantikut me faktorë të tjerë si Bashkimi Europian, Këshilli e Europës, OSBE-, si dhe faktorin rus. Roli i vendeve fqinjë të Kosovës në përkrahje të veprimeve ushtarake dhe përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, spastrimit etnik të shqiptarëve dhe eleminimit fizik të tyre, pasqyrohet gjithashtu me kompetencë profesionale dhe argumente bindëse. Libri është shkruar në formën e një studimi përmbledhës, duke gërshetuar përvojën historike me ngjarjet e kohës, ndonëse për studime të tilla ende nuk janë vënë në dispozicion arkivat përkatëse të kancelarive të mëdha europiane si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e të NATO-s. Por autori Bytyçi ia ka arritur qëllimit që të paraqesë, për opinionin publik dhe qendrat e ndryshme studimore të interesuara, një studim domethënës të mbështetur në argumentet pro dhe kundër, të cilat janë shpalosur si rezultat i shfrytësimit të qindra burimeve arkivore të qëmtuara në institute dhe qendra të tjera europiane, në librat e kronikanëve të kohës si dhe në autorë të shumtë europianë dhe amerikanë të botuar në gjuhë të huaja. Shpallja e këtij libri si Best Sellers nga Cambridge Scholars Publishing e Londrës, e cila e ka përzgjedhur atë në mesin e rreth 30 mijë botimeve të saj, është një ngjarje për shkencën albanologjike shqiptare si dhe një arritje e autorit, Prof. As. Dr. Enver Bytyçi. Nga ana tjetër, ai i vjen në ndihmë argumentit të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për shtetformim dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre në liri e pavarësi të plotë, duke respektuar parimet themelore të shtetit demokratik të së drejtës, si dhe të drejtat e liritë themelore të pakicave tjera në Kosovë.

Për autorin

Enver Bytyçi është drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Europës Juglindore, me qendër në Tiranë dhe pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Bytyçi është një studiues i shquar, ekspert dhe publicist kryesisht në çështje të historisë dhe të sigurisë. Është autor i disa librave historike dhe analitike, ndërsa ka marrë pjesë si drejtues në disa konferenca ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit. Përveç studimeve shkencore në fushën e sociologjisë dhe historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, Dr Bytyçi është i njohur për ekspertizën e tij mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit. Eshtë një nga publicistët më të njohur në median shqiptare, i vlerësuar edhe për kontributin e çmuar në debatin politik sidomos në Shqipëri e Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës e në Mal të Zi.

Të fundit