E mërkurë, 8 Maj, 2024

DISKURSI SI FUQI DHE TRINOMI I HABERMASIT

Hapësira publike, sfera e politikës, është një betejë e vazhdueshme diksursesh dhe kush e fiton këtë betejë në fakt shtrinë dhe imponon “legjitimitetin” për të shpaluar dhe zbatuar ide politike. Por, konceptet moderne të hapësirës publike dhe politike shkojnë përtej në teori tjera që nënkuptojnë racionalitetin e argumentimit. Në linjë të këtij procedimi është trinomi konceptual i Habermarsit: opinion publik, diskursi dhe arsyeja. Opinionin publik në këtë rast është arena ku përplasen këndvështrimet impulsive të progresit shoqëror, të cilat shpeshherë zhvendosen nga esenca, duke humbur arsyen e të mirës së përgjithshme dhe eskalojnë në përplasje të vrazhda këndvështrimesh dhe në ambicie diskursive vetëm për pushtet.

Shkruan: Lorik Idrizi

Diskursi është diçka më shumë se një gjuhë për nevoja specifike teknike, është diçka më e thellë se ligjërimi akademik. Në gjuhën shqipe ka disa analogji konceptuale, që e reduktojnë dhe për këtë  shkak nocioni “diskurs” ka zënë natyrshëm vend në gjuhën shqipe. Në hapësirën demokratike dhe konceptet politike, opinioni publik është arena kryesore e krijimit të shumë politikave, ideologjive dhe perceptimeve tjera shoqërore.

Sigurisht diskursi publik lidhet ngushtë me ecuritë politike dhe establishmentet, sepse është përcaktues që një pushtet, qoftë diktaturë apo një konstelacion demokratik,  të legjitimohet në hapësirën publike.

Hapësira e vërtetë politike është një betejë e vazhdueshme diksursesh dhe kush e fiton këtë betejë në fakt shtrinë dhe imponon “legjitimitetin” për të shpaluar idetë politike nëpërmjet instrumenteve rrjedhëse. Në këtë drejtim, p.sh, në një zonë më të largët malore të një vendi ballkanik, aparati shtetërorë dhe prania shtetërore nuk kanë aq akses sa ka diskursi publik dhe përmes diskursit vazhdon inercioni i pushtetit dhe pushteteve.

Që nga zanafilla, gjegjësisht, që nga Platoni dhe Aristoteli, njeriu definohet si “ qenie politike” dhe vetëm në interaksionet që ai ka me të jashtmen , në këtë rast me opinion publik e humanizon dhe e bën të dallueshëm atë. Ky koncept mbindërtohet me atë që thotë Habermars se nëse e krahasojmë pajisjen biologjike të të gjithë gjitarëve tjerë , asnjë specie biologjike nuk vjen aq e pafuqishme dhe e marrë në  mbrojtje aq gjatë nga familja sa njeriu. Në fakt ky vulnerabiltet është vetë fuqia e njeriut, sepse falë ndërthurjes sociale  dhe rrjetëzimeve sociale që krijon i zhvillon kompetencat e veta që e bëjnë personalitet, dhe gjithë ky cikël i natyrshëm stimulohet nga një inteligjencë perfekte që rrjedhimisht e perceptojmë si natyrshmëri njerëzore.

Duke i parashtruar këto kondita mbi qenien njerëzore mund të vijmë te trinomi konceptual i Habermarsit: opinion publik, diskursi dhe arsyeja. Opinionin publik në këtë rast është arena ku përplasen këndvështrimet impulsive të progresit shoqëror, të cilat shpeshherë zhvendosen nga esenca, duke humbur arsyen e të mirës së përgjithshme dhe eskalojnë në përplasje të vrazhda këndvështrimesh , dhe ambicie të pushteteve diskursive. Haberamarsi vlerëson se opinioni publik duhet të jetë kombinim arsyesh dhe jo përplasje botëshikimesh, opinioni publik, pra nuk është betejë e të fortëve, por kombinim i arsyeve që japin impulset e progresit dhe evolutës shoqërore.  Në kontekstin e aktualitetit duket se shumë janë zhvendosur këto postulate, ndërkohë që opinioni publik dhe diskursi janë makiavelizuar skajshëm, jo vetëm nga politikanët, por ky inercion ka vazhduar deri tek aktorët tjerë të opinionin publik, hulumtuesit, profesorët, akademikët deri tek aktivistët partiakë. Ata më nuk janë pjesë e këtij trinomi që nënkupton arsyen në radhë të parë, por janë pjesë e opinioneve të forta për të pasur pushtete dhe për të asgjësuar pjesëmarrësit tjerë.

Duket se mania për t’u bërë i famshëm i ka kapur edhe pjesën, e cila do duhej të merrte pjesë në këtë arenë vetëm për shkak të borxhit intelektual dhe qëllimit sublim human.

Sot kemi profesorë, hulumtues, akademikë, gazetarë edhe aktivistë, që janë më të famshëm sesa idetë e tyre, sepse ata nuk përfaqësojnë idenë dhe konceptin, por thjesht veten dhe performimin e tyre publik. Opinion publik është e kundërta, ndryshon shumë nga bota e yjeve, të cilët në kompensim të famës ofrojnë një pjesë  të madhe të intimiteti të tyre dhe privates. Tek bota e filozofisë, akademisë dhe rrafsheve tjera të hapësirës civile krijuesit e ideve nuk duhet të shkëpusin asgjë nga bota private, sepse ato marrin pjesë me idenë, dhe kjo është komplementare, sepse ato ofrojnë idenë në këmbim të satisfaksionit për të ndarë diçka që vlen me botën.

Pra, arena e debatit publik është këmbim i arsyeve dhe jo “përplasje” opinionesh. Kjo hapësirë duhet të destilohet nga betejat e vrazhda, që synojnë një fitues dhe nga promovimet e personaliteteve dhe duhet të fokusohet në shpërfaqjen e ideve dhe koncepteve, duke u kthyer në origjinën e kuptimit të debatit publik, sepse e para ishte fjala.

Të fundit