E enjte, 9 Maj, 2024

AKTUALE: CILAT DO TË JENË PLATFORMAT PËR ZGJEDHJE

Maqedonia e Veriut më 24 prill, përkatësisht më tetë maj, do të mbajë zgjedhjet Presidenciale e Parlamentare. Duke marrë parasysh sfondin në të cilin zhvillohen ato, krizat ndërkombëtar në planin e jashtëm, dhe tranzicionin e stërzgjatur, zhvillimet e disfavorshme ekonomiko-sociale, me polarizimet e skajshme përsa i përket orientimit gjeostrategjik të vendit, me të drejtë shtrohet çështja e ofertave, përkatësisht platformave me të cilat partitë politike do të hyjnë në këtë garë zgjedhore.

Shkruan: Seladin XHEZAIRI  

Konteksti politik politik në të cilin mbahen zgjedhjet parlamentare për legjislaturën e 11 të Kuvendit dhe Presidencialet e shtata me radhë, që nga pavarësia e Maqedonisë, i bën ato tepër të ndjeshme për të mos thënë vendimtare: Ngecja në procesin e integrimit të vendit në BE, për shkak të refuzimit të opozitës maqedonase (VMRO-DPMNE-së) që të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës dhe përfshirjen e pakicës bullgare në të që, për pasojë, ka prodhuar konfrontim të brendshëm politik të diktuar edhe nga faktorë të jashtëm, dështimi i klasës politike për të vendosur shtetin e së drejtës që, po ashtu, ka për rezultat dukuritë e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, mungesa e vullnetit për të çuar përpara reformat sociale, por edhe në shëndetësi e arsim, të gjitha këto, s’do mend se kanë prodhuar çarje serioze në një shoqëri heterogjene, si në aspektin social, ekonomik e politik, po ashtu edhe etniko-fetar.

Duket se edhe debati që po i paraprinë kësaj fushate të ethshme është i mbarsur nga intoleranca politiko-partiake, nga njëra anë, dhe oreksi i pangopur për t’u ngjitur në majat e pushtetit. Për të qenë më konkretë: Opozita maqedonase, në radhë të parë, po edhe ajo shqiptare, menjëherë pas saj, duket se ende nuk e kanë vullnetin dhe guximin për të dalë nga lëvozhga e “analistëve” që evidentojnë problemet e dështimet në fusha të caktuara, ama nuk shkojnë përtej kësaj. Nga partitë politike të cilat mëtojnë të ngjiten në pushtet, e kjo është e pamohueshme, pritet që të dalin jo vetëm me “diagnozë” për të (pa)bërat e pushtetit, por edhe me “terapinë” për  t’i vendosur punët në udhët e veta. Politika e “kohës së qepës” (e pranishme si tek sllavët, ashtu dhe shqiptarët) se “edhe bar do të hamë, ama nuk dorëzohemi”, e pamë se çfarë na solli nga 1990, 2001-shi e deri më 2018-tën. Prandaj, mund të jetë që opozitarët maqedonas dhe ata shqiptarë t’i ruajnë “xhephanet” për fillimin zyrtar të fushatës, por prapëseprapë, gjykoj se (ata) duhet të shpalosin platformat për t’ju kundërvënë kursit të pushtetarëve aktualë (maqedonas e shqiptarë). Për shkak se, kujtoj unë, nuk bëhet votuesi për vete vetëm duke hedhur gurë e dru kundër zgjedhjes së Kryeministrit të Parë shqiptar, apo duke refuzuar me këmbëngulje ndryshimin e Kushtetutës dhe futjen e bullgarëve në të e, besa, duke e vënë paraprakisht, nesër, në pozitë të vështirë edhe partnerin eventual shqiptar!

Një paralele, si mësim për të gjithë: Kujtoj se pushteti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e tetë majit 2024 do të ndeshet me një realitet, të brendshëm e të jashtëm, çfarë e ka Republika, saktësisht Qeveria e Kosovës. Që ditën e parë gjeti mbi tavolinë gamën e problemeve dhe sfidave me të cilat po merret tash e tre vjet. Përkundër deklarimeve të njëpasnjëshme të Prishtinës zyrtare se dialogun me Serbinë nuk e ka prioritet, prapëseprapë me të po i puq shtizat edhe sot e kësaj dite! Po kjo vlen edhe për lidershipin e opozitës maqedonase e cila aktualisht, sipas sondazheve, rezulton të jetë fituese e zgjedhjeve në kampin politik maqedonas: Ndryshimi i Kushtetutës ka për të qenë para-kushti i kushteve për të çuar përpara procesin e integrimit evropian të vendit, ndërsa luajtja në kartën antishqiptare (në Çashkë apo Gazi Babë, ta zëmë) ka për të qenë një kafshatë vështirë e kapërdijshme edhe për aleatin nga radhët e shqiptarëve. Hezitimi për të shpalosur vizionin për kapërcimin e problemit, sikur u jep të drejtë atyre të cilët thonë se po merret yrneku nga vendi fqinj – Serbia – i qëndrimit në dy karrige. Pa çka se Maqedonia nuk është as Serbi e as Hungari, fjala vjen, për t’i bërë karshillëk edhe Amerikës, edhe Evropës!

Dy fjalë edhe për opozitën shqiptare: Ka të drejtë në kërkesën për klimë të paanshme dhe të lirë, për të hyrë e barabartë në zgjedhje, por edhe ajo duhet të pozicionohet qartë, shkurt e shqip, karshi sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohet vendi dhe, konform kësaj edhe elektorati i saj. Heterogjeniteti i opozitës, natyrisht se mbetet çështje më vete, por kjo nuk do të thotë se mbështetja jashtë, në qendrat që nuk është se nuk kanë probleme e sfida të veta, mund të dalë e shëndetshme. Përtej kritikave që mund të bëhen në adresë të partive shqiptare në pushtet, ato nuk është se nuk po dalin para elektoratit të vet me një bilanc të cilin nuk duhet nënçmuar e as përçmuar! Kjo, natyrisht kërkon pozicionim me platformë e ofertë konkrete për t’ju dhënë udhë problemeve, por edhe sfidave të shënjuara. Votuesi këtë po e kërkon. Asgjë më pak e asgjë më shumë!

Të fundit