E martë, 14 Maj, 2024

HISTORIKE: TALAT XHAFERI KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT

Me 65 vota për, tre kundër, dhe asnjë abstenim, parlamenti i Maqedonisë së Veriut, pas një debati tre oresh, ka zgjedhur Talat Xhaferin kryeministër të qeverisë teknike, ku me këtë, Xhaferi hyn në histori edhe si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, raporton KDP.MK

Deputetët e VMRO-DPMNE-së ndonëse ishin në sallë, ata ashtu edhe siç paralajmëruan nuk votuan qeverinë teknike, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare bojkotuan seancën.

Me këtë, Xhaferi hyn në histori si kryeministri i parë shqiptar që do të udhëheq me vendin.

Gjatë debatit parlamentar Xhaferi tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve.

Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë Qeveri një ditë apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe Qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë”, tha Xhaferi.

Mandatari për formimin e Qeverisë teknike tha se ekzekutivi që ai do drejtojë, do të mbetet e fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.

Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian…Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike. Problemet e qytetarëve në nivel lokal, pavarësisht se të cilës komunë i takojnë, do të kenë mbështetjen e plotë të pushtetit qendror”, u shpreh Xhaferi.

Kush është Talat Xhaferi?

Talat Xhaferi u lind më 15 prill 1962 në fshatin Forinë të Gostivarit.

Ka përfunduar akademinë ushtarake në Beograd dhe Sarajevë. Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ka shërbyer si epror i lartë në Armatën Popullore të ish-Jugosllavisë. Ndërkaq, nga viti 1992 deri më 2001 ka qenë oficer i Armatës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që luftoi për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Nga viti 2004 deri më 2006, ai shërbeu në postin e zëvendësministrit të Mbrojtjes.

Në zgjedhjet parlamentare në vitin 2008, Xhaferi sërish u zgjodh deputet, ndërkaq në vitin 2013 u emërua ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Nikolla Gruevskit.

Nga viti 2014 deri në vitin 2016 sërish ushtroi postin e deputetit në Kuvendin maqedonas, ndërsa më 27 prill 2017 u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Këtë post Xhaferi e mbajti deri në caktimin si mandatar për formimin e Qeverisë teknike.

 

Të fundit