E premte, 26 Korrik, 2024

ABDIXHIKU DHE HARADINAJ KËRKOJNË SHKARKIMIN E KURTIT, KRASNIQI I SHKON NË TAKIM

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se ai e mbështetë shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas shkarkimit ose dorëheqjes së kryeministrit, raporton Kosovapress, përcjell KDP.

Haradinaj ka thënë se kryeministrit Kurti si duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet.

“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet. Në këtë prizmë duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

Haradinaj ka shtuar se AAK e mbështetë shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes ose shkarkimit të kryeministrit.

“Sidoqoftë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti!”, ka përfunduar Haradinaj.

Ftesa e kryeministrit Albin Kurti për takim me partitë opozitare është e pasinqertë, thotë politologu, Fidan Ukaj. Sipas tij, LDK dhe AAK me të drejtë e kanë refuzuar ftesën, ndërkaq shton se në takimin e sotëm të Kurtit me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi krahas diskutimit për agjendën legjislative pashmangshëm do të flitet edhe për zgjedhjet e parakohshme.

Ukaj, thotë për KosovaPress se kryeministri Kurti do të tentojë të gjejë konsensus për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe kodit civil në Kuvend.

“Letra e kryeministrit Kurti në adresë të partive opozitare është e pasinqertë, sepse kërkesa ose tema që zotëri Kurti iu është drejtuar partive opozitare nuk është në domenin e kryeministrit, por është fushë e legjislativit që përfaqëson kryeparlamentari Konjufca. Mendoj se është më shumë një arsyetim i temave të tjera që do të diskutoheshin nëse eventualisht do të kishte një akordim që mund t’i jepnin partitë opozitare. Temë pashmangshmE do të ishte mundësia e gjetjes së votave nga partitë opozitare për kalimin e kodit civil, po ashtu edhe përkrahja për dërgimin e draftit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Pashmangshëm që edhe tema e zgjedhjeve do të ishte temë e diskutimit”, thekson Ukaj.

Siç thekson Ukaj, nuk është në domenin e kryeministrit Kurti që t’i ftoi partitë opozitare për takim që lidhen me agjendën legjislative, pasi e njëjta i takon kryeparlamentarit Glauk Konjufca, në nivel të shefave të grupeve parlamentare.

Të nevojshme Ukaj e konsideron miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend. Mirëpo, sipas tij, kreu qeveritar dëshiron të marrë përkrahjen e partive opozitare në situatën kritike që gjendet Kosova, kur po i kërkohet të dërgojë draft-statutin e Asociacionit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë, Ukaj vlerëson se për dakrodimin për zgjedhjet e parakohshme duhet pajtim nga të gjitha partitë parlamentare.

Kurti u takua me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për të diskutuar siç është thënë në ftesë për agjendën legjislative të Kuvendit, ndërkaq lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradianj e kanë refuzuar të njëjtin.

Mandati katërvjeçar i Qeverisë aktuale përfundon në fillim të vitit 2025.

“Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por të muajve, andaj unë jam i interesuar të diskutoj me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës, më mirë është në pranverë ose në vjeshtë”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se do t’i vazhdojë diskutimet në këtë drejtim edhe me partitë tjera opozitare.

“Për mua nuk është thelbësore se a do të qeveris në këtë mandat edhe 10 muaj, tetë apo gjashtë muaj apo tre muaj. Është e rëndësishme të kemi një konsensus sa më të gjerë për muajin, datën e zgjedhjeve”.

 

Të fundit