E shtunë, 27 Korrik, 2024

KRASTEV PËR KDP: FITORJA E VMRO-DPMNE-së – NJË ARRITJE E QËLLIMIT PËR DESTABILIZIM POLITIK TË BALLKANIT

Në fund të fundit, plani për destabilizimin politik të Ballkanit Perëndimor pati sukeses. Maqedonia e Veriut, ashtu si Mali i Zi gjenden në një situatë të komplikuar, pikërisht për shkak të veprimeve të faktorit politik serb. Qëllimi është që të dy shtetet, që janë anëtarë të NATO-së në krahun jugor, të vihen në pasiguri”.

Inxhinieria politike e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në politikën maqedonase përmes krijimit të “Vlen” bëri pa dashje vazhdimin e politikës së Beogradit përmes Prishtinës”.

Shkruan: Enis Shaqiri

Triumfi i koalicionit të drejtuar nga lideri i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut, është sinjal jo i këndshëm për marrëdhëniet bullgaro-maqedonase. Ky rezultat pas-zgjedhor si duket do ti shtyj këto marrëdhënie “drejt një tuneli të errët, nga i cili, sipas parashikimeve, nuk do të dalin shpejt”, thonë njohësit e çështjeve politike nga Bullgaria.

Partia opozitare VMRO-DPMNE, e cila deri tash ishte në opozitë, shënoi fitore të thellë në zgjedhjet e dyfishta, si në balotazhin për kreun e shtetit, ashtu edhe në zgjedhjet për Parlamentin e ri, që u mbajtën më 8 maj, duke i dhënë fund qeverisjes shtatëvjeçare të Lidhjes Social-Demokrate (LSDM).

Zbatimi i marrëveshjes me Bullgarinë tani pritet të jetë sfida kryesore e Qeverisë së re, që do të formohet nga VMRO DPMNE-ja.

Gjatë fjalimit të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, në Parlamentin e Maqedonisë më 14 korrik 2022, mbështetësit e VMRO-së u shfaqën duke mbajtur pano që protestonin kundër ndryshimeve kushtetuese.

Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues janë kusht për nisjen e bisedimeve ndërmjet Shkupit dhe Brukselit për anëtarësim në BE, ndërsa bazohen në atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut me fqinjin e saj lindor, Bullgarinë.

“Ndikimi i Beogradit dhe Prishtinës sollën këtë fitore të VMRO-DPMNE-së”

Gazetari dhe analisti ndërkombëtar Nikolaj Krastev, nga Sofja, gjatë një bisede me Klubin e Debatit Politik (KDP.MK) tha se përpjekja për të ndryshuar kornizën e negociatave në marrëdhëniet midis Shkupit dhe Brukselit është vendimi më i keq i mundshëm. Sipas tij, kjo është një përpjekje për të blerë kohë për kryeministrin e ardhshëm maqedonas, Mickoski. Krastev thekson se nuk është Bashkimi Evropian (BE) që dëshiron të bashkohet me Maqedoninë e Veriut, por është e kundërta.

Nikolay Krastev, analist ndërkombër, që ka shërbyer poashtu si udhëheqës i korrespondencës në Beograd për Radiotelevizionin Kombëtar Bullgar.

Nuk është BE që dëshiron të bashkohet me Maqedoninë e Veriut, por është e kundërta.  Përpjekja për të ndryshuar kuadrin e negociatave në marrëdhëniet midis Shkupit dhe Brukselit është zgjidhja më e keqe dhe përpjekja për të blerë kohë, që kryeministri i ardhshëm maqedonas Mickoski të shesë shpresa të rreme përmes politikës së tij populiste dhe të rrisë tensionin brenda vendit”, thotë Krastev.

Ndryshe, VMRO-DPMNE-ja e cila ka kundërshtuar fuqishëm propozimin francez, në disa raste ka thënë se do të angazhohet për një marrëveshje të re me BE-në, apo ndryshimin e kornizës negociuese me qëllim të krijimit të pozicioneve më të favorshme në drejtim të marrjes së garancive se nuk do të ketë kërkesa të reja.

Kjo parti, gjithashtu, ka thënë se do t’’ miratonte ndryshimet kushtetuese me kusht që ato të hyjnë në fuqi me përfundimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian.

Lidhur me këtë, Krastev parashikon se VMRO-DPMNE do ta përdorë këtë retorikë deri në zgjedhjet lokale në vjeshtë të vitit 2025, e cila sipas tij, do ta ndihmojë në zhvillimin e politikës së saj etno-populiste në planin e brendshëm dhe të intensifikojë tensione brenda vendit.

Deri atëherë, Mickoski do të përpiqet të blejë kohë. Sjellja arrogante e Mickoskit, i cili gjatë fushatës parazgjedhore fliste se BE duhet të detyrojë presidentin bullgar Rumen Radev të shkojë të pijë kafe si Viktor Orban kur u vendos për ndihmën ushtarake për Ukrainën, do të zhvillohet më tej, tani kur pritet që ai të bëhet edhe kryeministër”, thotë Krastev.

Sipas tij, ardhja në pushtet e VMRO-DPMNE-së është hakmarrje e atyre forcave politike në të cilat më 27 prill 2017 u përpoqën të ndalin zhvillimin demokratik të vendit duke pushtuar Kuvendin si dhe duke sulmuar edhe deputetët brenda.

Në fund të fundit, plani për destabilizimin politik të Ballkanit Perëndimor pati sukeses. Maqedonia e Veriut, ashtu si Mali i Zi gjenden në një situatë të komplikuar, pikërisht për shkak të veprimeve të faktorit politik serb. Qëllimi është që të dy shtetet, që janë anëtarë të NATO-së në krahu jugor, të vihen në pasiguri. Në rastin e Maqedonisë së Veriut, përpjekjet e Serbisë janë më se të dukshme, pasi Beogradi dëshiron të ngadalësojë integrimin evropian të këtij vendi, derisa të zgjidhet në një mënyrë të re mes Serbisë dhe Kosovës, qoftë përmes ndarjes së Kosovës ose shkëmbimit të territorit midis tyre”, thotë Krastev.

Krastev , fitoren e VMRO-DPMNE-së e ndërlidhë edhe me rritjen e politikës së “botës serbe”, si vazhdimësi e asaj “ruse”. Ai argumenton se koincidenca e kaq shumë proceseve nga aspekti rajonal dhe global në raport me Ballkanin Perëndimor kanë vetëm një qëllim:

Futjen e tyre në pasiguri dhe nënshtrimin e tyre ndaj realiteteve të reja drejt të cilave synojnë Beogradi dhe Moska. Rritja e politikës së “botës serbe”, si vazhdim i “botës ruse” dhe agresionit të Kremlinit ndaj Ukrainës do të çojë në pasiguri dhe jo-stabilitet në Ballkan. Fjalët e Milorad Dodik “na ka mbetur ende një betejë, pra të çlirohemi nga Bosnja dhe Hercegovina” flasin shumë qartë se çka po përgatit  Aleksandër Vuçiqi, dhe nën-kontraktorët të tij në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi (nëpërmjet partive në pushtet pro-serbe) dhe në Maqedoninë e Veriut me fitoren e VMRO-DPMNE-së”, thekson Krastev.

Ai shton se edhe opozita në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut ka dhënë poashtu “fryte të  hidhura”.

Inxhinieria politike e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në politikën maqedonase përmes krijimit të “Vlen” bëri pa dashje vazhdimin e politikës së Beogradit përmes Prishtinës. Ndërhyrja e Beogradit dhe Prishtinës në politikën e Maqedonisë së Veriut çoi në këto rezultate, pra në fitoren e dyfishtë të VMRO-DPMNE-së, presidenciale dhe parlamentare”, vlerëson Krastev.

Problemet e formimit të qeverisë

Kujtojmë se Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut ende nuk është formuar. Sipas shumë gjasave ajo të përbëhet nga VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, por pjesë e saj mund të jenë edhe parti të tjera opozitare që kanë fituar mandate në zgjedhjet parlamentare, më 8 maj.

Gjatë një takimi të shtunën për formimin e Qeverisë së re, VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, thanë se kanë arritur pajtueshmëri për “pjesët kryesore”.

Në një komunikatë për media pas takimit në Shkup, këto dy parti njoftuan se takimi mes liderëve partiakë ka zgjatur rreth tre orë dhe se ata janë pajtuar për parimet e përgjithshme të bashkëpunimit.

Integrimi evropian, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit do të jenë shtyllat bazë të punës së qeverisë së re”, thuhet në komunikatën e përbashkët pas takimit të mbajtur mes delegacionit të VMRO DPMNE-së, të kryesuar nga Hristijan Mickoski, dhe drejtuesve të koalicionit VLEN, Arben Taravari, Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.

Drejtuesit e dy kampeve politike kanë bërë të ditur se, nga brenda kësaj jave, bisedimet do të vazhdojnë mes grupeve të punës “për të gjitha çështjet deri në finalizimin e bisedimeve për bashkëqeverisje”.

E për formimin e qeverisë së re, Krastev përfundon: “Formimi i qeverisë së re në Shkup do të jetë një sfidë e madhe për të krijuar besim në Sofje dhe për të gjetur partnerë. Mickoski nuk do të synojë zgjidhje, por do të thellojë problemet dhe do të përdorë platformën e tij për të kritikuar Bashkimin Evropian. Mickoski do të kërkojë një justifikim për politikën e tij ndaj Bullgarisë dhe do ta përdorë atë për të drejtuar një fushatë antievropiane. Kjo do të kontribuojë vetëm në forcimin e fushatës antievropiane në Ballkan, pas së cilës qëndrojnë Aleksandër Vuçiq dhe Viktor Orban, të cilët ishin të parët që uruan për zgjedhjet e 8 majit.”

VMRO DPMNE-ja i fitoi bindshëm zgjedhjet parlamentare më 8 maj dhe në përbërjen e re parlamentare do t’i ketë 58 deputetë nga 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë së Veriut.

Koalicioni opozitar shqiptar VLEN ia doli t’i fitojë 13 ulëse në Parlament dhe drejtuesit e tij kanë thënë se “janë përfaqësuesit legjitimë të shqiptarëve në qeverinë e ardhshme”.

Ndërkohë, Fronti Evropian, i cili drejtohet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) deri tani në pushtet, pretendon se përfaqësuese legjitime e shqiptareve, duke qenë se i ka fituar 19 ulëse në Parlament në zgjedhjet e 8 majit. Pjesë e këtij koalicioni ishin edhe partitë turke, rome dhe boshnjake.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha të shtunën në një mbledhje të Frontit Evropian në Shkup se partitë shqiptare duhet të respektojnë një dokument, që sipas tij, është nënshkruar nga të gjitha partitë se “kusht për pjesëmarrjen në qeverinë e re do të jetë miratimi i ndryshimeve kushtetuese me qëllim vazhdimin e procesin të anëtarësimit të vendit në BE”.

Për shkak të mosmarrëveshjeve me Sofjen, përkatësisht detyrimit për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë si popull shtetformues, Maqedonia e Veriut ende nuk ka nisur bisedimet me BE-në për kapitujt.

Shkupi, më 19 korrik 2022, mbajti konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, por ajo u vlerësua si politike pasi bisedimet për kapitujt nuk mund të nisin pa miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

 

 

 

Të fundit