E diel, 19 Maj, 2024

IMPROVIZIMET BALLKANIKE DHE NDIHMA KONSTANTE EUROPIANE

Jo njëherë BE ka nxitur dhe ka promovuar nisma për ta “shkulur” Ballkanin Perëndimor nga klishetë e moslëvizjes, nga retorikat e përcipta, të cilat përfundojnë në papërgjegjësi dhe në të shumtën e rasteve në vetëlavdërime shterpe të politikanëve me mendësi tipike ballkanike. Plani i Rritjes Ekonomike për rajonin i miratuar nga Komisioni Europian, i diskutuar në Shkup, është një tjetër impuls i fuqishëm që BE ua ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor për zhvillim dhe për sinkronizim me politikat, standardet dhe vizionin e Europës. Mbase është momenti fundit që të kuptohet se kësaj radhe, nga ky fond prej 6 miliardë eurosh nuk do të mund të përfitohet me improvizime, por me reforma dhe projekte konkrete, të cilat janë në dobi të qytetarëve.  

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë kaluar një marrëdhënie të komplikuar në raport me Bashkimin Europian. Përkundër faktit që Bashkimi Europian gjatë tërë kohës ka kërkuar dhe është angazhuar për reforma substanciale, përgjatë kësaj periudhe të stërzgjatur të tranzicionit, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur që të zbatojnë reformat e kërkuara, ndërkohë që në të shumtën e rasteve kanë improvizuar se po bëjnë reforma dhe kanë trumbetuar shpeshherë me bindje të shtirur se gjithçka bëjnë për t’u përafruar me vlerat dhe standardet europiane. Ky peizazh improvizimesh ka krijuar një dëshpërim të heshtur te qytetarët, të cilët me kalimin e kohës kanë manifestuar vazhdimisht mosbesim në kapacitetet për t’i bërë reformat e nevojshme të kërkuara nga BE, si një moment shndërrimi në rrugëtimin për t’u bërë në një të ardhme pjesë e familjes europiane.

Ngërçet politike, mendësia tipike ballkanike e shoqëruar me prani të madhe të korrupsionit, ka pamundësuar një konsolidim kapacitetesh institucionale në vendet e Ballkanit Perëndimor, për të vazhduar rrugën e reformave të kërkuara. Jo njëherë, elitat politike të vendeve të rajonit kanë treguar se përtej retorikave dhe stilemave tipike ballkanase mendësia e zvarritjes dhe e ngujimit në realitetet dëshpëruese mbetet një mënyrë e mefshtë për të ruajtur një gjendje institucionale, politike dhe ekonomike, që iu shkon për shtati dinamikave të politikës ditore, pa arritur kështu që të hapin horizontin e gjerë të pritjeve europiane.

Sidoqoftë, jo njëherë BE ka nxitur dhe ka promovuar iniciativa për ta shkulur Ballkanin Perëndimor nga klishetë e moslëvizjes, nga retorikat e përcipta, të cilat përfundojnë në papërgjegjësi dhe në të shumtën e rasteve në vetëlavdërime ekuivoke shterpe dhe në mendësi që zvarriten me skofi dhe reflektojnë zhgënjim te qytetarët. Miliona euro janë investuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që ka vazhduar avazi i njëjtë i ngecjeve dhe i ngujimit në politika tipike ballkanike.

Fatmirësisht, insistimi i BE-së për ta reformuar dhe përafruar Ballkanin Perëndimor drejt vlerave dhe standardeve europiane mbetet konstant, që nga Samiti i Selanikut, në të cilin u proklamuan koordinatat e përhershmërisë europiane për Ballkanin. Me ulje-ngritje, ky vizion kuptimplotë europian do të fuqizohet me Procesin e Berlinit, që mbetet një platformë e fuqishme progresi dhe investimesh për vendet e rajonit.

Në sinkron me këtë trajektore angazhimesh të BE-së është edhe Plani për Rritje Ekonomike prej 6 miliardë euroash për vendete Ballkanit Perëndimor i miratuar nga Komisioni Europian. Pikërisht, për ta diskutuar këtë Plan të Rritjes Ekonomike, në Shkup, janë mbledhur drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të BE-së dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë shprehur gatishmëri për t’i zhvilluar vendet e tyre sipas standardeve evropiane për një qëllim të caktuar, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kështu është thënë në deklaratën e miratuar në fund të konferencës “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”.

Mediat kanë raportuar se ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, u ka thënë liderëve të Ballkanit Perëndimor se asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që kanë ende punë përpara.

Zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk do të kenë mundësi për të penguar rrugëtimin e njëri-tjetrit, sepse nuk duhet të ekzistojnë çështje të pazgjidhura, dhe se kushdo që tenton të pengojë diçka do të përballet me ndëshkime.

“Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”, ka theksuar ai.

Sipas tij, plani i ri i BE-së dallon prej ofertave paraprake. “Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”.

Ndërkohë, Drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara, dhe ka përsëritur se BE-ja është e hapur për të ndihmuar.

“Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin”, ka theksuar Kopman.

Siç po paralajmërohet tashmë Vendet e Ballkanit Perëndimor do duhet të realizojnë reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian për të përfituar nga fondi i përbashkët. Padyshim, ky plan nënkupton reformave substanciale, të cilat kërkojnë mbi të gjitha vullnet politik dhe institucional për t’u realziaur, ndërkohë që përftimet tashmë kushtëzohen me agjendën e reformave që duhet t’i bëjë secili vend.

BE edhe njëherë po tregon gatishmëri dhe impenjim maksimal për t’i dhënë rajonit impulsin e nevojshëm për të ecur përpara në procesin e integrimeve, ndërkohë që gjithçka do të varet nga vetë vullneti politik dhe institucional i vendeve të Ballkanit Perëndimor për ta tejkaluar mendësinë e improvizimeve në përvetësimin e standardeve të kërkuara nga BE në zbatimin e politikave të qëndrueshme zhvillimore që nënkuptojnë për më tepër projeksione konkrete për të dalë nga realiteti i vrazhdë i deritashëm që ka krijuar dëshpërim të vazhdueshëm te qytetarët.

 

Të fundit