E premte, 26 Korrik, 2024

PLANI I BE-së PËR RRITJE EKONOMIKE NË FOKUS TË TAKIMIT TË LIDERËVE NË SHKUP

Të hënën në Shkup, është mbajtur takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në të cilin është diskutuar Plani i Rritjes Ekonomike që e ka miratuar Komisioni Evropian për këtë rajon, njofton KDP.MK. Në deklaratën e tyre të përbashkët, e miratuar në fund të konferencës “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, liderët theksojnë se Plani i rritjes për BP-në, paraqet një perspektivë të re për të nxitur konvergjencën ekonomike dhe sociale në këtë rajon. Në deklaratë, liderët poashtu zotohen se do t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre për promovimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Tregut të përbashkët rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Krerët e vendeve të Ballkanit Perëndimor treguan gatishmëri për t’i zhvilluar dhe përmirësuar vendet e tyre sipas standardeve evropiane me synimin kryesor – anëtarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski, në rolin e mikpritësit, ka theksuar se me implementimin e planit të BE-së do të kemi një dyfishim bruto të prodhimit të brendshëm, në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tij, takimi i së hënës kishte përqendrim dy nga katër shtyllat e planit: në tregun rajonal dhe integrimin në tregun e BE-së.

Plani është një simbol i fuqishëm i angazhimit të palëkundur ndaj reformave, një hap vendimtar për transformimin dhe përafrimin e ekonomive kombëtare me standardet e larta evropiane. Ky instrument është një moment përparimi për ne. Me të, vendet e Ballkanit Perëndimor do të përshpejtojnë reformat themelore, duke krijuar një lidhje midis tregut të përbashkët rajonal. Në këtë proces, qasja në ndihmë financiare shtesë bëhet një element kyç. Instrumenti për reforma dhe rritje vepron si shtyllë financiare që i mbështet reformat”, tha kreu i qeverisë, Dimitar Kovaçevski, në fjalimin e tij në takimin e liderëve kushtuar Planit për Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor

Kovaçevski shpjegoi se pas realizimit të reformave të vendeve të rajonit, do të hapet rruga e bizneseve për një treg të përbashkët biznesi në BE, duke siguruar kështu qasje në ekonominë e bllokut evropian me një vlerë prej 3 miliardë dollarësh.

Kjo strategji e dyfishtë e integrimit jo vetëm që shpejton procesin e anëtarësimit në BE, por gjithashtu sjell përfitime  të menjëhershme, duke përfshirë rritjen e tregtisë dhe investimeve, përmirësimin e nivelit të konkurrencës dhe lidhjen rajonale”, nënvizoi Kovaçevski, duke shtuar se ekonomia e vendeve të Ballkanit Perëndimor përbën vetëm 0.06 për qind të ekonomisë së Bashkimit Evropian.

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.

Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, për periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro.

O’Brien: Plani i ri i BE-së nuk është si ofertat paraprake

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka informuar liderët se vendet e BP-së, asnjëherë nuk kanë qenë më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por që ende kanë sfida të cilat duhet të adresohen.

Në takimin e tyre, zyrtari amerikan i ka paralajmëruar liderët e Ballkanit se nuk duhet të lejojnë që mosmarrëveshjet dhe pengesat eventuale të ndikojnë në rrugëtimin e njëri-tjetrit,. O’Brien ka theksuar se çështjet e pazgjidhura duhet të trajtohen dhe se çdo tentativë për të penguar progresin do të përballëhet me ndëshkime.

Nëse një shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit“.

Plani i BE-së për rritje nuk është sikurse planet tjera që kemi parë deri më tani. Ai thotë se jo vetëm që duhet të bëni reforma dhe të merrni buxhet më vonë, ai thotë që nëse i bëni reformat e duhura, atëherë kompanitë dhe njerëzit tuaj do të fitojnë liri të BE-së shumë shpejt – lirinë për të lëvizur, për të punuar ku të duan”, ka thënë O’Brien.

Kurse drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman, ka kërkuar angazhim të madh të liderëve të Ballkanit për rrugën përpara, dhe ka përsëritur se BE-ja është e hapur për të ndihmuar.

Jam i inkurajuar nga përkushtimi juaj dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse qeveritë e rajonit vlerësojnë se ky është një prioritet i lartë, dhe vetëm nëse sigurohen se ndryshimet po ndodhin“, ka deklaruar Kopman në konferencë.

Rama: Duhet integrim brenda për brenda rajonit, kemi humbur kohë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se nisma e vendeve të Ballkanit Perëndimor është mundësi e mirë që nuk duhet humbur, derisa ka shtuar se “është kruciale që t’i vendosim qytetarët tanë në rend të parë”.

Është kruciale dhe nëse mund ta bëjmë në kohë reale për t’u realizuar gjërat në muajt e ardhshëm që t’i definojmë se si do të duken vendet tona”, tha Rama.

Rama gjithashtu në një konferencë për gazetarët duke e komentuar takimin tha se plani ekonomik i BE është një format i duhur pasi fillimisht vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohem brenda për brenda vetes. Rama tha se kanë humbur kohë për këtë proces dhe janë shumë mbrapa, pasi nuk kanë bërë gjitha angazhimet në kuadër të Procesit të Berlinit e Ballkanit të Hapur.

Ai shtoi se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nëse nuk janë bashkë vendet e Ballkanit Perëndimor, ai që do pengojë këtë proces do penalizohet.

Kurti: Plani i rritjes ekonomike përshpejton rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gatishmëri për të punuar në drejtim të planit.

Sipas Kurtit, Brukseli e Washingtoni janë të angazhuara me Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike.

Brukseli dhe Washtingoni bashkë me Ballkanin Perëndimor në Shkup për rritjen ekonomike dhe jo vetëm të rajonit tonë. Vlerat e BE-së duhet të bëhen reforma tek ne, ndërkaq mbështetja e BE-së duhet të jetë edhe financiare”, – tha Kurti.

Kryeministri shtoi se plani i rritjes nënkupton 6 miliardë euro për rajonin tonë, me ç’rast sasia e mjeteve që merret varet nga punët e mira që bëjmë.

Kosova sot do të dorëzoj listën e reformave të diskutuara e në ditët në vijim do të dorëzojmë listën e projekteve indikative. Sa i përket reformave në qendër kemi reformën e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, kurse të projekteve kemi ato për agjendën e gjelbër, digjitalizimin, investimin në sektorin privat dhe ngushtimin e hendekut infrastrukturore”, tha Kurti.

Në diskutime e sipër, Kurti ka thënë se Kosova mbështet qasjen e BE-së për kushtëzim të fondeve evropiane, por sipas tij, qarkullimi i mallrave nuk duhet të shfrytëzohet për bartje të armëve dhe sponsorizimin e sulmeve terroriste.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Bashkimi Evropian i ka porositur vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk ka më kohë për të pritur që t’i normalizojnë raportet ndërmjet tyre porse kjo duhet të bëhet shpejt, si kusht për të shfrytëzuar mjetet nga plani për rritje ekonomike.

Aktualisht, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, zhvillojnë dialog në Bruksel për normalizim marrëdhëniesh.

Përparimi i tyre në dialog është përmendur si kusht për të pasur qasje në këto fonde të BE-së.

I pyetur për këtë proces, O’Brien u ka kërkuar dy palëve që të zbatojnë aneksin e Ohrit, të arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në mars të vitit të kaluar.

Vuçiq: Takimet e këtilla janë të rëndësishme për rajonin

Në takim kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, si dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se takimet e këtilla janë të rëndësishme për zhvillimin e rajonit.

Sa i përket Serbisë ne e kemi prezantuar planin tonë për rritjen ekonomike për tre vjetët e ardhshëm dhe përputhet me atë që po bëjmë me BE-në. Ne do të bëjmë gjithçka që reformën ta bëjmë që të mund të kemi qasje në mjetet financiare sa më shpejt që të jetë e mundur, së bashku me gjithë të tjerët. Besoj se të gjithë së bashku, duke punuar në këtë plan, do të bëjmë përparim të madh”, ka thënë Vuçiq.

Ndërkaq, në fund, në deklaratën e përbashkët, liderët theksuan se Plani i rritjes për BP-në, paraqet një perspektivë të re për të nxitur konvergjencën ekonomike dhe sociale në këtë rajon. Në deklaratë, liderët poashtu u zotuan se do t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre për promovimin e integrimit ekonomik rajonal përmes Tregut të përbashkët rajonal, bazuar në rregullat dhe standardet e BE-së.


Më poshtë, deklarata e përbashkët e liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, pas takimit të sotëm të mbajtur në Shkup

Çka është plani për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor?

Sikurse njofton REL, plan i ri për rritje ekonomike në vendet e Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, më 8 nëntor të vitit 2023, është i bazuar në katër shtylla.

Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së”.

Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.

Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”.

Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.

Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.

Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.

Pasi vendet e rajonit në raportet tregtare me Bashkimin Evropian përfitojnë edhe nga Marrëveshjet përkatëse të Stabilizim-Asociimit, KE-ja propozon që të shkohet edhe përtej kësaj, duke bërë edhe ndryshime në këto marrëveshje për të mundësuar kushte të barabarta në treg dhe mes vendeve në procesin e zgjerimit dhe vendeve anëtare të BE-së.

Të gjitha këto qëllime janë në përputhje edhe me idetë që po realizohen përmes Procesit të Berlinit, si dhe krijimin e “tregut të përbashkët rajonal”.

 

 

 

 

Të fundit