E premte, 17 Maj, 2024

PENDAROVSKI: EKSTRADIMI I PALEVSKIT MUND TË NDODHË SË SHPEJTI

Ekstradimi i të dyshuarit për vrasjen e dyfishtë, Lupço Palevski-Palço mund të ndodhë së shpejti, kështuqë mbeten vetëm të dakordohen detajet e pranim- dorëzimit të cilat janë të natyrës teknike, informoi presidenti Stevo Pendarovski në intervistë për Televizionin Sitel.

Vonë pasdite morëm informatë se ekstradimi i tij nuk është i kontestuar nga aspekti i inteligjencës dhe sigurisë dhe në mënyrë praktike tani mbeten vetëm hollësitë teknike nga ajo që quhet ndihmë juridike ndërkombëtare që ndodhë si proces midis dy ministrive të drejtësisë. Do të thotë, nëse guxoj të parashikoj, për shkak se kjo nuk është kontestuese, kishte çështje me disa pjesëtarë të FETO-s, e mbani mend…nuk do të ketë kurrfarë kushtëzime. Nga ky aspekt puna është e pastër dhe tani mbetet vetëm të dakordohen hollësitë për pranim-dorëzim të cilët janë të karakterit teknik. Do të thotë, se ky ekstradim mund të ndodhë shumë shpejtë”, – tha Pendarovski.

I dyshuari kryesor për vrasjen e dyfishtë, Lupço Palevski u kap më 5 dhjetor në qytezën Balikesir, në jug të Stambollit. Ai fillimisht ishte arratisur në Serbi, me ndihmën e avokatit të tij personal, të cilin e kishte gënjyer, sipas këtij të fundit, se duhej të shkonte atje për një kontroll shëndetësor. Avokati më pas u mor në pyetje në hetuesi në Shkup, por nuk janë caktuar masa kundër tij. Nga Beogradi, autori i dyshuar është larguar përmes Bullgarisë për në Turqi me ndihmën e një qytetari të Strumicës (në juglindje të Maqedonisë së Veriut). Organet hetuese e kishin zbuluar atë dhe atij i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa nuk dihet nëse ky individ i kishte shpjeguar hollësitë rreth arratisjes së Palevskit në Turqi, ku rezultoi në kapjen e shpejt të tij nga polcia e atjeshme.

Kujtojmë se ministria e Drejtësisë në Shkup i ka dorëzuar autoriteteve turke dokumentacionin e nevojshëm me kërkesën për ekstradimin e autorit të dyshuar për vrasjen e vajzës 14-vjeçe, Vanja Gjorçevska në Shkup dhe Pançe Zhezhovskit, 74-vjeçar nga Velesi. Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë një marrëveshje midis tyre për ekstradim, por ekspertët e çështjes në Shkup paralajmërojnë partitë politike dhe median që të mos e politizojnë aktin sepse, sipas tyre, mund të vështirësohen procedurat e ekstradimit të Palevskit në vend.

Ndër pesë të arrestuarit që po mbahen në paraburgim në Shkup ndodhet edhe babai i 14-vjeçarës, Aleksandar Gjorçevski, i dyshuar për përfshirjen në rrëmbimin e saj. Gjorçevski dyshohet se katër të tjerëve u ka ndihmuar duke dhënë informacion për vajzën e tij, pra për kohën kur ajo do të shkojë në shkollë, në mënyrë që ajo të rrëmbehej. Fillimisht atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe më pas ka qëndruar edhe 30 ditë në Shutkë. Gjatë gjithë kësaj kohe, siç pretendon avokati i tij, ai nuk është thirrur në prokurori për të dhënë deklaratë.

Kujtojmë se Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe rasti bëri bujë të madhe në Maqedoninë e Veriut, duke nxitur dezinformata dhe një sërë spekulimesh. Më 3 dhjetor u gjet trupi i saj i pajetë, gjithashtu, i pajetë u gjet edhe trupi i 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski. Dy të vrarët nuk kishin ndonjë lidhje me njëri-tjetrin, por për rrëmbimin e Vanjës u përdor vetura e Zhezhovskit.

Të fundit