E premte, 17 Maj, 2024

ZARA TËRHEQ FUSHATËN KONTROVERSE

Kompania e modës Zara ka hequr një fushatë të diskutueshme reklamuese nga faqja e saj e internetit pasi aktivistët pro-palestinezë kërkuan të bojkotohen produktet e saj, përcjell KDP.

Inditex, kompania që zotëron Zara, tha të hënën se ndryshimi ishte pjesë e një procesi normal të rifreskimit të përmbajtjes dhe se fotot janë bërë në shtator, para luftës aktuale midis Hamasit dhe Izraelit.

Fushata reklamuese shfaqi manekinë pa gjymtyrë dhe statuja të mbështjella me leckë të bardhë. Disa aktivistë thanë se fotot u ngjanin imazheve nga sulmi i Izraelit në Gaza, ku mijëra palestinezë u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën.

Llogaria e Zarës në Instagram është vërshuar nga dhjetëra mijëra komente në foto, shumë me flamuj palestinezë, ndërsa “#BoycottZara” ishte trend në platformën X.

Incidenti vjen pasi sulmi i Izraelit në Rripin e rrethuar të Gazës hyn në muajin e tretë, ku zyrtarët palestinezë thonë se janë vrarë më shumë se 18,000 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë.

Zara tha se fushata reklamuese ishte konceptuar në korrik, fotot ishin bërë në shtator dhe ishin frymëzuar nga rrobaqepësia e burrave nga shekujt e kaluar. Kompania nuk ka komentuar thirrjet për bojkot.

Të fundit