E diel, 19 Maj, 2024

PËRSE PO VJEN ALBIN KURTI?

Autor: Lens Golemi

Në historikun e bashkëpunimit  dhe të marrëdhënieve ndërpartiake, ndër-shqiptare, kosovaro-shqiptare, vizita në Tetovë e së premtes, pak para faljes së namazit të iqindisë, e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të mbetet e shënuar për ndryshim axhende, jo për shkaqe sigurie, por  – për ta arsyetuar qëllimin: Komuna e Tetovës dhe i pari i saj, jo pa zhurmë e paralajmëruan si ngjarje që do të provonte fillimin e ndërtimit të rrugës, jo Tetovë-Prizren, por Vicë (një fshat ky në zonën kufitare me Kosovën, në malësinë e Tetovës) – Prizren. Do kishte llogjike, ta zëmë, të shitej si hapje e rrugës Vicë-Lubinjë e Epërme (një fshat ky në zonën kufitare të Kosovës me Maqedoninë e Veriut, shumë afër  katundit Vicë që njihet për nga patatet dhe rritja e gjedhave)! Si duket, duhet të ketë ndodhur ndonjë reflektim tek pala kosovare, për shkak se edhe ajo, si dhe homologët e saj nga pala e Maqedonisë, jo njëherë gjatë këtyre 20 muajve ka rrahur gjoks për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren! Së këndejmi, të mërkurën zyra për informim e kryekomunarit të Tetovës, Bilall Kasami, shpjegoi se në Vicë ky i fundit dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të bëjnë të xhumanë në ora 17.45 deklarata për “lansimin e idesë së kyçjes së të gjithë fshatrave të malësisë në rrugën Tetovë-Prizren”!

Në vend se të pranohej objektivi dhe interesi i dyanshëm për këtë takim se, ta zëmë, Kurti me të e “çanë bllokadën” izoluese të imponuar nga faktori i jashtëm, ndërsa Kasami – të majmërojë subjektin që drejton, si viçat e Vicës, nga zyra për informim e këtij të fundit, pohohet diçka që edhe marsianëve do t’ju dukej e çuditshme: I bie sikur “projekti i rrugës Prizren-Tetovë, i aprovuar bashkarisht nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për çka ka edhe studim të fizibilitetit” nuk parashikon “kyçjen e të gjithë fshatrave të malësisë në rrugën Tetovë-Prizren”, sikur këta malësorë nuk e dinë se rrugët i bashkojnë njerëzit!?

Kjo është ajo që të vret syrin e të nënçmon inteligjencën, ani që vizita e Kryemininistrit të Republikës së Kosovës, e kundruar edhe nga kënde të tjera, në momentin e përplasjeve pozitë-opozitë në skenën politike të Maqedonisë së Veriut, hap edhe çështje  të tjera të interferimit në një vend fqinj që po iu afrohet zgjedhjeve të përgjithshme, nga njëra anë, dhe që, si e tillë, mund t’i kthehet si bumerang edhe kreut të ekzekutivit kosovar, për shkak se është dhe mund të merret edhe si yrnek nga pala serbe për të vazhduar avazin e vjetër me filialat e veta në Veri të Kosovës, por edhe në Gorë, në kufi me Shqipërinë ku sot e kësaj dite funksionojnë të ashtuquajturat “institucione paralele” të Beogradit zyrtar, me firma dhe para, natyrisht!

 

 

 

Të fundit