E shtunë, 25 Janar, 2025

HAMIDI PËR KDP: PAS NDËRKOMBËTARËVE DHE RAMËS, KURTI FTOH RAPORTET EDHE ME AHMETIN

Promovimi i idesë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren është vetëm alibi i vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Tettovë, thotë analisti nga Kosova dhe kryeredaktor i Front Online, Lavdim Hamidi, në një bisedë për KDP.MK. Ai thekson se Qeveria Kurti, e cila aktualisht po përballet me sanksione nga BE-ja dhe SHBA-të, ka mungesë të ftesave për vizita zyrtare në shtetet perëndimore, kështu që në mungesë të këtyre vizitave Kurti po zgjedh vizitat jo zyrtare.

Shkruan: Enis Shaqiri 

“Është fakt se kryeministri Kurti, Qeveria e së cilit po përballet me sanksione nga BE-ja dhe SHBA-të, ka mungesë të ftesave për vizita zyrtare në shtetet perëndimore, ndërsa shefi ekzekutivit Kosovar edhe në ato shtete ku ka mundësi të realizojë vizita zyrtare, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut, po zgjedhë vizitat jo zyrtare, apo të themi vizitat private”, thotë Hamidi për KDP.

Kryeministri Kurti të premten do të udhëtojë në Maqedoninë e Veriut, ku do ta takojë kryetarin e Komunës së Çairit në Shkup, Visar Ganiun dhe kryetarin e Tetovës, Bilall Kasami, të dy përfaqësues të partive opozitare shqiptare. Kurti po vjen për një vizitë joformale në Shkup dhe Tetovë, ndërsa takimet me partitë në pushtet nuk janë në rend dite.

Gjatë vizitës joformale në vend në fillim ai është paraparë të qëndrojë në Çair, ku do të bëhet inaugurimi i rrugës “Adem Demaçi”, më pas do të niset për në Tetovë ku do të ketë takim me kryetarin e kësaj komune, për të promovuar idenë e lidhjes rrugore mes Prizrenit dhe Tetovës.

Por Hamidi thotë se qëllimi i vizitës është i pakuptimtë dhe qëllimi – i kotë. Sipas tij, për këtë projekt të madh infrastrukturorë do të kishte qenë e udhës që të diskutohej mes kryetarit të Prizrenit dhe të Tetovës.

Lavdim Hamidi, kryeredaktor i “FrontOnline”

Arsyetim i kotë. Po të ishte ashtu, ky projekt i madh infrastrukturorë do të diskutohej mes kryetarit të Prizrenit dhe atij të Tetovës. Por, për projekte të tilla madhore do të duhej diskutuar mes shefave të ekzekutivit të dy vendeve, e jo kryeministri i një shteti me kryetarin e Komunës të një shteti tjetër. Kjo vizitë më shumë është politike, se sa që do të diskutohej për tema ekonomike. Si mund të diskutohen tema të tilla me kryetarin e Tetovës, kur Qeveria Kurti ka dështuar keq në realizimin e investimeve kapitale në Kosovë. Për 6 muajt e parë të vitit, shteti i Kosovës ka arritur ta shpenzojë veç 18% të buxhetit të planifikuar për investime kapitale”, thotë Hamidi.

Vizita e Kurtit në Çair, ndërkaq, vjen në kohën kur Izet Mexhiti e Visar Ganiu janë ndarë nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Pra, kjo vizitë vjen në prag të formimit të partisë së tyre të re “Lëvizja Demokratike” e cila doli nga fraksionistët e BDI-së të njohur në opinion si “Grupi Zjarrit”.

Lidhur me këtë, analisti Hamidi, thotë se asnjëherë që nga paslufta Kosova nuk ka pasur raporte “të akullta” jo vetëm me fqinjët, por edhe Bashkimin Evropian dhe SHBA-të. Ai shton se Kurti është kryeministri i parë i Kosovës që ka raporte të ftohta me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kreun e Integristëve (BDI) Ali Ahmetin, si dhe me shefin e diplomacisë Bujar Osmanin.

Asnjëherë që nga paslufta Kosova nuk ka pasur raporte “të akullta” jo vetëm me fqinjët, por edhe Bashkimin Evropian dhe SHBA-të. Kurti është kryeministri i parë i Kosovës që ka raporte të ftohta me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe liderët e Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmetin, Bujar Osmanin, etj. Kjo për faktin se Kurti ka menduar që të bëhet një faktor i rëndësishëm politik në Shqipëri, por në zgjedhjet e fundit parlamentare atje partia e tij pësoi debakël. Synime të tilla Kurti ka edhe në Maqedoninë e Veriut, ku planifikon të katapultohet nëpërmjet Lëvizjes “Besa”, duke goditur kështu partinë e Ali Ahmetit (BDI)”, thekson Hamidi.

Ai thotë se edhe në “Maqedoninë e Veriut së shpejti, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të shihet se sa do të mund t’u ndihmojë Kurti kundërshtarëve politik të Ali Ahmetit, i cili për më shumë se dy dekada është lider i pakontestueshëm i shqiptarëve ne Maqedoninë e Veriut”.

“Personalisht nuk kam besuar në fuqinë politike të Kurtit në Shqipëri, e cila gjë u dëshmua vite me parë, por nuk besoj as një ndikim të tij tek shqiptarët në Maqedoninë e Veriut”, thotë Hamidi.

Ndryshe, vizita e pazakontë e Kurtit në Maqedoninë e Veriut ka ngjallë reagime të shumta. Kjo për shkakun se ai takohet jo me homologun e tij, por me kryetarë të komunave dhe vetëm me liderë të opozitës shqiptare. Nga kabineti i tij kanë thënë se kjo vizitë ka të bëjë vetëm me lëshimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair dhe promovimin e idesë së rrugës që lidh Tetovën me Prizrenin. Nga zyra e Kurtit thonë komunikimi midis qeverive të të dyja vendeve është i rregullt, ndërkohë që rikujtojnë se në qershor, në kuadër të Forumit të Prespës në Strugë, kryeministri ka zhvilluar takime me përfaqësuesit shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë edhe Ali Ahmetin.

Të fundit