E hënë, 20 Janar, 2025

ARRESTOHET OFICERI GJERMAN, SPIUNOI PËR RUSËT

Prokurorët gjermanë thonë se kanë arrestuar një oficer të prokurimeve ushtarake, i dyshuar se i ka kaluar informacione të klasifikuara shërbimit të inteligjencës ruse. Shtetasi gjerman, i identifikuar si Thomas H., ka kontaktuar me iniciativën e tij disa herë konsullatën ruse në Bon dhe ambasadën ruse në Berlin nga maji i këtij viti e deri më tani dhe ka ofruar bashkëpunim, përcjell KDP.

“Prokuroria publike arrestoi një oficer gjerman i dyshuar për bashkëpunim me shërbim sekret të huaj. Vigjilenca është tema e ditës”, shkroi në Twitter ministri gjerman i Drejtësisë Marco Buschmann në platformën X.

Gjermania është një nga furnizuesit më të mëdhenj të pajisjeve ushtarake në Ukrainë dhe një nga objektivat kryesore të operacioneve të spiunazhit rus, të cilat janë intensifikuar ndjeshëm që nga pushtimi i Ukrainës.

Në një rast, i dyshuari i ka përcjellë informacionet e marra në punë për t’ia përcjellë shërbimit të inteligjencës ruse, pohoi prokuroria gjermane.

I dyshuari është arrestuar në Koblenz, ndërsa i është kontrolluar shtëpia dhe vendi i punës. Gjykatësi i ka caktuar masën e paraburgimit.

Rreth 12,000 njerëz punojnë për agjencinë e prokurimeve të ushtrisë gjermane, duke përfshirë rreth 1,800 ushtarë. Në vitin 2021, agjencia lidhi kontrata për blerjen e armëve dhe pajisjeve për Bundeswehr-in me vlerë 17.6 miliardë euro.

Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet gjermane arrestuan një punonjës të shërbimit sekret – BND, i cili dyshohej për spiunazh në Rusi.

Të fundit