E mërkurë, 15 Maj, 2024

MAQEDONI E VERIUT, OPOZITA KËRKON ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME

Në Maqedoninë e Veriut opozita po kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Si rezultat i kësaj kërkese, ata kanë ndërprerë të gjitha komunikimet me Qeverinë për ndryshimet kushtetuese. Mirëpo kryeministri maqedonas ka njoftuar se ndryshimet kushtetuese do të dorëzohen së shpejti në Kuvend dhe se të njëjtat nuk kanë lidhje me mandatin e Qeverisë.

Opozita maqedonase ka vendosur t?i ndërpresë të gjitha komunikimet me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për ndryshimet kushtetuese.

Kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski thotë se tani e tutje është i gatshëm të flet ekskluzivisht vetëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nuk ka më asgjë në tavolinë, por ka një punë dhe ajo është që të ulemi dhe të merremi vesh për zgjedhjet, kur do të mbahen, me ose pa Qeveri teknike dhe gjithçka tjetër që lidhet me zgjedhjet. Nga sot e tutje nuk do të flas asgjë që ndërlidhet me ndryshimet kushtetuese por gjëja e vetme që do të flas janë zgjedhjet të parakohshme parlamentare”, tha Mickovski.

Nga ana tjetër,kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski deklaroi se  amendamentet për ndryshimet kushtetuese do të dorëzohen në Kuvend brenda dy javëve të ardhshme. Sipas tij,ato nuk lidhen me mandatin e Qeverisë por me integrimin e vendit në BE.

“Procesi i ndryshimeve kushtetuese nuk ka të bëjë me mandatin e Qeverisë, por me integrimin evropian të shtetit dhe është obligim i çdo partie politike që të mbështesë integrimin evropian”, tha Kovaçevski.

Për tu bërë ndryshimet kushtetuese nevojiten 2 të 3-tat e votave të deputetëve,që shumica parlamentare nuk i ka.

Maqedonia e Veriut është e kushtëzuar nga Bullgaria që ta fus në kushtetutë edhe pakicën bullgare, në të kundërtën nuk do të mund t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Të fundit