E mërkurë, 22 Maj, 2024

GEORGI GOSPODINOV: PATA NDJESINË SE DIÇKA KISHTE SHKUAR KEQ NË MEKANIZMIN E KOHËS

Fituesi i Çmimit Ndërkombëtar Booker 2023

Që në fillim, kur shkruaj në bllokun e shënimeve, mund të jem kudo. Mund të duket e çuditshme të shohësh dikë që përdor një bllok shënimesh ku shënon fshehurazi mendimet në një vend të rastësishëm, pasdite. I dua shumë pasditet. Pastaj, kur vjen puna te shkrimi i vërtetë, parapëlqej të jem në të njëjtin vend, të jetë mëngjes dhe të jem vetëm. Nuk kam arritur kurrë të kem një “dhomë më vete”, ndaj shkruaj në dhomën e ndenjjes kur familja ime nuk është aty. Dikur pija shumë duhan, por s’pi më, kam zbuluar se nëse historia të rrok, s’ke nevojë për asgjë tjetër rreth teje: kafe, cigare, arra. Qëllimi i vetëm është të mos humbësh rrjedhën e gjuhës. 

Përktheu nga anglishtja Granit Zela

Si ndihesh tani që je në listën finaliste për Çmimin Ndërkombëtar Booker 2023 dhe çfarë domethënie do të kishte për ty fitorja?

Jam i lumtur, siç janë shumë njerëz në Bullgari. Del që “Kohëstrehimi” (Time Shelter) është libri i parë i shkruar në bullgarisht që është propozuar Booker-in Ndërkombëtar. Kjo nxit shkrimtarët jo vetëm nga vendi im, por edhe nga Ballkani, të cilët shpesh e ndiejnë veten jashtë sferës së vëmendjes anglishtfolëse. Zakonisht hamendësohet se “temat e mëdha” janë për “letërsitë e mëdha”, ose për letërsitë e shkruara në gjuhë të mëdha, ndërsa gjuha e vogël, deri diku i mbetet lokalja dhe ekzotikja. Vlerësimet si Çmimi Ndërkombëtar Booker po e ndryshojnë këtë gjendje, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mendoj se çdo gjuhë ka aftësinë për të treguar historinë e botës dhe historinë e një individi. Nëse romani im, “Kohëstrehimi”, fiton, kjo do të thotë se ankthet dhe parandjenjat e këqija janë kuptuar.

Çfarë ju frymëzoi për librin? Si lindi dëshira për ta treguar këtë histori të veçantë?

Shtysa për ta shkruar këtë libër erdhi nga ndjesia se diçka kishte shkuar keq në mekanizmin e kohës. Mund të përkapje atmosferën e ankthit që varej pezull, mund ta prekje. Pas vitit 2016 dukej se po jetonim në një botë tjetër dhe në një kohë tjetër. Më nxiti shpërbërja e botës me përhapjen e populizmit dhe luajtjen e kartës së “të kaluarës së madhe” në SHBA dhe në Evropë. Dalja e Britanisë nga BE-ja ishte një tjetër shtysë. Unë vij nga një sistem që propagandonte një “të ardhme të ndritur” nën komunizëm. Tani gjërat kanë ndryshuar dhe populistët po propagandojnë një “të kaluar të ndritur”. E kam provuar në lëkurën time që të dyja kartat janë të rreme, s’mbështeten nga asgjë. Dhe kjo është arsyeja pse doja të tregoja këtë histori për “referendumet për të kaluarën”, që ka ndërmarrë çdo vend evropian. Si mund të jetohet pa kuptuar dhe pa të ardhme? Çfarë bëjmë kur na pushton pandemia e së shkuarës? Kreu i fundit i romanit përshkruan se si e kaluara rishfaqet: trupat dhe tanket e grumbulluara për të rikrijuar fillimin e Luftës së Dytë Botërore pushtojnë papritur territorin e vendit fqinj. Romani u botua në bullgarisht në vitin 2020.

Sa kohë u desh për të shkruar librin dhe si ndodh procesi i të shkruarit? Shkruani në kompjuter apo me dorë? Shkruani variante të ndryshme apo keni shpërthime të papritura krijuese? A krijohet subjekti dhe struktura e ndërlikuar e romanit që në krye të herës?

Ideja për personazhin tim Gaustine, i cili themelon “klinikat e së kaluarës” për të krijuar kohë të mbrojtur për njerëzit që po humbasin kujtesën, më erdhi para 15 vjetësh. Në gjashtë apo shtatë vitet e fundit, kam kuptuar se e kaluara mund të jetë një “përbindësh i heshtur” dhe kthimi i saj kolektiv nuk është aspak i pafajshëm. Gjatë kësaj kohe, fillova të bëj shumë kërkime, kisha një bursë njëvjeçare në Qendrën Cullman të Bibliotekës së Nju Jorkut. Vetë procesi i shkrimit zgjati gati tre vjet. Gjithmonë shkruaj variantin e parë ose hedh shënimet e para në një bllok shënimesh, dhe vetëm më pas i shkruaj në kompjuter. Gjatë kësaj kohe, gjithmonë në fund kam shtatë variante të romanit. Ideja për të kaluar nga klinikat e së shkuarës, të cilat merren me të shkuarën private të pacientëve/banorëve, te referendumet evropiane për të shkuarën ishte korniza e pergjithshme e subjektit që në fillim. Por unë jam lloji i shkrimtarit që i pëlqen të ndjek gjuhën dhe vetë historinë në vetvete. Mendoj se gjuha është më e mençur se ne. Vij nga poezia, ndaj çdo fjalë është e çmuar për mua. I shkruaj romanet fjali pas fjalie. Dhe nëse mund të arrij deri në pikën ku ndjek zërin e rrëfimtarit, me gjuhën dhe ritmin e vet, madje ndonjëherë duke u habitur me mënyrën se si po shpaloset historia, kjo është gjë e mirë për librin. S’më pëlqejnë romanet e shkruara si Tabela Periodike, ku shkrimtari e di që në fillim se çfarë do të ketë në secilën kuti. Dua që historia të më emocionojë, të jetë e natyrshme dhe njerëzore, duke mos shkuar nga pika A në pikën B, por përkundrazi të humbasë dhe të rigjejë rrugën. Veç kësaj, një roman për humbjen e kujtesës (si personale ashtu edhe kolektive) s’mund të ishte ndryshe.

Ku shkruani? Si duket hapësira ku punoni? 

Që në fillim, kur shkruaj në bllokun e shënimeve, mund të jem kudo. Mund të duket e çuditshme të shohësh dikë që përdor një bllok shënimesh ku shënon fshehurazi mendimet në një vend të rastësishëm, pasdite. I dua shumë pasditet. Pastaj, kur vjen puna te shkrimi i vërtetë, parapëlqej të jem në të njëjtin vend, të jetë mëngjes dhe të jem vetëm. Nuk kam arritur kurrë të kem një “dhomë më vete”, ndaj shkruaj në dhomën e ndenjjes kur familja ime nuk është aty. Dikur pija shumë duhan, por s’pi më, kam zbuluar se nëse historia të rrok, s’ke nevojë për asgjë tjetër rreth teje: kafe, cigare, arra. Qëllimi i vetëm është të mos humbësh rrjedhën e gjuhës.

Si ishte përvoja e punës me përkthyesen e librit, Angela Rodel? Sa keni punuar së bashku për botimin anglisht? I keni dhënë ndonjë udhëzim apo këshillë të veçantë? A ka pasur çaste befasuese gjatë bashkëpunimit, çaste të gëzueshme, apo sfida?

Më pëlqen të punoj drejtpërdrejt me përkthyesit e mi, të marr pyetjet e tyre dhe t’u përgjigjem. Gjithmonë dyshoj te përkthyesit që s’kanë pyetje për tekstin. E di që kam krijuar  shumë gracka në atë që kam shkruar; referenca, citate, aluzione. Si një autor për të cilin vetë gjuha është e epërme, më duket se librat e mi s’janë të lehtë për t’u përkthyer. Mendoj se Angela Rodel-i ka bërë një punë vërtetë mbresëlënëse me përkthimin e saj, sepse shpesh i duhej të përkthente jo vetëm tekstin, por edhe kontekstin e të gjitha historive brenda romanit. Romani luan me rishfaqjen e dekadave të ndryshme të shekullit të njëzetë dhe ka shumë pjesë delikate ku zhargoni i një epoke të caktuar duhet të ngjajë i vërtetë. Në këtë rindërtim të ri të së shkuarës aktivizohen shtresa të ndryshme të gjuhës dhe të kujtesës.

Si mund të përkthehet e shkuara personale dhe kolektive? Dhe si mund të përkthehet shablloni nacionalist për vendet e ndryshme në roman?

Më kujtohet se në anglisht kushim një barasvlerës të kënaqshëm të titullit, i cili është një neologjizëm. Loja e fjalëve në frëngjisht, spanjisht dhe danisht me “strehim kundërajror” nuk doli edhe aq mirë. Një problem tjetër ishte ligjërata e drejtpërdrejtë, e cili në origjinal nuk tregohet se është e tillë. Në bullgarisht është disi më e lehtë për t’a ndjekur, por në anglisht jo shumë. Patëm gjithashtu një diskutim të gjatë me redaktorin nëse ligjërata duhet të jetë me thonjëza apo të ndiqet logjika e origjinalit. Vendosëm të rrezikonim, prandaj Angela kishte detyrën e vështirë për të përkthyer dy zërat – atë të Gaustinit dhe të rrëfimtarit, zëra paralel, si dy fije që ndërthuren dhe ndahen. Ky bashkim dhe ndarje zërash është logjikisht i rëndësishëm për romanin, ndaj më vjen mirë që mbajtëm qasjen origjinale ndaj ligjëratës.

Pse mendoni se është e rëndësishme që të vlerësohet letërsia e përkthyer?

Më lejoni ta them më thjeshtë. Kur kemi veshë dhe sy (dhe një përkthim) për historinë e Tjetrit, kur e dëgjojmë dhe lexojmë, ata bëhen një person si ne. Rrëfimi i historive krijon  ndjeshmëri. Ai shpëton botën. Sidomos një botë si kjo në të cilën jetojmë sot. Ne shkruajmë për të shtyrë fundin e botës. Dhe fundi i botës është një gjë shumë vetjake. Ndodh në gjuhë të ndryshme. Përkthimi na krijon ndjenjën se po punojmë për këtë shtyrje së bashku. Na krijon ndjesinë se në historinë time bullgare të trishtimit dhe ankthit, në historinë peruane të dikujt tjetër, për shembull, dhe në historinë tuaj angleze, ne po lëndojmë në një mënyrë shumë të ngjashme, njerëzore. S’ka asnjë mënyrë tjetër për ta zbutur atë dhimbje dhe për të reaguar ndaj saj përveçse duke e treguar. Dhe në sa më shumë gjuhë ta tregojmë, aq më mirë.

Nëse do t’u duhej të zgjidhnit tri vepra artistike që të kanë frymëzuar më shumë në karrierën tënde, cilat do të ishin dhe pse?

Historitë e gjyshes që i dëgjoja kur isha fëmijë. Ato bënin njësh trillimin dhe realitetin, pa një fund të qartë për njërën dhe pa një fillm të tillë për tjetrën. Histori që kishin zëra dhe pëshpëritje, dhe mrekulli në fund. Për më tepër, personazhet jetonin në të njëjtin fshat me ne. Pastaj ishte historia e parë e Andersenit që lexova vetë, “Vajza e vogël e shkrepseve”, dhe lupa e lotëve përmes të cilave e nisja atë histori çdo herë. S’u besoj shkrimtarëve apo tregimtarëve që s’kanë qarë kur e kanë lexuar atë histori. Për temën e vdekjes dhe fëmijërisë atje. Mendoj se ndikoi në mënyrën si shkruaja më pas, ka ndikuar edhe te personazhi im Gaustine,  i cili thotë, “Ka vetëm fëmijëri dhe vdekje, dhe asgjë në mes”. Dhe së treti, do të tregoj dy vepra që janë vendimtare për romanin “Kohëstrehimi” dhe në përgjithësi për temën e kohës dhe e kujtesës: “Mali Magjik” i Tomas Manit dhe “Funesi dhe kujtesa” i Borgesit. Mani më duket gjithnjë e më i rëndësishëm, një lloj Ajnshtajni i kohës letrare dhe historike. Ndërsa me Borgesin, përballesh me ferrin vetjak të kujtesës, megjithëse gjithmonë kam ëndërruar të kem një mbi-kujtesë të tillë për të gjitha gjërat që zhduken, një kujtese të reve dhe qenve në orën tre pasdite. /Exlibris

 

18 prill, 2023

Të fundit