E martë, 30 Prill, 2024

SHFAQJA “TRI MOTRAT” E TEATRIT SHQIPTAR-EMOCION, DËSHPËRIM E EVAKUIM

Emocione të forta, dramë, dëshpërim, gëzim, çlirim e evakuim, përjetoi mbrëmë publiku artdashës i Shkupit gjatë shfaqjes së “Tri motrave” të Çehovit me regji të Qëndrim Rijanit.Shfaqja, e cila zgjati plot dy orë, ishte një përjetim i përbashkët, një udhëtim nëpër kohë dhe në skena i publikut me trupën e aktorëve të çdo emocioni që ata e vunë në skenë.

Vepra të zhvendos në një provincë të Rusisë në një familje ku brenda saj jetojnë tri motra dhe një vëlla. Olga, motra e madhe, e cila jep mësim në gjimnaz, Masha, motra e dytë është martuar me Kulliginin një mësues, Andreji, vëllai i tyre i pasionuar pas violinës, është punonjës në administratën lokale të qytetit i martuar me Natalian dhe Irina, motra e vogël punon telegrafiste. Motrat janë vajza me botë shumë të pasur intelektuale dhe shpirtërore. Kanë ëndrra dhe pasione për jetën, kërkojnë dashurinë e vërtetë dhe thirrja e tyre e fortë është “të shkojmë në Moskë”.

Gërshetimi midis përvojës së aktorëve më në zë të Teatrit shqiptar dhe energjive të bukura e të reja qenë një gjetje e përkryer që thyenin monotoninë e shfaqjeve klasike.

Emërues i përbashkët i të gjithë personazheve dukej se ishte arratisja… arratisja në një vend e një realitet tjetër dhe çlirimi nga ndjenjat e ndrydhura e fshehtësitë që bartnin prej kohësh në vete.

Dritat, efektet lëvizëse skenike, kostumografia avangarde e kohës kur është krijuar vepra, muzika dhe skenat intensive të jepnin ndjesinë sikur je njësh me aktorët në një xhirim të drejtpërdrejt të një trileri filmi.

Zhvendosja e publikut në ambiente të tjera të teatrit, që ndodhi si rrjedhojë e evakuimit nga “qyteti që digjej” e që regjisori kishte vendosur në këtë pjesë “të luaj” edhe me publikun, duke i dhuruar kështu emocionet e arratisjes apo evakuimit prej së vërteti, ishte pjesa më e bukur dhe kulmore e shfaqjes.

Interpretimin e gjallë, të fuqishëm dhe unik të roleve e sollën aktorët: Adem Karaga, Amernis Nokshiqi, Zarije Jonuzi-Çeliku, Sabina Memishi, Arben Rasimi, Sara Bajrami, Drita Kaba-Karaga, Hamdi Rashiti, Fisnik Zeqiri, Dritëro Ame, Abedin Alimi, Rrahim Ramadani, Mentor Kurti, Genci Mirzo, Hetem Etemi.

Skenografinë e shfaqjes e ka realizuar Bujar Muça, kostumografe, Marija Papuçevska, kompozitor Trimor Dhomi dhe koreograf Artan Ibërshimi.

Shfaqja “Tri motrat” e novelistit dhe dramaturgut rus Anton Pavloviç Çehov, e cila premierën e pati në tetor të vitit të kaluar, në festivalin “Moisiu” të Teatrit shqiptar i rrëmbeu dy trofe, atë për shfaqjen më të mirë dhe për regjinë më të mirë.

Të fundit