E premte, 19 Korrik, 2024

ARSIMI DUAL PROFESIONAL RRIT PUNËSIMIN E TË RINJVE (VIDEO)

AUTORE: ARTA TAHIRI

Sistemi arsimor i shkallës së mesme në Maqedoninë e Veriut viteve të fundit po bën hapa të sigurt në ndërlidhjen mes teorisë dhe praktikës, mes njohurive që nxënësit marrin nga librat dhe burime të tjera shkencore në lëndë të ndryshme profesionale dhe zbatimit të shkathtësive të fituara në kompanitë e vendit. Bashkëpunimi midis sistemit arsimor dhe biznesit mundësohet përmes modelit që burimin e ka në Zvicër, i njohur si arsimi dual profesional, që synon që përmes punës praktike të nxënësve të aftësojë kuadro të kualifikuara, për të cilat tregu i punës ka nevojë. Shkolla e mesme energjetiko makinerike; është përfshirë në projektin për zhvillimin dhe avancimin e sistemit dual në arsimin profesional, ndërsa profesori i praktikës profesionale Nderim Imami vlerësoi se modeli i ri kontribuon për zhvillimin e aftësive cilësore të punës, të cilat kërkohen nga punëdhënësit.

Nderim Imami, profesor i praktikës profesionale

“Kjo shkollë ka dy drejtime, katërvjeçare dhe trevjeçare. Në ato katërvjeçare janë Teknik i Makinerisë, Makineri për Udhëheqje Kompjuterike, Teknik i Makinerisë Energjetike, Teknik i Makinerisë për Automjete Motorike. Në drejtimin trevjeçar janë instalues të linjave gypore, Instalues të ngrohjes dhe klimatizimit, Përpunim të Metalit dhe Saldues. Sidomos në drejtimin trevjeçar firmat private janë më shumë të koncentruara, më shumë kërkojnë dhe mungesë të punëtorëve kanë. Kompanitë e jashtme janë duke investuar te nxënësit sepse duan që më pas nxënësit t’i mbajnë për vete që të mos marrin punëtorë nga jashtë, pasi ka kapacitet edhe vet shkolla që t’i edukojë, t’i mësojë, t’i trajnojë që si profil të jenë të gatshëm për të shkuar në vend të punës me shkollës të mesme.”

Imami thotë se ky model është tepër i nevojshëm, sepse hap perspektiva për të rinjtë, duke u siguruar vende të mira pune, edhe atë shumë shpejt pasi përfundojnë shkollimin e mesëm.

Kompania e njohur në Shkup “Makstill”, që gjendet në ish fabrikën e madhe të Hekuranës, është një në mesin e shumë kompanive që mbështesin projektin, duke angazhuar nxënës në punë praktike, por interesimi dhe rezultatet nga arsimi dual nuk janë në nivelin e dëshiruar. Kompania shprehet se gjithmonë ka nevojë për kuadro që gjatë shkollimit fitojnë kompetenca të specializuara profesionale, pasi në këtë mënyrë mundësohet zhvillim i hovshëm ekonomik.

Nxënësit shprehen se tashmë janë duke i zbatuar dijet dhe shkathtësitë e tyre në praktikën profesionale.

Korab Axhami, nxënës në shkollën e mesme profesionale “8 shtatori”

“Kam drejtimin për Teknik të udhëheqjes kompjuterike. Këtë drejtim e kam, pasur qejf që kur kam qenë i vogël dhe shpresoj të arrijë di[ka me këtë. Nga puna praktike përfiton shumë dituri dhe njohuri për zanatin që e zgjedh, sepse ndryshe është kur e mëson në orë mësimi në libra dhe ndryshe kur e sheh se si punohet me makina. Ne jemi 4 vetë të klasës tonë që shkojmë në praktikë në Vaptek dhe e kemi të garantuar punësimin pas vitit të katërt nëse nuk vazhdojmë në fakultet. Sapo ta mbarojmë vitin e katërt kemi përparësi më të mëdha mundemi të punësohemi në firma të mira vetëm duhet zanatin ta mësojmë mirë”.

Muhamed  Limani, nxënës në shkollën e mesme profesionale “8 shtatori”

“Kam arritur të mësoj se zanati është një prej punëve më të mira në jetë dhe benefitet janë që ka punësim të menjëhershëm pas mbarimit të shkollës së mesme. Kemi bursa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencave, ndërsa ka ndonjë fabrikë që paguan edhe për praktikën që e bën. Më pëlqen mbështetja e profesorëve e shoqërisë. I kisha lutur nxënësit e shkollave fillore që të vijnë në shkollat profesionale sepse ka punësim kërkohen tepër ndërsa nuk ka kudër për punëtorë”

Albin Abazi, nxënës në shkollën e mesme profesionale “8 shtatori”

“Unë jam Teknik i makinerisë për automjete motorike. Mbrapa kemi automjetin, ku shihen edhe pjesët e automjetit, motori i prerë në mes. Mënyra më e mirë është regjistrimi në shkolla profesionale se sa në gjimnaze se kërkesat janë më të mëdha dhe përfitime ka më shumë. Tregu ka nevojë për kuadër të tillë dhe kompanitë kanë nevojë për punëtorë të kualifikuar dhe menjëherë pas shkollimit ofrohet puna. Kemi shokë dhe kolegë dhe shokë që njohim që janë punësuar në kompanitë në të cilat kemi zhvilluar praktikën”

Hubejb Alili, nxënës në shkollën e mesme profesionale “8 shtatori”

“Jam në drejtimin teknik makinerisë për energjetikë. Mendoj që ka një punë të mirë për këtë drejtim, mendoj se është shumë më mirë se shkollat e tjera të mesme”.

Adhurim Mehmedi,  nxënës në shkollën e mesme profesionale “8 shtatori”

“Në të ardhmen neve na duhen shumë profesionistë”.

Në Maqedoninë e Veriut mësimi përmes punës është koncept relativisht i ri, ndërsa i njëjti ka shtuar nivelin e zbatimit në kuadër të modelit të arsimit dual, që nisi nga viti shkollor 2021/2022. Kjo praktikë e re e mësimit përmes punës me modelin dual është më efikase, krahasuar me modelin e arsimit të rregullt profesional. Deri në fillimin e këtij koncepti arsimi dhe biznesi kanë funksionuar si dy fusha që funksionojnë krahas njëra tjetrës, e jo që kanë interesa të përbashkëta dhe mbi të gjithë që përmes bashkëpunimit sigurojnë rritje të punësimeve dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Të fundit