E diel, 19 Maj, 2024

XHEZAIRI: TENSIONET NË KOSOVË – PARADHOMË E ZGJIDHJES FINALE

Gazetari Seladin Xhezairi thotë për KDP se tensionet e fundit në veri të Kosovës janë sinjal se Kosova dhe Serbia po shkojnë drejt finales së zgjidhjes së nyjës kosovare.

“Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, edhe kryeministri Kosovar, Albin Kurti, deri tani kanë shpalosur jo njëherë të ashtuquajturat “vija të kuqe”, në sensin e refuzimit të ndërsjellë të propozim-qëndrimeve respektive, por dy raundet e fundit, ai i Brukselit dhe Ohrit, sikur po dëshmojnë se faktori euro-amerikan ua ka ngushtuar hapësirat manovruese të dyja palëve. Prandaj, tensionet në komunat kosovare me shumicë serbe të popullsisë, në gjykimin tim, janë përgatitje e terrenit për normalizim të marrëdhënieve, me garanci ndërkombëtare. Besoj se krerët e të dyja shteteve fqinje do të detyrohen që të dalin para votuesve të tyre dhe të pranojnë se ‘murit nuk i bihet me kokë’ dhe konform kësaj, Marrëveshja e Bruksel-Ohrit është maksimumi që ka mund të arrihet”, thotë Xhezairi.

Ai gjithashtu thekson se ndërkombëtarët do të duhej të “luanin” më mirë, sikur këtë gjuhën agresive ndaj veprimeve të institucioneve të Kosovës në veri, ta përdornin edhe kur, serbët, vitin e kaluar, braktisën institucionet e Kosovës.

Kujtojmë se bashkësia ndërkombëtare ka dënuar ashpër “hyrjen me forcë” të krerëve të rinj komunalë dhe ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 30 maj kërkoi nga Kosova që të pezullojë operacionet policore rreth ndërtesave komunale në veri, në mënyrë që, sipas tij, të ulen tensionet në këtë pjesë.

Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”.

 

 

Të fundit