E shtunë, 11 Maj, 2024

ÇFARË DO TË THOTË FITORJA E ERDOGANIT PËR MAQEDONINË E VERIUT DHE RAJONIN?

Turqia në të gjitha anketat shfaqet ndër vendet më miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, duke bashkuar kështu maqedonasit dhe shqiptarët etnik, për dallim nga shtetet tjera ku shfaqen qëndrime krejt të kundërta. Ka mendime të ndryshme për këtë, sidomos ndër shqiptarët etnik në rajon, pjesa më e madhe e të cilëve është e besimit mysliman. Ndërtimet e xhamive të reja dhe restaurimet e atyre të vjetra shpesh kanë ngjallur dilema dhe debate nëse me këtë Turqia tenton të arrijë një ndikim të madh me një kosto të lirë.

Shkruan: Xhelal Neziri

Fitorja e Rexhep Taip Erdoganit në zgjedhjet presidenciale të Turqisë u festua edhe në qytete të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Mandatit të tretë me radhë presidencial iu gëzuan shumë qytetarë në Shkup, Tetovë, Gostivar, Prizren dhe në lokalitete tjera të rajonit, të cilët në figurën e Erdoganit shohin liderin e të gjithë myslimanëve në botë. Euforia e festimit të fitores së Erdoganit jashtë Turqisë, nga njerëz që as nuk jetojnë në këtë shtet e as nuk kanë pasur të drejtë votimi, është tregues për ndikimin që ka Turqia në rajon.

Gjatë fushatës parazgjedhore, ku Erdogan garonte me kandidatin e opozitës Kemal Kiliçdaroglu, një pjesë e politikanëve dolën publikisht në mbështetje të tij. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, doli me apel për shqiptarët me shtetësi turke të mbështesin Erdoganin. Vetëvendosja e Albin Kurtit këtë e bëri në mënyrë të tërthortë. Partitë BESA dhe Alternativa, ndërkaq, dërguan ekipet e tyre që të ndihmojnë në teren fushatën e AKP-së së Erdoganit, duke marrë pjesë edhe në tubimin më të madh që ai mbajti në Stamboll.

Ky ndikim i madh i Turqisë së Erdoganit në rajon nuk do të vazhdonte nëse në krye të shtetit do të vinte Kiliçdaroglu. Tani Erdogani futet në dekadën e tretë të pushtetit, duke e kaluar edhe themeluesin e Republikës moderne Turke, Kemal Ataturk, i cili mbajti pushtetin për 15 vite. Me gjithë vështirësitë ekonomike të krijuara nga rënia rekorde e vlerës së lirës turke, politika e ndikimit të gjithanshëm të Turqisë në rajon do të vazhdojë të jetë realitet, së paku edhe në pesë vitet e ardhshme.

Si duhet parë ky ndikim?           

Turqia e sheh Maqedoninë e Veriut dhe rajonin e Ballkanit, në përgjithësi, si zonë të saj të interesit. Gjurmët e ndikimit turk janë të pranishme kudo në sferën publike, në çdo fushë të jetës. Përdorimi i fuqisë së butë (soft-power) në arritjet e objektivave të Turqisë në Ballkan e ka karakterizuar tërë praninë e saj në këtë rajon. Investimet në ekonomi, kulturë, arsim, sport dhe në aktivitete të ndryshme shoqërore i krijojnë një bazë të fuqishme për shtrirjen e ndikimit.

Në periudhën 2010-2020 Turqia gjithmonë ka qenë në top 10-shin e investuesve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Me 242 milionë euro kapital të investuara në vitin 2016 ka qenë e katërta, me njëherë pas Holandës, Greqisë dhe Britanisë së Madhe. Në vitin 2020 renditet e pesta me 403 milionë euro të investuara.

Ndikimi kulturor është i gjithpranishëm, sidomos nëpërmjet produksionit filmik dhe qendrave të ndryshme arsimore dhe kulturore. Serialet që shfaqen nëpër të gjitha televizionet e Maqedonisë së Veriut promovojnë një kulturë jetese, e cila jo që ka qenë e largët për ne. Rajoni dhe Turqia kanë qenë pjesë e një perandorie të përbashkët, pra asaj Osmane, dhe ky fakt është i pranishëm gati në çdo fushë.

Investimet në media poashtu i mundësojnë Turqisë të ketë një fuqi të konsiderueshme në formimin e opinionit publik në vend. Mediat shtetërore turke emetojnë programe në gjuhët e rajonit dhe të vendit, duke u bërë kështu një burim serioz i informacionit jo vetëm për ngjarjet që ndodhin në Turqi. Këto media tashmë kanë redaksi apo zyra në Shkup dhe në të gjitha vendet e rajonit.

Në kuadër të ndikimit kulturor, përveç mediave dhe produksionit filmik, një rol të veçantë luan edhe afërsia religjioze e popullatës së besimit mysliman. Nga pjesa më e madhe e popullsisë së Ballkanit, Turqia vazhdon të shihet si një vend lider i myslimanëve në botë. Duke marrë parasysh fuqinë ndikuese të religjionit në vend dhe rajon, një afërsi e këtillë gjithsesi se i mundëson Turqisë të ketë një ndikim edhe më të madh sesa ai që pritet, e që është duhej të ishte përpjesëtim të drejtë me investimet në ekonomi, para se gjithash. Nëse nëpërmjet investimeve të drejtpërdrejta ekonomike fitohet mendja, nëpërmjet investimeve në religjion fitohet zemra e qytetarëve.

Ndikim i dëmshëm apo i dobishëm

Turqia në të gjitha anketat shfaqet ndër vendet më miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut, duke bashkuar kështu maqedonasit dhe shqiptarët etnik, për dallim nga shtetet tjera ku shfaqen qëndrime krejt të kundërta. Ka mendime të ndryshme për këtë, sidomos ndër shqiptarët etnik në rajon, pjesa më e madhe e të cilëve është e besimit mysliman. Ndërtimet e xhamive të reja dhe restaurimet e atyre të vjetra shpesh kanë ngjallur dilema dhe debate nëse me këtë Turqia tenton të arrijë një ndikim të madh me një kosto të lirë.

Edhe pse mund të përkufizohet si një partner mjaft kompleks dhe problematik, që po shënon një rënie në kualitetin e demokracisë në vitet e fundit, megjithatë deri më tash Turqia nuk ka luajtur rol negativ në asnjë vend të Ballkanit. Si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, ky vend ka mbështetur objektivat strategjike të Maqedonisë së Veriut për integrim në strukturat euroatlantike. Roli i Ankarasë në pjesën më të madhe ka qenë konstruktiv në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të hapura në rajon. Andaj, ndikimi turk në vend dhe Ballkan nuk duhet parë si malinj, por si një prani normale e një vendi që sot paraqet një fuqi reale ekonomike dhe politike.

Të fundit