E diel, 27 Prill, 2025

RAPORTIMI I NJË TRAGJEDIE NË BUNË DHE NDOTJET ETIKE MBI MEDIAT

Nga Aleksandër Çipa

Gjetja në rrethana ende të pazbardhura plotësisht e trupave të një nëne 39 vjeçare dhe tri fëmijëve të saj, në ujërat e Bunës, në Shkodër, përbën lajmin më tronditës për krejt shoqërinë shqiptare këtë javë.

Përqëndrimi i reporterëve të kronikës tek kjo ndodhi ishte i pashmangshëm.
Lëndimi i shumëkujt në shoqërinë tonë dhe pse jo edhe ndërgjegjes publike, është i madh.
Historia, ende e panjohur në versionin autentik të saj, ka ngritur një diskutim shumëopcional për shkakun, rrethanat, përgjegjësinë autoriale dhe arsyet pararendëse të kësaj tragjedie.

Por e përbashkëta në gjykimin publik, lidhet me tragjedinë dhe pafajësinë e fëmijëve që u flijuan prej aktit fatal të nënës. Protagonizmi i së cilës, pamvarësisht nga halli që mund ta ketë shtyrë, i ka ndarë gjykimet, por tek më të arsyeshmit nuk gjen kategorikisht justifikim. Ndër ndodhitë e vetme, që në gjykimin publik nuk mungon edhe dënimi i protagonistes që është flijuar në këtë tragjedi, duke ndërprerë edhe jetët e tri fëmijëve të vet të pafajshëm.
Kërkimi i reporterëve për arsyet reale, për parahistorinë që solli këtë tragjedi, gjithashtu është detyrë profesionale. Në këtë kuadër, pothuajse gjithë rrjeti i tyre në skenën multimediale, qarkulloi në mediat tona dhe në hapësirën online shqiptare, sekuencën e regjistruar nga një kamer, (ndoshta private) kur nëna 39 vjeçare me fëmijët e vet të kapur për dore, ndodhej pranë bregut të lumit Buna, ku, sipas pohimeve të hetuesve zyrtarë, mendohet se ka ndodhur akti flijues për nënën me fëmijët.

Qarkullimi dhe ripublikimi i këtyre sekuencave, pse jo në masë inflacioniste, ka shkaktuar një breshër të fuqishëm kritikash për mediat dhe reporterët që i kanë shumëqarkulluar këto imazhe. Përfaqësues të ndryshëm të audiencave mediatike, sidomos virtualë, kanë lëshuar dhe vijojnë të nxisin anatemime të ashpra për këtë akt publikimi dhe shpërndarjeje.

Kemi të bëjmë me një rast që ka shkaktuar ndjeshmërinë më të madhe publike në hapësirën mediatike dhe atë virtuale, sidomos në rrjetet sociale. Kjo ndjeshmëri e natyrshme, po konvertohet nga kritikë për cënim të Kodit Etik, në një kryqëzatë verbale virtuale, me fyejre, akuza, mallkime dhe sidomos sharrje linçuese.

 

Të fundit