E premte, 17 Maj, 2024

PSE ERDOGANI ËSHTË AQ I LIDHUR ME TETOVËN?

Nga Ekipi i KDP 

Për herë të parë Recep Taip Erdogan erdhi në Tetovë në vitin 1994. Kishte ndenjur disa ditë te miqtë e tij të shumtë në këtë qytet, të cilin turqit e njohin si Kallkandelen, që në shqip do të thotë “penetrues i mburojës”. Ecja e tij nëpër rrugët e Tetovës kishte ngjarë me ndonjë fushatë për zgjidhje lokale: përshëndetje me kalimtarë, vizitë Xhamisë së Larme, Teqes Arabati Baba, vizitë tempujve të dijes…Ai kishte takuar edhe rektorin e parë të Universitetit të Tetovës, të ndjerin Fadil Sulejmani, menjëherë pasi ishte themeluar ilegalisht ky institucion i arsimit të lartë të shqiptarëve. Erdogani i ka dhënë mbështetje të parezervë UT-së dhe Sulejmanit, duke i premtuar ndihmë konkrete nga Komuna e Stambollit, ku sapo ishte zgjedhur si kryetar.

Poezia që e çoi në burg dhe strehimi në Tetovë

Pas zgjedhjeve lokale të 1994, Erdogan u zgjodh kryetar bashkie i Stambollit si kandidat i Partisë Islamike të Mirëqenies. Në vitin 1997, si kryebashkiak, ai i foli pushtetit me poezi. Në një tubim në qytetin e Siirtit, Erdogan iu referua lirshëm një poezie të nacionalistit turk Ziya Gokalp:

Xhamitë janë barakat tona,

kupolat helmetat tona,

 minaret bajonetat tona,

 dhe besimtarët ushtarët tanë.

Erdogan i kishte përfshirë këto rreshta në fjalimet e kaluara. Por këtë herë ata provokuan liderët ushtarakë laikë të Turqisë dhe elitën civile, të cilët sapo kishin rrëzuar kryeministrin e parë islamist të vendit nga pushteti dhe që e shihnin kryebashkiakun popullor të Stambollit me prirje islamike si një kërcënim.

Në vitin 1999, mijëra mbështetës e shoqëruan atë në burg, ku popullariteti i tij vetëm u rrit. Erdogan me sa duket doli nga burgu një njeri i ndryshuar. Pas vuajtjes së katër muajve të dënimit, Erdogan u lirua nga burgu në vitin 1999 dhe u rikthye në politikë. Por, paraprakisht shkoi prapë te miqtë e tij në Tetovë.

Behixhudin Shehapi e mban mirë mend këtë rikthim të Erdoganit në Tetovë.

“Gjatë vizitës së tij në Maqedoni në vitin 2000, pata rastin të takohem me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogani. Në fakt, organizatorët e asaj vizite jozyrtare, ne mesin e te cilëve edhe z.Qenan Mazllami kryetar i Partise se Aksionit Demokratik e kishin planifikuar që përveç se me rektorin e Universitetit të Tetovës, kryetarëve të disa komunave dhe autoriteteve fetare, të realizohet edhe një takim me Organizatën Humanitare “El Hilal”, e cila atë kohë ishte mjaft e shquar për faktin se kishte menaxhuar krizën e refugjatëve kosovarë në bashkëpunim me shumë faktorë relevantë botërorë”, thotë në një bisedë me KDP Shehapi.

Në këtë takim, sipas rrëfimit të Shehapit, presidenti i Turqisë nga prof.dr. Abdurauf Pruthi, kryetar i organizatës dhe prej tij si sekretar gjeneral, u informua për punën dhe për dinamikën e kthimit përkatësisht të riatdhesimit të refugjatëve kosovarë si dhe për projektet rehabilituese.

“Duke qenë se jam njohës i trashëgimisë kulturore, ai e dinte këtë fakt ndaj u interesua gjithashtu për gjendjen e monumenteve kulturore si dhe për statusin e Çarshisë së Vjetër të Shkupit, ku edhe u realizua takimi”, rikthen kujtimet Shehapi.

Behixhudin Shehapi

Në atë vizitë të para 23 vjetëve, Shehapi thotë se Erdogani u tregua si një vizionar. “Ai ka treguar një kujdes dhe interes të veçantë për vendet tona, për myslimanët në përgjithësi dhe për shqiptarët në veçanti”.

Shehapi ka pasur rastin ta takojë edhe disa herë më vonë. “Çdo herë ishte koshient për çështjet tona dhe me dëshirë dhe vendosmëri për mbështetje të parezervë”.

Kthimi në politikë 

Pas largimit nga Tetova, Erdogani rikthehet në politikën e lartë të Turqisë. Kur Partia e Virtytit e Nexhbedin Erbakanit u ndalua në vitin 2001, Erdogan u nda me Erbakan dhe formioi Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (Adalet ve Kalkınma Partisi, AKP). Partia e tij fitoi zgjedhjet parlamentare në 2002, por Erdoganit iu ndalua ligjërisht të shërbente në parlament ose si kryeministër për shkak të dënimit të tij në vitin 1998. Megjithatë, një amendament kushtetues në dhjetor 2002 hoqi efektivisht skualifikimin e Erdoganit. Më 9 mars 2003, ai fitoi një zgjedhje të pjesshme dhe ditë më vonë u kërkua nga presidenti Ahmet Nexhdet Sezer të formonte një qeveri të re. Erdogan mori detyrën më 14 maj 2003.

Pse Erdogani e vizitonte shpesh Tetovën?

“Qëllimi, jam i bindur se ka qenë një vizitë miqve, shokëve, bashkëmendimtarëve, të cilët edhe atëherë kanë qenë në numër të madh në Maqedoni. Por edhe një relaksim turistik pas daljes nga burgu”, thotë Shehapi për KDP.

Sipas tij, Erdogani vinte me një delegacion goxha të madh prej rreth 30 anëtarësh, bashkëpunëtorësh të tij, të cilët më vonë iu bënë bartës të funksioneve të rëndësishme gjatë këtyre 20 vjetëve të kaluara.

Shehapi nuk beson se Erdogani u strehua në Tetovë për shkak se ishte i rrezikuar nga rrymat e fuqishme sekulariste, të cilat i sfidonte.

“Strehim për kuptim tim ka të bëjë me diçka tjetër. Ardhja e tij ishte si një ish i burgosur politik, i njohur me menaxhimin e qytetit-Stambollit, personalitet karizmatik…dhe i lirë. S’kishte nevojë ai të strehohet në Maqedoni. Pastaj, sa kam njohuri, ka ndenjur vetëm një javë”, shprehet Shehapi.

Vizitat si kryeministër 

Gjatë qëndrimit në Tetovë në vitin 2011, Erdogani u prit nga lideri i PDSH, Menduh Thaçi

Erdogani edhe në dy raste tjera më pas e vizitoi Tetovën: në vitin 2006 dhe në vitin 2011. A e lidh atë diçka me Tetovën?

“Jo diçka e veçantë, por ai këtu gjatë qëndrimit e bëri hapin e parë për themelimin e Partisë AK, me bashkëmendimtarët që i kishte pranë. Ndoshta lutjet e sinqerta të simpatizantëve të tij për suksese në këtë rrugëtim e kanë emocionuar atë që rezulton edhe sot e kësaj dite”, thotë Shehapi.

Erdogani pritet sot të fitojë edhe një mandat në krye të Turqisë. Udhëheqja me dorë të fortë të shtetit, shkelja e të drejtave të njeriut dhe ngushtimi i lirisë së mediave ka bërë që pushteti i tij të jetë në fokus të kritikave nga aleatët e tij perëndimorë. Menaxhimi jo i mirë me pasojat e tërmetit këtë vit dhe inflacioni rekord i lirës turke nxitën parashikime se, pas dy dekadave pushtet, ai do të largohet nga votuesit e Turqisë. Megjithatë, raundi i parë i zgjedhjeve më 14 maj e nxori Erdoganin sërish liderin më të dashur të turqve.

Të fundit