E premte, 26 Prill, 2024

STUDIMI PIRLS: NXËNËSIT NË MAQEDONINË E VERIUT LEXOJNË SHUMË PAK, EDHE MË PAK LEXOJNË TË RRITURIT

Rezultatet e fundit nga Studimi Ndërkombëtar i Leximit (PIRLS 2021) thonë se filloristët nga Maqedonia e Veriut kanë treguar rezultat nën mesataren në lexim. Sipas tyre, nxënësit maqedonas nga klasa e katërt u renditën në vendin e 34-të në botë në tabelën e 43 vendeve të botës, përcjell KDP.

Sipas tabelës, nxënësit e klasës së katërt kanë fituar 442 pikë dhe janë nën mesataren prej 500 pikësh, sipas të cilës është bërë renditja. Vajzat në klasën e katërt kishin një notë mesatare më të lartë se djemtë, me një avantazh prej 25 pikësh.

Nxënësit e klasës së katërt në Maqedoninë e Veriut ishin më të suksesshëm në gjetjen dhe nxjerrjen e drejtpërdrejtë të përfundimeve sesa në interpretimin, integrimin dhe vlerësimin e materialit.

Ndër vendet më lartë të renditura nga rajoni për sa i përket leximit janë Sllovenia në vendin e 23-të me 520 pikë, Serbia është në vendin e 26-të me 514 pikë dhe menjëherë pas saj është Shqipëria me 513 pikë. Nga rajoni, edhe pse nën mesatare, Mali i Zi ka rezultate më të mira se Maqedonia e Veriut – 487 pikë, ndërsa më keq është vetëm Kosova, e cila është në vendin e 38-të me 421 pikë.

Ky sondazh i gjerë ndërkombëtar, rezultatet e të cilit publikohen çdo pesë vjet, renditi fëmijët e Singaporit të parët në lexim me 587 pikë, të ndjekur nga Hong Kongu (573) dhe Rusia (567). Në top 10 vendet që mund të mburren me studentë që lexojnë mirë janë Anglia, Finlanda, Polonia, Kina, Suedia, Australia dhe Bullgaria fqinje, e cila ka 540 pikë.

Nxënësit e shkollave të mesme u renditën dobët edhe në testin ndërkombëtar PISA, ku prej vitesh kanë treguar rezultate të dobëta në lexim, matematikë dhe shkenca natyrore.

Rezultate të ngjashme në lidhje me arritjet e studentëve janë vërejtur disa vite më parë në një studim të USAID-it dhe shoqatës “Hap pas hapi”. Rezultatet më pas treguan se nxënësit në asnjë gjuhë mësimore nuk e arrijnë standardin ndërkombëtar për t’iu përgjigjur 80 për qind të pyetjeve të bëra. Ata iu përgjigjën 40 për qind të pyetjeve të bëra. Në fushën e matematikës, sipas hulumtimit, detyra më e vështirë në të dyja klasat është zbritja dhe më pas detyrat me tekst.

Të fundit