E diel, 19 Maj, 2024

KORRIDORI VIII: SHTËRZIMET SHTERPE

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, të enjten ka drejtuar gishtin nga opozita dhe kundërshtarët e tjerë të Korridorit të Tetë se këtë po e bëjnë, është shprehur ajo, vetëm për të qenë kundër qeverisë. “Vetëm të shikojmë nga Prishtina dhe rrugën e shkëlqyeshme që e kanë atje, ndaj çmoj se është shumë zhgënjyese që ata nga opozita kritikojnë pa të gjitha faktet ose kritikojnë diçka për çka nuk kanë informacione. Këtë e bëjnë vetëm që të jenë kundër Qeverisë”- ka thënë diplomatja amerikane.

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Ushtaraku i pensionuar serb, dr Momçilo Sakan, shumë vite më parë, të thuash, e ka pas shkruar këtë që po bëjnë aktualisht, qarqe të caktuara, opozitare, të shoqërisë civile, e pse jo edhe pozitare, maqedonase, kur është fjala për, për ta, Korridorin e Tetë lindje-perëndim. Me një tepri për bazën ushtarake amerikane “Bondsteel”, që ndodhet në afërsi të Ferizajit, jo larg kufirit Kosovë-Maqedoni, koloneli Sakan, nuk e fsheh se Korridori VIII është pjesë e interesit gjeopolitik amerikan në Ballkan:

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ballë të NATO-s, kanë në Ballkan bazën më të madhe ushtarake në botë. Ata shantazhojnë edhe më tej të gjitha vendet në Ballkan që të mbeten në sferën e ndikimit të tyre duke i shtyrë në NATO dhe kundër Rusisë. Janë fort të interesuara  për ndërtimin e korridorit tetë dhe kontrollin e pjesës jugore të Gadishullit Ballkanik (Mali i Zi, Shqipëria, Serbia (sidomos KeM), Maqedonia, Greqia dhe Bullgaria) që do të ishte drejtimi më i shkurtër nga Adriatiku drejt Detit të Zi dhe Zakaukazit”- shkruan M.Sakan në analizën “Interesat gjeopolitike të fuqive të mëdha në Ballkan dhe në Evropën Juglindore”.

Në këtë rrafsh, duke marrë parasysh zvarritjen e realizimit të këtij projekti me rëndësi strategjike, që nga fund-shekulli i kaluar, nuk është vështirë të përfundohet se “pro-europianizmi” i qeverive  të deritashme ka qenë vetëm në letër, ndërsa “zhgënjimi” i opozitarëve maqedono-shqiptarë nuk mund të fshehet se është i mbarsur nga smira dhe paragjykimet që kryesisht reduktohen në akuzat për “çintegrim shteti”, sipas të parëve, dhe “zhvatje milionash”, po sipas të parëve, ama edhe të dytëve!

Së këndejmi, prononcimin e djeshëm të ambasadores amerikane në Shkup, Angela P. Aggeler, duhet parë si një qortim serioz në adresa që lehtësisht mund të identifikohen:

„Vetëm të shikojmë nga Prishtina dhe rrugën e shkëlqyeshme që e kanë atje, ndaj çmoj se është shumë zhgënjyese që ata nga opozita kritikojnë pa të gjitha faktet ose kritikojnë diçka për çka nuk kanë informacione. Këtë e bëjnë vetëm që të jenë kundër Qeverisë. Po, kjo është puna e opozitës, por njëkohësisht jam plotësisht e bindur se procesi, ku është i implikuar “Bechtel”, është tërësisht transparent dhe ligjor, për shkak se ata ashtu punojnë. Ndryshe, nuk do të kishin projekte gjithandej botës dhe një numër të caktuar këtu në Ballkanin Perëndimor, nëse nuk do të ishin kompani e besueshme. Qytetarët e këtij vendi do të jenë shumë të lumtur  që t`i kenë Korridorin VIII dhe  XD kur të kompletohen. Bisedimet vazhdojnë, por mendoj se është për të ardhur keq që ka të tillë që pengojnë punën, thjesht për të përfituar pikë politike,” – ka deklaruar të enjten ambasadorja amerikane Aggeler për agjencinë e lajmeve MIA. Diplomatja amerikane, njohëse e mirë e zhvillimeve në vend, ka shtruar edhe nevojën e që në Maqedoninë e Veriut të bëhet një „përzgjedhje që funksion për njerëzit“ që, gjithnjë sipas saj, „do të ihste një mënyrë inteligjente“ për t’ju përgjigjur ndikimeve gjeopolitike nga jashtë:

“Mendoj se mjedisi aktual gjeopolitik këtu reflektohet edhe në atë që shohim edhe përtej Ballkanit Perëndimor. Këtu ka ndikime gjeopolitike, por ato janë edhe globale. Dhe sidomos, a nuk folëm edhe për dezinformatat, ky tani është një realitet global. Këtë sigurisht se e shohim edhe në Shtetet e Bashkuara. Pra, ka ndikime, por mendoj se ka edhe mundësi që të njihet se ka forca gjeopolitike dhe se si vendi dhe qytetarët e tij reagojnë ndaj tyre. Kështu, për shembull, me Rusinë dhe Ukrainën, përgjigja që e pamë nga Maqedonia e Veriut, veçmas mbështetja ushtarake dhe mbështetja për NATO-n, ishte e jashtëzakonshme dhe në fakt ishte model për vendet shumë më të mëdha në Evropë për sa i përket mbështetjes së përpjekjeve atje. Kështu që, ky është realiteti, në këtë vend dhe më gjerë, dhe kryesore, sipas meje, është që kjo të identifikohet dhe më pas të bëhet një përzgjedhje që funksionon për njerëzit në vend, që është një mënyrë inteligjente për t’ju përgjigjur atyre forcave gjeopolitike, dhe që është në interesin më të mirë të shtetit,” – është shprehur në intervistën e gjatë për MIA-n, ambasadorja e SHBA-së në Maqedoni, Angela Aggeler.

E thënë shkurt e shqip për Korridorin VIII, konteksin e ndërtimit të tij në vlugun e përplasjeve gjeopolitike në Kontinent dhe më gjerë! Prandaj, duket se edhe reagimet “contra” investimit të shekullit do të mbeten “shtërzime shterpe” si një provë se më në fund – u çorën maskat!

Pa keqkuptim: Një investim kaq i madh nuk do të thotë se ka për të shpëtuar paq, pa përpjekje për hajni! Ama kjo do të duhej të jetë punë e organeve ligjzbatuese!

Të fundit