E premte, 26 Prill, 2024

KASAMI I NDAN PRESIDENTES OSMANI ÇMIMIN “ÇELËSI I QYTETIT TË TETOVËS “

Osmani: “Tetova ka vërtet rëndësi të madhe për historinë tonë të përbashkët, ka qenë shtëpi për shumë veprimtarë, intelektualë që kanë kontribuar shumë për kultivimin e raporteve mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoni të Veriut duke krijuar kështu një lidhje jashtëzakonisht të fuqishme e cila reflektohet në lidhjet e shumta familjare që ekzistojnë dhe në komunat e republikës sonë”

Kasami: Me vizitën e kryeparlamentarit, të kryeministrit dhe të presidentes së Kosovës, ne përmbyllim vizitat e përfaqësuesve më të lartë të shtetit të Kosovës. Kjo tregon vlerësimin që kanë institucionet e Kosovës për Tetovën, tetovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe falënderoj presidenten. Ne si komunë e Tetovës do të vazhdojmë të kultivojmë lidhjet tona me komunat e Kosovës dhe do të punojmë që të jemi afër dhe të rinjtë tanë t’i kemi afër në sferën e arsimit, kulturës e sportit”

Shkruan: Enis Shaqiri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, është pritur në takim nga kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Mysafirja e lartë nga Prishtina, në Tetovë u shoqërua me një pritje madhështore. Kjo ishte vizita e tretë brenda një periudhe kohore të shkurtër që përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës vizitojnë Tetovën, pas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryeministrit Albin Kurti. Gjatë kësaj vizite, Kasami, Osmanit i ndau çmimin “Çelësi i Qytetit të Tetovës”, një dhuratë e cila nuk është dhënë më parë nga Komuna e Tetovës.

Pas takimit, Presidentja Osmani njoftoi se nga Tetova janë nisur shumë procese dhe se ky qytet është një pjesë e rëndësishme e historisë sonë të përbashkët. Ajo theksoj se Tetova ka qenë shtëpi për shumë intelektualë dhe veprimtarë që kanë kontribuar në kultivimin e raporteve mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Osmani gjithashtu tha se ndër intelektualët që ka lënë gjurmë në historinë e shqiptarëve është Arben Xhaferi.

Tetova ka vërtet rëndësi të madhe për historinë tonë të përbashkët, ka qenë shtëpi për shumë veprimtarë, intelektualë që kanë kontribuar shumë për kultivimin e raporteve mes shqiptarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Maqedoni të Veriut duke krijuar kështu një lidhje jashtëzakonisht të fuqishme e cila reflektohet në lidhjet e shumta familjare që ekzistojnë dhe në komunat e republikës sonë. Natyrisht se një kontribut në këto raporte ka dhënë edhe i ndjeri Arbër Xhaferi sot kisha nderin të ndajë urdhrin Hasan Prishtina, dhe ka edhe shumë të tjerë edhe në ditët e sotme që sigurohen që këto lidhje mes nesh të mbeten të forta. Kjo vizitë zhvillohet për të rikonfirmuar raportet e shkëlqyera që janë ndërtuar mes dy shteteve tona. Por, edhe duke rikonfirmuar rolin shumë kyç që kanë luajtur shqiptarët e Maqedonisë, në shtetndërtim, shtetformim dhe poashtu në rrugëtimin euroatlantik të këtij vendi. Kosova do të jetë përherë mirënjohëse për ndihmën e pakursyer që kanë dhënë shqiptarët e Maqedonisë dhe qytetarët e Tetovës na kanë dhënë në kohët më të errëta për ne, nga vitet e hershme të 90-ta e deri tek lufta në Kosovë por edhe si vend vendi ku gjetëm streh dhe prehej sa herë që kishim vështirësi”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Ndërsa kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se Tetova si kryeqytet i shqiptarëve në Maqedoni, ka qenë vendi ku shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës janë bashkuar në të kaluarën, nën Jugosllavinë.

Tetova si kryeqendër e shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë ajo pika e bashkimit të shqiptarëve në Maqedoni e Kosovë dhe në kuadër të Jugosllavisë, kur ne kemi pasur të kaluarën tonë të përbashkët ku të gjitha sfidat i kemi ndarë bashkë”, tha ai.

Kasami gjithashtu përmendi se qyteti i Tetovës edhe njëherë është kthyer në qendër të vëmendjes pas vizitave të delegacioneve të larta nga Kosova.

Me vizitën e kryeparlamentarit, të kryeministrit dhe të presidentes së Kosovës, ne përmbyllim vizitat e përfaqësuesve më të lartë të shtetit të Kosovës. Kjo tregon vlerësimin që kanë institucionet e Kosovës për Tetovën, tetovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë dhe falënderoj presidenten. Ne si komunë e Tetovës do të vazhdojmë të kultivojmë lidhjet tona me komunat e Kosovës dhe do të punojmë që të jemi afër dhe të rinjtë tanë ti kemi afër në sferën e arsimit, kulturës e sportit. Ne si komunë punojmë intenzivisht që rruga Tetovë-Prizren sa më shpejtë të jetësohet dhe të jetë në shërbim të qytetarëve të dy shteteve”, tha kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Kryetari i Komunës së Tetovës Billall Kasami, Presidentes Osmani i ndau çmimin “Çelësi i Qytetit të Tetovës”. Ndërkaq e para e shtetit të Kosovës, Kasamit i dhuroi hartën e Kosovës të punuar me gurët e “Trepçës”.

Presidentja e Kosovës mbajti një ligjëratë edhe në Universitetin e Tetovës, me temën “Sfidat rajonale politike dhe ato të sigurisë”. Osmani shkoi në Tetovë pas inaugurimit të rrugës me emrin “Ibrahim Rugova”, në Çair të Shkupit, ndërsa vendosi lule te Busti i Skënderbeut dhe Hasan Prishtinës në Çarshinë e Vjetër. Presidentja e Kosovës vizitoi edhe Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, ku dhe mbajti fjalim.

Të fundit