E shtunë, 24 Shkurt, 2024

GABIMET E KADASTRËS I PAGUAJNË QYTETARËT

Digjitalizimi i gabuar i planeve kadastrale ka sjellë shumë kokëdhembje te pronarët e tokave në rajonin e Pollogut. Një lëvizje e vogël e incizimit nga ajri ka krijuar një problem të madh për qytetarët, pronat reale të të cilëve nuk përputhen me hartën digjitale. Problemi daton nga viti 2013, ndërkohë që institucionet thonë se i njëjti nuk është lehtë të zgjidhet.

Shkruan: Enis Shaqiri

Procesi i digjitalizimit pritet të sjellë shërbime më të shpejta, të drejta dhe më kualitative për qytetarët. Por, jo edhe në rastin e digjitalizimit të parcelave kadastrale. Gjashtëdhjetëvjeçari Selim L. nga Komuna e Tearcës ka ngelur i habitur kur gjeodeti ia ka treguar kufijtë e parcelës së tij. Në vend të atyre që i kishte ditur, ekipi i autorizuar për gjetjen e mexheve të tokës i kishte thënë se vendi i tij shtrihet mbi rrugën aty në të djathtë. Pjesa tjetër, ndërkaq, i takonte fqinjit.

“U habita kur m’i treguan mexhet. Askund nuk përputheshin me nishanet që i kishte vënë pronari paraprak”, thotë Selimi.

Për të rregulluar sërish kufijtë, ai ishte detyruar të angazhojë një sërë institucionesh. Këtë ia kishte thënë gjeodeti. “Fillimisht mora pëlqim nga fqinji, pasi një pjesë e vendit tim i kishte kaluar në pronësi atij. Pastaj shkova në noter dhe kadastër. Humba gati një muaj derisa e rregullova dhe më kushtoi afër 900 euro”.

Komuna nuk ka kompetenca, por ka adresuar problemin te organet kompetente

Kryetari i Komunës së Tearcës, Nuhi Neziri, thotë se është i njoftuar me rastin. Pasi komuna nuk ka kompetenca mbi kadastrën, ai problemin e ka adresuar te Agjencia e Kadastrës së Maqedonisë së Veriut.

“Jam në dijeni me këtë problem. Është problem me të cilin ballafaqohen gati të gjithë banorët. Një pjesë e madhe e parcelave janë zhvendosur gjatë incizimit nga ajri dhe kjo realisht krijon probleme për qytetarët tonë. Edhe pse nuk obligim komunal, unë bëj çmos që kjë çështje të zgjidhet dhe qytetarët të mos paguajnë për shërbimet që u takojnë me ligj”, tha Neziri.

Selimi nuk është i vetëm. Kjo përzierje e kufijve digjitalë të pronave ka shkaktuar tollovi, jo vetëm në Komunën e Tearcës. Të njëjtën përgjigje e morëm edhe nga komunat tjera të rajonit të Pollogut. Nga atje sqarojnë se të gjithë kufijtë e tokave kanë lëvizur nga shkaku se, gjatë incizimit nga ajri para dhjetë vitesh, ka lëvizur disa milimetra objektivi. Megjithatë, kjo zhvendosje milimetrike lartë në ajër është reflektuar me zhvendosje prej disa metrash poshtë në tokë.

Digjitalizimi i dështuar – dëmet i paguajnë qytetarët

Një përfaqësues nga një kompani gjeodezie, i cili foli për KDP në kushte anonimiteti, thotë se gjithçka filloi në vitin 2013, kur Maqedonia e Veriut ndryshoi sistemin e kadastrës dhe zëvendësoi planin e vjetër kadastral me një të ri, duke ndryshuar kështu edhe kufijtë e parcelave të tokave. Kjo çoi në probleme të shumta për qytetarët, të cilët kishin hetuar zhvendosje kufijsh në planin e ri kadastral të ri. Kjo ka shkaktuar shumë probleme, përfshirë mungesën e sigurisë në pronën e tyre, si dhe vështirësitë në shitblerjen e pronave.

Me procesin e digjitalizimit që ndodhi vite më parë, në shumë raste, incizimi dhe fotografitë ajrore kanë zhvendosur edhe kufijtë e tokave. Kjo ka shkaktuar probleme të mëdha, duke krijuar kështu edhe mospërputhje të pronave tona me planin kadastral. Unë mendoj se kjo është një çështje e rëndësishme që kërkon veprim të menjëhershëm nga autoritetet për të zgjidhur këto probleme që kemi me pronat,” thotë gjeodeti nga Tetova.

Digjitalizimi i planeve kadastrale ka pasur për qëllim t’ua lehtësojë shërbimet qytetarëve. Pjesërisht ja ka arritur qëllimit, duke iu mundësuar që një pjesë të informacioneve dhe dokumenteve ti marrin online, por gabimi i ndodhur gjatë incizimit ka krijuar shumë probleme. Digjitalizimi i kadastrës është një projekt i financuar nga Banka Botërore, përmes së cilit synohet që të gjitha planet analoge kadastrale të shndërrohen në formë digjitale përmes skanimit, gjeoreferencimit dhe vektorizimit të planeve.

Një ekspert tjetër nga një tjetër zyre gjeodezie në Tetovë për KDP.MK argumenton se mënyra se si është kryer projekti i digjitalizimit të planeve kadastrale ka sjellë dallime në të dhënat e fituara në krahasim me matjen fillestare të vitit 1939. Sipas tij, ky dallim ka ndodhur pikërisht gjatë procesit të digjitalizimit, pasi që të dhënat e fituara nuk jenë të njëjta me origjinalet. Ata thonë se procesi i digjitalizimit nuk është kryer në mënyrën të përshtatshme për të siguruar koordinata të sakta.

Mënyra se si është realizuar i gjithë projekti është e gabuar pasi të dhënat që fitohen përmes procesit të digjitalizimit nuk janë të njëjta me rilevimin fillestar të vitit 1939. Këto dallime dalin si në sipërfaqen e parcelave kadastrale ashtu edhe në pozicionin horizontal të kufijve të parcelave”, thotë eksperti.

Sipas tij, digjitalizimi i planeve analoge duhej të kryhej në mënyrë që fillimisht të llogariten koordinatat e pikave të parcelave, e më pastaj të barten në një softuer kompjuterik të përshtatshëm. “Në këtë mënyrë do të ruheshin edhe kufijtë origjinalë nga matjet e para në teren. Kjo do të eleminonte edhe paqartësitë, si midis zyrave gjeodezike ashtu edhe qytetarëve”.

Ai thekson se nuk arrin të kuptojë se pse nuk ndërmerret asgjë nga Agjencia e Kadastrës që të përmirësojë këtë gabim të madh, që u kushton qytetarëve nerva, kohë dhe para. “Në fund të fundit e drejta e pronësisë është e drejtë bazike, është kategori kushtetuese dhe si e tillë nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e qytetarëve”.

Agjencia e Kadastrës pa përgjigje

Për të kuptuar nëse është ndërmarrë diçka që ky problem të mënjanohet, dërguam një kërkesë në emalin zyrtar të Agjencisë së Kadastrës së Patundshmërive (AKP), duke u bazuar në Ligjin për qasje të lirë te informacioni i karakterit publik. Në vend të përgjigjes, personi zyrtar për komunikim na kërkoi që kërkesën ta dorëzojmë te arkivi i institucionit në formë të shkruar. Edhe pse kërkesa u parashtrua edhe në formën e kërkuar, deri në mbyllje të këtij hulumtimi nuk arritëm të marrim përgjigje nga Kadastra.

Zhvendosja e kufijve kadastrale në Tetovë si dhe më gjërë në Maqedoninë e Veriut është një problem i zgjidhur pjesërisht, ndërsa ankesat e qytetarëve për pronat e tyre kanë mbetur aktuale dhe të pazgjidhura për një kohë të gjatë.

Këto problemet kanë ndikim të drejtpërdrejtë tek pronarët e pasurive të paluajtshme dhe mund të ndikojnë në të drejtat e tyre të pronësisë. Në disa raste, zhvendosja e kufijve kadastrale ka shkaktuar mosmarrëveshje rreth pronës së tokës, duke i lënë kështu qytetarët në një situatë të paqartë ligjore dhe financiare.

Nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut thonë se kanë ndërmarrë hapa për të zgjidhur këto probleme, duke përfshirë rishikimin e planit kadastral, vlerësimin e pronave të paluajtshme dhe ndërmarrjen e hetimeve për të zbuluar dhe ndaluar praktikat korruptive në administratën publike. Qeveria thotë se në vitin 2017 mori një vendim për të rregulluar këto probleme dhe përgatiti një ligj të ri për kadastrën. Në bazë të këtij ligji, u krijua një komision i veçantë për të marrë në konsideratë ankesat e qytetarëve dhe për të zgjidhur problemet e tyre me pronat. Megjithatë, këto hapa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të zgjidhur të gjitha ankesat e qytetarëve.

Ankesat te Avokati i Popullit

Shumë qytetarë kanë kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit dhe të organizatave të shoqërisë civile për të adresuar këto probleme, por momentalisht ende pa rezultate konkrete.

Në raportin e fundit të Avokatit të Popullit, gjegjësisht për vitin 2020, theksohet se numri i ankesave për pronat është rritur në krahasim me vitet e mëparshme dhe se shumica e tyre kanë të bëjnë me mospërputhjen e regjistrave të pronësisë me realitetin në terren. Gjithashtu, raporti thekson se shumë qytetarë ankohen për procesin e rishikimit të hartës kadastrale dhe për mungesën e konsultimeve dhe informacionit të mjaftueshëm nga ana e autoriteteve. Sipas këtij raporti, parcelat janë zhvendosur nga harta kadastrale pa konsultuar qytetarët, dhe ky proces ka shkaktuar humbje të mëdha ekonomike për ta.

Në anën e qytetarëve është edhe Ligji i digjitalizimit të planeve kadastrale. Neni 83, paragrafi 2, i këtij ligji thotë: “Kur gjatë dixhitalizimit të planeve kadastrale përcaktohen dallime në sipërfaqen e parcelave kadastrale nga planet kadastrale digjitale me sipërfaqen nga funksionimi kadastral dhe diferencat janë më të mëdha se ΔP≤0.0007*M* √P (ku P është sipërfaqja e ngastrës kadastrale, dhe M është shkalla e planit kadastral), Agjencia sipas detyrës zyrtare lëshon një certifikatë dixhitale të sipërfaqes që i dorëzohet personit të regjistruar si mbajtës i së drejtës së parcela kadastrale”. Ndërsa paragrafi 3 thotë se “vërtetimi i sipërfaqes digjitale lëshohet pas kontrollit të evidencës zyrtare dhe përgatitjes së procesverbalit për gjendjen faktike të vërtetuar dhe ekspertizës për dallimin në sipërfaqe”.

Megjithatë, ky ligj nuk ka funksionuar për Selimin nga Komuna e Tearcës. Atij i është dashur të paguajë gati dy rroga mesatare për të përmirësuar gabimin e Kadastrës.

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit