E premte, 3 Maj, 2024

FOX NEWS PRANON GABIMIN PËR PRESIDENCIALET E VITIT 2020

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrjeti televiziv Fox News, i është shmangur një prej gjyqeve të profilit më të lartë për shpifje, pas arritjes së një marrëveshjeje prej 787.5 milionë dollarëve me kompaninë Sistemet e Votimit Dominion. Kjo e fundit, transmeton kdp.mk njoftimin e agjencive të lajmeve e ka akuzuar kanalin Fox për dëmtim të reputacionit, disa javë para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Marrëveshja është arritur në minutën e fundit, pasi gjyqi ishte planifikuar të niste të martën. Fox ka thënë se arritja e marrëveshjes reflekton përkushtimin që ka ky rrjet televiziv, për “standardet më të larta të gazetarisë”.

Gjykatësi i padisë së ngritur nga kompania “Dominion Voting Systems” kundër rrjetit “Fox News” për shpifje, njoftoi se palët kanë arritur një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes jashtë gjykatës. Gjykata njoftoi shpërbërjen e jurisë në momentin që ishte caktuar të fillonte procedura gjyqësore.

Njoftimi i së martës shmang një gjyq që pritej të zgjaste, lidhur me një çështje që nxori në pah se rrjeti i shumëshikuar televiziv kishte përhapur pretendime të rreme për zgjedhjet presidenciale të para tre vjetëve.

Sikurse njofton Zëri I Amerikës,  njoftimi i papritur erdhi pasi juria ishte ulur në sallë dhe avokatët po përgatiteshin për hapjen e seancës. Një avokat i kompanisë Dominion tha se “Fox News” kishte rënë dakord të paguante shumën prej 787.5 milionë dollarësh. Marrëveshja e propozuar ka nevojë të marrë miratimin nga gjyqtari që mbikëqyr çështjen.

“E vërteta ka rëndësi. Gënjeshtrat kanë pasoja”,- tha avokati i firmës Dominion, Justin Nelson në një konferencë shtypi menjëherë pas njoftimit.

Kompania “Dominion Voting Systems”, e cila prodhon pajisje elektronike për numrimin automatik të votave, ngriti një padi për shpifje kundër rrjetit televiziv “Fox News” në vitin 2021, duke kërkuar një dëmshpërblim prej 1.6 miliardë dollarësh. Firma Dominion e akuzoi televizionin “Fox News” se kishte pretenduar në mënyrë të rreme se kompania e makinave të votimit kishte manipuluar zgjedhjet e vitit 2020 në favor të demokratit Joe Biden përballë kundërkandidatit të tij republican, Donald Trump.

 

Të fundit