E mërkurë, 15 Maj, 2024

GJUKANOVIQ: NË BALLKAN KEMI DEPËRTIM SERIOZ TË INTERESAVE GJEOPOLITIKE RUSE

Kandidati presidencial dhe president aktual i Malit të Z, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar për seksionin serb të Zërit të Amerikës se boshllëkun që liroi BE-ja gjatë viteve të fundit, “Rusia e ka përdorur me mjeshtëri. Ajo, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë përdorën politika anti-evropiane”. Njëherësh, Gjukanoviq ka nënvizuar se “sërish kemi epshe të ndezura nacionaliste në rajon”. Sikurse transmeton kdp.mk, presidenti malazez është shprehur optimist se do të fitojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më dy prill duke pasur përballë Jakov Milatoviqin, një kandidat i cili luan në kartën evropiane, por që gëzon mbështetjen e partive pro-serbe dhe për fitoren e të cilit është e interesuar edhe Serbia fqinje.

Lideri i Partisë opozitare Demokratike të Socialistëve (DPS) e cila më 2020, pas 30 vjetësh, humbi pushtetin, tha se për të “sot është më se e qartë se Mali i Zi nuk zgjedh vetëm presidentin e tij, por duhet të konfirmojë qëndrueshmërinë e tij në rrugën drejt arritjes së sistemit evropian të vlerave, vend në BE dhe cilësinë evropiane të jetës për njerëzit e vet”.

Gjukanoviq ka thënë se “nuk do të polemizoj me cilindo rezultat zgjedhor”, por duke theksuar se “në rast të humbjes së tij”, Mali i Zi do të përballet me “pasiguri”.

Sipas gjykimit të tij, “alternativa e kësaj është që Malit të Zi t’i përkas “Ballkanit të hapur”, “botës serbe”, dhe atyre alternativave të para, tashmë të këqija, në kuadrin e të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor, gjatë historisë, kanë humbur kohën”.

Gjukanoviq ka shprehur bindjen se nëse mbetet në postin e presidentit, Mali i Zi do të bëhet anëtar i BE-së gjatë mandatit të tij të ardhshëm presidencial, duke nënvizuar se vendi “ka kohë që është i përcaktuar të ndjekë rrugën evropiane”.

“Mendoj se ka mbetur edhe hap përfundimtar. Mali i Zi edhe sot është vend-lider në procesin e negociatave me BE-në.  Ka edhe një hap, për të mbyllur kapitujt tashmë të hapur të negociatave dhe për të realizuar anëtarësimin e tij. Mendoj se është reale që kjo të ndodhë pikërisht gjatë pesë viteve të mandatit tim presidencial”, – tha ai duke shtuar se “për fat të keq, gjatë dy viteve e gjysmë, të kaluara, patëm rastin të shohim edhe një Mal të Zi tjetër”:

“Jam absolutisht i sigurt se këtë mund ta arrijmë në mandatin tim të ardhshëm presidencial pesëvjeçar,” – tha ai dhe theksoi se “vetëm është e nevojshme që shteti të bëhet me një administratë të përgjegjshme duke bërë zgjedhjen e duhur në zgjedhjet presidenciale dhe pas kësaj në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit”.

Sipas presidentit aktual malazez, konflikti mes Lindjes dhe Perëndimit nuk ka kaluar kurrë pa pasoja në Ballkan dhe se “tani kemi një penetrim serioz të interesave gjeopolitike ruse”.

“Atë hapësirën që liroi BE-ja gjatë viteve të fundit, Rusia e ka përdorur me mjeshtëri. Ajo jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë përdor politika anti-evropiane,”– ka thënë Gjukanoviq duke shtuar se “sërish kemi epshe të ndezura nacionaliste në rajon”.

Sipas tij, në Ballkan “nacionalistët janë gjithmonë në një start të ulët”, dhe  besojnë se politika e tyre e viteve të hershme të nëntëdhjeta nuk ishte e gabuar, por se patën një kohë të keqe”.

“Ata tani mendojnë se kanë kohë më të mirë, pikërisht për shkak të mbështetjes së Rusisë, dhe po përpiqen të arrijnë qëllimet që nuk ia dolën t’i realizojnë në fillim të viteve nëntëdhjetë,” – ka deklaruar arkitekti i shtetit të pavarur malazez duke rikujtuar se  kjo është “përafërsisht filozofia të cilën e ofrojnë nacionalistët ballkanikë të mbështetur në përkrahjen e Rusisë dhe prandaj po rikthehen të gjitha ato luhatje në rajon në tërësi”.

Gjukanoviq, në intervistën për Zërin e Amerikës, transmeton kdp.mk, ka thënë se edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore në Mal të Zi ka pasur ndërhyrje nga jashtë, duke nënvizuar se kjo “po ndodhë në vazhdimësi, edhe ditën e sotme, përderisa po bisedojmë, të gjitha potencialet e nacionalizmit serbomadh janë në funksion, nga ato financiare, mediatike, keqpërdorimi i kishës…”.

“Vetëm dikush të cilit nuk i intereson jeta dhe politika ballkanike, nuk e sheh se nacionalizmi serbomadh është shumë aktiv, që aktorët e tij e kuptojnë se diku po afrohet momenti kur do të duhet ballafaquar me faktin se Kosova është e humbur dhe do të donin që ndërkohë të sigurojnë njëfarë alternative, njëfarë kompensimi në formë të, do të thosha, ndikimit të zgjatur të Serbisë në rajon. Dhe, mbase për askënd nuk është befasi që shikimi i parë po shkon kah Mali i Zi,” – citon kdp.mk deklaratën e presidentit malazez për Zërin e Amerikës i cili, po ashtu, ka lënë të kuptohet se është “i sigurt se njerëzit janë të vetëdijshëm për këtë” dhe se “nuk do të lëshojmë pe para presionit të askujt dhe të  heqim dorë nga shteti ynë”.

Presidenti Gjukanoviq ka përsëritur vlerësimin e tij “bota serbe” është një miniaturë e “botës ruse”, duke shprehur bindjen se dënimi i kësaj ideje në qarqet ndërkombëtare ende nuk është “i mirë sa duhet” dhe shqetësimin se “për shkak të kalkulimeve të caktuara që ekzistojnë në qendra të caktuara ndërkombëtare në Perëndim, sikur nuk duan të shihet se kjo është vetëm një miniaturë e të njëjtit iluzion politik që çoi në këtë disfatë të tmerrshme të politikës ndërkombëtare në Ukrainë”.

Të fundit