E mërkurë, 15 Maj, 2024

FILLON PROJEKTI “MEDIAT PËR BE-në”, GЕЕR: MEDIAT NA DUHEN SI PARTNERE NË RRUGËN DREJT BE-së

Eurothink – Qendra për Strategji Evropiane, së bashku me partnerët e saj Asociacionin Evropian për Demokraci Lokale ALDA dhe Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal BIRC, kanë mbajtur takimin fillestar për projektin trevjeçar “Mediat për BE” Programi i shoqërisë civile për pjesëmarrjen e mediave në negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE. Qëllimi kryesor i projektit është ngritja e kapaciteteve mediatike për mbulimin, monitorimin dhe shqyrtimin e procesit negociator për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Projekti mbështetet nga Bashkimi Evropian.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Eurothink – Qendra për Strategjitë Evropiane dhe partnerët ALDA dhe BIRC, nga sot deri në vitin 2026, do të zbatojnë projektin “Mediat për BE-në” – Programi i shoqërisë civile për pjesëmarrjen e mediave në negociatat për anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE. Qëllimi kryesor i projektit është ngritja e kapaciteteve mediatike për mbulim, monitorim dhe shqyrtim të procesit të negociatave.

Në ngjarjen e nisjes së projektit, ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer theksoi se në periudhën 2015-2020 në shtet, BE-ja ka mbështetur projekte që përfshijnë median dhe shoqërinë civile në sektorin e mediave me grante në vlerë prej më shumë se 3 milionë euro.

“Kohëve të fundit kemi financuar projekte me vlerë 1.4 milionë për të mbështetur harmonizimin e legjislacionit nacional me atë të BE-së dhe shumë më tepër. Ky projekt që ne po e fillojmë sot është vetëm një shembull më shumë i mbështetjes sonë të vazhdueshme për këtë sektor. Ne jetojmë në kohë jashtëzakonisht sfiduese. Vetëm në tre vitet e fundit, ne kemi përjetuar një pandemi të paparë globale dhe luftën e Rusisë në Ukrainë që po sfidon themelet e sigurisë dhe arkitekturës së pasluftës. Dhe, sigurisht, njerëzimi përballet me sfida të mëdha përpara. Dhe kur i drejtohemi anëtarësimit në BE në vitet e fundit, ne jemi dëshmitarë të një urgjence të re nga ana e BE-së dhe liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të tjerëve në lidhje me procesin e zgjerimit”, tha Geer.

Për përfaqësuesit e medias dhe shoqërisë civile, ambasadori i BE-së tha se kanë një përgjegjësi të veçantë për të kuptuar këto zhvillime, për t’i shpjeguar dhe ndriçuar, për t’i analizuar dhe për të shtruar pyetje, për t’i nxitur, ndërsa autoritetet të vazhdojnë me vendosmëri me reformat dhe BE-ja të vazhdojë t’i përmbushë premtimet e veta.

“Ne kemi nevojë për ju si partnerë në rrugën drejt BE-së. Ne e duam këtë vend në BE, por këtë nuk e bëjmë dot pa ju”, theksoi Geer duke iu drejtuar mediave dhe shoqërisë civile.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, theksoi se asnjëherë si sot nuk jemi përballur me rreziqet e dezinformatave, të cilat janë të orkestruara dhe të organizuara dhe janë në lidhje të drejtpërdrejtë me agresionin rus mbi Ukrainën, si dhe me jostabilitetin politik në vende të caktuara të rajonit, dhe fqinjët tanë që janë në korrelacion të drejtpërdrejtë me gjithçka që po ndodh në vendin tonë, për sa i përket cenimit të ndjenjës pro-evropiane te qytetarët.

“Nuk është e vërtetë se maqedonasit dhe të gjithë popujt dhe komunitetet e tjera në vend që përgjigjen në sondazhe janë kundër BE-së. Unë jam ende i sigurt se anëtarësimi në BE ka një popullaritet dhe mbështetje prej 85 deri në 90 për qind. Ata që përgjigjen se nuk janë më aq entuziastë, praktikisht janë qytetarë pro-evropianë të zhgënjyer për shkak të asaj që ndodhi në vitet e fundit lidhur me bllokadat me të cilat u përballëm. Ata janë të zhgënjyer që ne ende nuk kemi një datë të saktë se kur do të bëhemi anëtarë të BE-së, si dhe për shkak të ritmit të reformave, por mendoj se nga kjo pikë mund të bëjmë një kthesë nëse punojmë së bashku dhe nëse ne e kuptojmë misionin tonë. Në këtë rast dhe për këtë kauzë, Qeveria, shoqëria civile dhe media kanë një mision të përbashkët që duhet ta zbatojmë së bashku”, theksoi Mariçiq.

Qeveria, siç theksoi ai, është plotësisht në dispozicion për të ndihmuar këtë projekt dhe proces me informacion, të dhëna dhe prezencë.

“Ne besojmë se ky është një projekt dhe proces jashtëzakonisht i rëndësishëm. Me metodologjinë e re procesi bëhet më politik, ka më shumë përfshirje të aktorëve politikë të shteteve anëtare, burokracia funksionon, por përshtatet edhe me çështjet politike dhe ne jemi të detyruar që me atë metodologji ta afrojmë procesin e anëtarësimit pranë qytetarëve, sepse është afatgjatë dhe i vështirë. Sa më shumë të hyjmë në diskutime tematike, kapituj, grupime, aq më mirë do të jemi në gjendje t’u shpjegojmë qytetarëve pse është e rëndësishme të përshpejtohet hyrja në kapituj. Ka shumë çështje për të cilat duhet të informojmë qytetarët”, ka theksuar Mariçiq.

Violeta Gligoroska nga Eurothink shkurtimisht prezantoi strukturën e projektit. “Në vitin e parë, projekti do të merret me atë se si qytetarët e perceptojnë hyrjen e Maqedonisë së Veriut në BE dhe çfarë duhet të kuptojnë qytetarët për procesin e integrimit evropian. Më tej, një aspekt i rëndësishëm do të jetë drejtimi i medias dhe profesionistëve të medias se çfarë do të jetë e rëndësishme dhe duhet ndjekur, si ta përcjellë atë tek qytetari i thjeshtë, metodologjia e re e negociatave etj. Në këtë drejtim, një nga aktivitetet do të jetë themelimi i një shkolle mentorimi për gazetarë të rinj dhe praktikantë në kapacitetet e së cilës do të investojmë me trajnerë dhe ekspertë të BE-së për temat, por edhe rrjetëzimi i organizatave gazetareske nga vendi me mediat nga vendet anëtare të BE-së për të shkëmbyer përvojat nga rruga drejt BE-së”, ka theksuar Gligoroska

Në skemën e granteve, e cila do të fillojë vitin e ardhshëm, do të mbështeten organizatat joqeveritare dhe mediat nga tetë rajonet planore.

Marko Boaria prezantoi rolin e ALDA-s në projekt si pjesë e angazhimit të organizatës për lirinë e medias: “Një parim i rëndësishëm është se pluraliteti i zërave dhe rritja e numrit të mundësive për dialog çojnë në qeverisje më të mirë vendore dhe më shumë mundësi për të shprehur shqetësimet e qytetarëve. ALDA gjithashtu kujdeset fort për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë dhe një sërë projektesh janë të përqendruara në nismat rinore, zakonisht me synimin universal për të mobilizuar një bazë aktive të qytetarëve të rinj”, theskoi Boaria.

Lorik Idrizi theksoi rëndësinë e afirmimit dhe kultivimit të gazetarisë analitike profesionale si një nga qëllimet e rëndësishme të projektit, i cili do të çojë në pjesëmarrje më të madhe të publikut në jetën demokratike dhe në procesin e integrimit evropian. “Kundër narrativës anti-evropiane, pjesë e së cilës janë dezinformatat, lajmet e rreme dhe format e ndryshme të propagandës, është e nevojshme të inkurajohet një narrativë ndryshe që përfshin vlerat evropiane dhe praktikat më të mira që na çojnë drejt tyre”, theksoi Idrizi.

Projekti “Mediat për BE-në”- Programi i shoqërisë civile për pjesëmarrjen e mediave në negociatat për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE zbatohet nga “Eurothink” – Qendra për Strategji Evropiane në partneritet me ALDA dhe BIRC në periudhën prej 01.03. .2023 deri më 28.02.2026 me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Qëllimi i projektit është inkurajimi i bashkëpunimit ndërmjet mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve përkatëse shtetërore që do të punojnë në proceset e negociatave të vendit me institucionet relevante nga BE-ja, si dhe përmirësimi i cilësisë së informacionit dhe prezantimi i gjendjeve dhe i progresit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së për publikun e gjerë në shtet.

 

Të fundit